Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka vazhduar replikën e paradites së Ben Blushit me deputeten e kësaj partie, Mesila Doda.
Blushi dhe Idrizi janë përplasur lidhur me “autorësinë” e amendamentit për President nga Populli, dhe kreu i PDIU-së përdori një gjuhë të ashpër ndaj deputetit Blushi, duke e etiketuar edhe gënjeshtar.
Nga ana e tij, Blushi tha se ai kurrë s’ka fyer askënd, as Idrizin, as PDIU-në dhe as Mesila Dodën.
Ai paralajmëroi Idrizin që do të merret edhe me atë.
Sipas Blushit, PDIU parti peshkatarësh, keni hedhur rrjetën për të kapur peshk.
Ai gjithashtu iu përgjigj edhe akuzës së Idrizit, se i kishte ngulur thikën pas shpine partisë së tij.
Debati
Shpëtim Idrizi:
“Kolegu im Blushi fatkeqësisht e ka filluar keq politikën e tij të re. Zoti Blushi ne nuk i kishim 28 votat që të bënim dhe të kërkonim amendim kushtetues. Ne i jemi drejtuar komisionit të reformës në drejtësi me opinionin tonë. Në radhë të parë për presidentin nga populli, ne kemi propozuar që pas dy votimeve të para që duhen 84 vota.
Pas dy raundeve ne kemi kërkuar ti drejtohemi popullit. Ju deklaruat që keni 10 firma dhe ja keni adresuar kujt. Zoti Blushi mos i mashtro shqiptarët me 10 vota nuk e çon dot kurrkund, të duhen minimalisht 28 vota. Zoti Muhedini ta tha në këtë seancë që nuk është tek firmat e atyre 10 që ju pretendoni. Mashtroni se keni 9 firma dhe jo 10. E ke nisur mbrapsht, shumë keq. Na ke folur për mungesën e etikës, për një politikë ndryshe, e nise duke etiketuar një zonjën, nuk duhet ta bësh.
Do të mirëprisja të dilje të kishe projektin tënd, të dilje përpara shqiptarëve, jo duke i futur thikën pas shpine partisë tënde. Bëj partinë tënde politike, me PDIU do të shihemi në zgjidhje dhe atje do të shohim sa vlen”.
Ben Blushi:
“Po bëj sforco që të mos merrem me ty personalisht. Unë kam fituar jetesën time në disa mënyra. Dhe njëra nga këto është të bëj libra. Dhe nuk kam kohë dhe pasion të merrem me ty. Ti nuk mund të kesh privilegjin te jesh personazh i librave të mi.
Unë nuk kuptoj për çfarë po kruheni ju këtu. Nuk e kuptoj. Pse? Unë bashke me 9 apo 8 kolegë, kemi bërë një amendament që Kushtetuta të ndryshojë dhe Presidentin ta zgjedhë populli pa negocim. Ky është sistem që e kanë 90 për qind e vendeve në Europë që s’kanë monarki. PDIU-në sot se kam përmendur fare.
Nuk e kuptoj pse hyni ju këtu. Bëra replikë se gjuhën që përdor ti është vulgare. Unë s’kam bërë debat se si zgjidhet Presidenti, por kur del dikush që më thotë se kam vjedhur libra. Çfarë kam vjedhur unë. Është vulgare të hysh në debat të thuash që kam vjedh libra.
Po ti më the mua që i fut thikën e partisë time. Ti ku je në opozitë apo në qeveri. Unë ta them, unë kam ardhur në këtë pushtet jam në opozitë me gjërat që s’më pëlqejnë. Ti je votuar si opozitar kjo zonja ishte me PD-në dhe tani është këtu.
Unë e di ku jam. Jam në opozitë me çdo gjë që s’më pëlqen. Jam në opozitë me trafikun e votave. Jam në opozitë me këta që trafikojnë vota. Me partitë që trafikojnë punë.
Këto janë parti që mua s’më pëlqejnë. Çfarë partie je ti, që ke hedhur rrjetën dhe po kap peshk?!
Kërko ndjesë për gjuhën. Çfarë të kam vjedhur unë ty, idenë se duam President nga populli?! Çfarë keni bërë ju? Keni propozuar një opinion që zgjedh Presidentin me tre raunde.
Ti mendon se ky parlament është aq idiot sa ta lëri presidentin në dorën tënde?! Ai s’është doganier. Tërhiq gjuhën përndryshe do merrem vetëm me ty. Unë s’kam fyer, as ty dhe as atë zonjën. Ke bërë deklaratë kundër meje. A ka parti që bën deklaratë kundër një deputeti?!
Shpëtim, raporti mes qimes dhe fshesës është i njohur sa gjithë bota. Qimja është pjesë e fshesës. Dy gjëra s’i kam bërë. PDIU-në s’e kam përmend kurrë si emër. Atë zonjën s’e kam përmendur me emër. Ajo ka bërë dy deklarata për mua në mënyrë vulgare.
Ka folur për gjyshin tim. Gjyshi im ka vdekur ka 13 vjet dhe s’lejoj njeri ta nxjerrë nga varri. Merruni me mua nëse s’doni t’jua kthej në estradë ty dhe këdo që ke aty mbrapa. Kam frikë se do më mbani mend për ca gjëra që s’do donit të mbaheshin mend”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/