Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar në Elbasan masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata ndaj 6 punonjësve të Policisë së Shtetit dhe 1 qytetari, në kuadër të operacionit të koduar “Last Bet”.
Sipas AMP-së, nga hetimet ka rezultuar se 7 personat e përfshirë kanë shfrytëzuar funksionin shtetëror dhe, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe ushtruar veprimtari të paligjshme të basteve sportive. Ata akuzohen për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Masë sigurie “arrest në shtëpi” është caktuar për:
Nënkomisar Redon Tafilaku, Specialist për krimet pranë Stacionit të Policisë Manëz, Komisariati i Policisë Durrës;
Inspektor Enea Kapllani, Ndihmës Specialist/Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, DVKM Kukës;
Qytetarin Ilir Tafa, banues në Tiranë.
Ndërkohë, masa e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është vendosur për katër punonjës policie:
Komisar Denis Sinani, Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Devoll;
Nënkomisar Aldi Molla, Përgjegjës turni pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, DVKM Kukës;
Inspektor Gëzim Beqiraj, Ndihmës Specialist/Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, DVKM Kukës;
Inspektori me iniciale E.D., trupë shërbimi operacional pranë Seksionit Special të Ndërhyrjes Taktike në njësinë speciale RENEA.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 7 telefona celularë, të cilët dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme.





