SPAK ngre akuza të reja ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa të cilat lidhen me dyshimet për pasurim të paligjshëm me fondet e Bashkisë Tiranë.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur një akuzë të re ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sipas burimeve zyrtare, Xoxa është vënë nën hetim për veprën penale të “fshehjes së të ardhurave”, ndërkohë që ndaj saj rëndojnë gjithashtu disa akuza të tjera në kuadër të hetimeve për “Dosja Veliaj”.
Ajola Xoxa u paraqit sot në ambientet e SPAK, ku qëndroi për afro gjysëm ore në praninë e avokatit.
Sipas SPAK, çifti Veliaj-Xoxa akuzohet se kanë ngritur dhe vënë në funksion një mekanizëm të mirëorganizuar për përfitime të parregullta nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë. Organi i akuzës pretendon se përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme është synuar pasurimi personal dhe familjar, nëpërmjet abuzimit me detyrën dhe burimet publike. a.b





