Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pritet të merret në pyetje në prokurori për sulmet ndaj gjyqtarit Arian Aliaj. Prokurorët kanë sekuestruar pamjet filmike të konferencave për shtyp, kur ministri Tahiri sulmonte gjyqtarin që firmosi vendimin për pezullimin e Haki Çakos.
Për llogari të hetimit të nisur pas kallëzimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me urdhër të kryeprokurorit është kërkuar nga mediat kombëtare dhe lokale t’i vënë në dispozicion të organit të akuzës pamjet me zë dhe figurë të daljeve publike të ministrit Tahiri. Sipas prokurorisë, është kërkuar që të gjitha daljet publike të ministrit Tahiri, nga data 6 deri 10 qershor t’i vihet në dispozicion akuzës. Gjatë këtyre ditëve, ka pas raste kur ministri ka dal tre herë brenda ditësh, duke fol për punën e gjyqtarit Arjan Aliaj në të kaluarën. Këto data, përkojnë edhe me ditën e pezullimit të drejtorit Çako nga detyra deri më datën e kthimit të tij në detyrë me vendim të gjykatës së apelit.
Sipas prokurorisë, disa nga këto konferenca janë administruar tashmë nga organi i akuzës, i cili pret edhe kthimin e përgjigjes nga disa media të tjera.
Me administrimin e tyre, prokurorët thonë se kanë parashikuar që brenda pak ditëve të thërrasin dhe marrin në pyetje ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Mësohet se seanca e marrjes në pyetje, do të bëhet me cilësinë e personit të kallëzuar nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për akuzën e “kanosjes” ndaj gjyqtarit duke intimiduar në tërësi gjyqësorin. Nuk është caktuar ende koha kur do të pyetët Tahiri, por burimet thonë se brenda dy javëve ai do të paraqitet në prokurori të përgjithshme, para dy prokurorëve të çështjes.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkoi ndjekje penale për Saimir Tahirin, me akuzën e kanosjes për shkak të detyrës ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Kjo nuk është hera e parë që Saimir Tahiri merret në pyetje në prokurori. Pak kohë më parë ai u thirr të dëshmojë për takimin me Durim Bamin, të cilin Tom Doshi ia kishte prezantuar si vrasës me pagesë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/