Kryeministri Edi Rama ka postuar në Facebook njoftimin se ka një ftesë nga Presidenti Trump për tu përfshirë në bordin e Paqes, një organizatë ndërkombëtare themeluar nga Trump. Rama nuk ka publikuar ftesën plr thotë se ndjehet shumë i nderuar nga ftesa e Trump. Ftesa është një format rutinë nisur për të gjithë drejtuesit e shteteve, në lidhje me një organizatë themeluar prej tij muaj më parë.
“Jam thellësisht i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e konceptuar prej tij, ku Shqipëria është ftuar si anëtare themeluese, duke e ngritur kështu në nivel ndërkombëtar edhe një tjetër arritje që vetëm pak vite më parë do të kishte qenë krejtësisht e paimagjinueshme.
Nuk mund të jem më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi arritur gjatë këtyre viteve duke e transformuar atë në një Shqipëri ndryshe, dinjitoze dhe të respektuar në mbarë botën si kurrë më parë, si dhe padyshim për nivelin në të cilin kemi ngritur marrëdhënien tonë të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me respekt dhe vlerësim të jashtëzakonshëm nga Presidenti Donald J. Trump për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar dhe të drejtuar personalisht prej tij, dhe për të bashkëpunuar së bashku me të”, shkruan Rama në rrjete sociale.
Rama shpreh konsiderata të larta për Trump ndërkohë që kur ai kandidoi për mandatin e parë për President të SHBA, ai ishte i vetmi shtetar që e fyente jo vetëm në televizionet lokale në shqip por edhe në CNN. Rama ishte i lidhur me të majtën amerikane përmes Soros dhe mendohet se mbështeti në disa forma kandidaten Hillary Clinton.
Tv Klan Kosova, 2016:
Gazetari: Çfarë mendimi keni për Donald Trump?
Rama: Unë e kam thënë hapur atë që mendoj për Donald Trumpin dhe nuk e kam fare problem ta përsëris as këtu as kudo që të jetë; as në shqip dhe as në anglisht, që Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet që është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaroamerikane.
Gazetari: Që i bie?
Rama: Që i bie që mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin President. Sepse do të ishte një President që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaroamerikane. a.b





