Burg grek
Policia greke dyshon se vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj, e ndodhur në burgun e sigurisë së lartë të Koridhalos, është një ekzekutim me pagesë. Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar është një 28-vjeçar grek, i njohur për autoritetet si vrasës me pagesë dhe i përfshirë edhe në ngjarje të tjera të rënda kriminale.
Burime nga policia greke bëjnë me dije se i dyshuari është i njëjti person që më 18 gusht 2025 ekzekutoi me armë zjarri 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi, në zonën Agio Panteleimona të Athinës. Bashimi, ish i dënuar për vjedhje, dyshohet se u vra për motive hakmarrjeje, në lidhje me aktivitetin kriminal të vëllait të tij, Marsel Bashimi.
Ky i fundit rezulton i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale në Greqi, në bashkëpunim me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të shpallur në kërkim në Shqipëri për vrasjen e komisar Artan Cukut.
Autoritetet greke dyshojnë se edhe ekzekutimi i Jani Aliajt është porositur nga jashtë ambienteve të burgut dhe është kryer kundrejt pagesës. Sipas të dhënave paraprake, Aliaj është goditur dy herë me thikë brenda qelisë së tij.
Por si kishte lindur konflikti mes Çiços dhe Aliajt?
Vrasja e Nelgert Patës në qytetin e Fierit është episodi i fundit i përplasjeve të grupeve rivale të Tepelenës, drejtuar nga Jani Aliaj dhe Elton Çiço.
Një histori 16-vjeçare që nis me vrasjen me thikë të shokut të Çiços nga Aliaj në vitin 2000 në fshatin Zhabakik të Greqisë. Disa vite më vonë, dy personazhet në fjalë përballen në qelitë e një burgu grek. Aty Çiço plagos Alinë gjatë kohës së ajrimit, si hakmarrje për vrasjen e shokut të tij.
Pasi të dy dalin nga burgu, konfliktet tashmë transferohen në Shqipëri, ku bandat do të luftojnë edhe për zonat e influencës sa i takon kultivimit të drogës në Tepelenë.
Më 30 mars 2015, Elton Çiços i grabisin familjen dhe i dhunojnë prindërit, ngjarje për të cilën ai vendos të marrë hak. Dy muaj pas kësaj ngjarjeje, në Durrës vritet Robert Rama, mik i Alisë, rivalit të Çiços. Elton Çiço ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e Ramës, por megjithëse policia ra në gjurmë të motorit të tij, me të cilin u largua nga vendi i krimit, ai asnjëherë nuk u ndalua zyrtarisht për këtë ngjarje.
Hakmarrja për grabitjen dhe dhunimin e prindërve të Çiços vijon me vëllezërit Ervis dhe Elton Imeri, të cilëve iu vendos eksploziv në automjete.
I pari, Ervisi, i dyshuar si autor i ngjarjes ndaj prindërve të Çiços, i shpëtoi atentatit, por i vëllai mbeti i gjymtuar rëndë pas shpërthimit në 9 dhjetor të 2015-ës në Kombinat.
Por Çiço nuk ndalet me kaq. Ai i organizon edhe 2 atentate Jani Alisë, një në Tiranë dhe një në Gjirokastër duke mos arritur ta ekzekutojë, por vetëm plagosë lehtë, derisa më 1 maj të 2016 Çiço ekzekutohet në një lokal në zonën e ish-Bllokut nga Jani Aliaj, i ndihmuar nga Renato Milloshi dhe Nelgert Pata, i cili ndihmoi në atentat, nga brenda burgut ku vuante muajt e fundit të dënimit për shfrytëzim prostitucioni.
Episodi i fundit që besohet se ka lidhje me përplasjet e bandave të Tepelenës ishte plagosja në tetor 2016 e Andi Mustafarait pranë ish-Ekspozitës në kryeqytet, i cili njihej si mik i Çiços.
Në skedarët e policisë, të gjithë pjesëtarët e grupeve rivale të Tepelenës, cilësohen si tepër të rrezikshëm. a.b





