Arratisja e paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit u regjistrua edhe nga kamerat e sigurisë, ku ai shihet duke u larguar me vrap pas përplasjes me një efektiv të Burgjeve. Ai ishte i veshur me një xhup e tuta të zeza në momentin e arratisjes.
https://youtube.com/shorts/p_Atcu7lgUA?si=XndAfAxcgkBfVQT5
Autoritetet janë në kërkim të tij, ndërsa pamjet e arratisjes janë sekuestruar për hetim.
Altin Ndoci ishte shoqëruar nga pesë efektivë të Policisë së Burgjeve, njëri prej tyre drejtues i mjetit, për të kryer një vizitë mjekësore të planifikuar. Vizitat e të burgosurve zhvillohen në një sektor të posaçëm në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Dy prej efektivëve që e shoqëronin kanë hyrë bashkë me të në ambientet e spitalit. Gjatë qëndrimit aty, Ndoci ka kërkuar të shkonte në tualet dhe është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve. Pas daljes nga tualeti, ai ka goditur me grusht një prej efektivëve dhe është larguar me vrap nga kati i tretë, duke zbritur shkallët.
Efektivi i goditur e ka ndjekur dhe ka qëlluar në ajër në oborrin e spitalit të Durrësit, me qëllim ndalimin e tij, por Ndoci ka mundur të largohet. Dyshohet se ai është larguar në drejtim të zonës së Spitallës.
Në një deklaratë paraprake, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri me dije se, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë së Burgjeve, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga ambientet e spitalit. a.b




