Ka nisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj është i pranishëm personalisht në sallën e gjyqit dhe për këtë seancë përfaqësohet nga avokati Sokrat Gjermeni, i cili është mbrojtësi i tij i ri vetëm për këtë proces.
Në seancë janë të pranishëm edhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, Ols Dado dhe Altin Dumani, të cilët përfaqësojnë akuzën.
Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë është paraqitur nga kryebashkiaku me argumentin se nuk ekziston më rreziku për prishjen apo manipulimin e provave, pasi çështja penale tashmë ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Seanca vijon me shqyrtimin e argumenteve të palëve, ndërsa pritet vendimi i trupit gjykues lidhur me masën e sigurisë ndaj Veliajt.




