Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, mbi bazën e informacioneve të siguruara për një rast kontrabande dhe tregtimi informal të mallrave, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brand 3”.
Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan 7 shtetas të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i shisnin në tregun informal, duke shmangur pagesën e detyrimeve tatimore.
Gjatë ndërhyrjes policore, këta shtetas u kapën në flagrancë teksa transportonin me dy automjete gjithsej 17 valixhe me veshmbathje të markave të njohura, të dyshuara si të kontrabanduara. Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan shtetasit Sofokli Bushi, 69 vjeç, Bilbil Llangozi, 72 vjeç dhe Ali Bushati, 57 vjeç, ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç dhe Z. M., 65 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” si dhe “Fshehja e të ardhurave”.a.b




