Hajduti duke ikur pas grabitjes
Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Rrjeti”, i zhvilluar për zbardhjen e disa vjedhjeve të ndodhura gjatë dy muajve të fundit në supermarkete të një rrjeti tregtar në qytet.
“Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar një 31-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer katëro vjedhje në subjekte të ndryshme të të njëjtit rrjet supermarketesh. Ai u kap në flagrancë, teksa tentonte të vidhte sërish në një nga supermarketet.
Shtetasi K. M., 31 vjeç, banues në Durrës, rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Hetimet nisën pas kallëzimit të administratorit të rrjetit të supermarketeve, i cili kishte denoncuar se një person kishte vjedhur në mënyrë të përsëritur produkte, duke kaluar nëpër kasa dhe duke u larguar pa kryer pagesën”, njoftoi policia e Durrësit.
Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë periudhës 6 nëntor – 31 dhjetor 2025, 31-vjeçari ka realizuar katër vjedhje në supermarkete të këtij rrjeti, të ndodhura në lagje të ndryshme të Durrësit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore. a.b




