Dikur plazhi i Dhërmiut
Sekuestrohen pasuri dhe biznese me vlerë milionëshe, nën hetim shtetasi spanjoll për pastrim parash
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar biznese dhe pasuri të konsiderueshme në Shqipëri, në kuadër të një hetimi për pastrim parash, ku i dyshuar kryesor është shtetasi spanjoll Alvaro Castillo, i cili dyshohet se ka përfituar rreth 30 milionë euro përmes një skeme mashtrimi ndërkombëtare.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, janë vënë nën sekuestro shoqëri tregtare, mbi 33 hektarë tokë në zonën e Dhërmiut, automjete luksoze dhe llogari bankare në emër të A.C., të dyshuara si produkte të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Nga hetimet e procedimit penal nr. 6905, të vitit 2025, ka rezultuar se A.Castillo së bashku me të atin Domingo Romillo Iriarte dhe partneren e tij M.M., janë të përfshirë në një skemë mashtrimi të sofistikuar, përmes krijimit të kompanive fiktive në disa shtete, përfshirë Spanjën, Portugalinë, Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Estoninë dhe Republikën Dominikane. Vlera e përfituar nga kjo veprimtari kriminale arrin rreth 30 milionë euro.
Në Shqipëri, aktiviteti dyshohet se është zhvilluar përmes shoqërisë “Wingwort” sh.p.k., si dhe dy shoqërive të tjera të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me objekt veprimtarie në fushën e turizmit dhe menaxhimit të pasurive të paluajtshme. Këto shoqëri kanë kryer transaksione dhe kontrata me kompani të huaja, të regjistruara në vende si Bullgaria, Sllovakia dhe Malajzia (Labuan – zonë offshore), duke blerë prona në Dhërmi me vlera dukshëm më të ulëta se çmimi i tregut.
Verifikimet kanë treguar se subjektet ushtronin të njëjtin aktivitet, kishin të njëjtën adresë dhe administratorë të përbashkët, ndërsa aktualisht rezultojnë me status “të pezulluar”. Kjo, sipas Prokurorisë, forcon dyshimet për përdorimin e tyre formal me qëllim fshehjen dhe transferimin e të ardhurave me origjinë të dyshimtë.
Sipas hetimeve, në qendër të skemës qëndron A.C., i njohur në rrjete të koduara me pseudonimet “Luis” apo “Cryptospain”, i cili komunikonte me investitorë përmes platformës Telegram, duke i bindur të investonin shuma të mëdha pa u identifikuar, çka e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve. Ndërkohë, D.I. rezulton subjekt i një hetimi nga Audiencia Nacional në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, lidhur me aktivitetet e tij financiare ndërkombëtare.
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria ka kërkuar dhe ka vendosur sekuestron mbi pasuritë e identifikuara, përfshirë toka në zonën kadastrale 1481 në Dhërmi, shoqëritë “Wortend”, “Wingwort” dhe “Wortnova”, dy automjete luksoze si Toyota Land Cruiser dhe Mercedes Benz AMG G 63, si dhe llogari bankare në bankat e nivelit të dytë.
Prokuroria bën me dije se, bazuar në provat e mbledhura, çështja pritet të dërgohet në gjykatë për gjykim, duke vlerësuar seriozitetin e veprës penale, dëmin e shkaktuar dhe rrezikun e fshehjes apo shfrytëzimit të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.a.b





