Nuk ka veçse pak javë që në Greqi ka filluar procesi i pajisjes së emigrantëve me leje qëndrimi biometrike. Emigrantët shqiptarë duken më të familjarizuar me këtë tip të ri të lejeve, të cilat janë të ngjashme me letërnjoftimet që ata kanë marrë në atdheun e tyre.
Tribuna shkoi në drejtorinë e shërbimit të shtetasve të huaj dhe emigrantëve në Athinë (në rrugën Petru Rali), dhe bisedoi me drejtorin e kësaj drejtorie, Ilias Hronopulos.
Sistem i avancuar sigurie
Zoti Hronopulos na informoi se, “që nga 23 shkurti i këtij viti nuk dalin më lejet e tipit të vjetër, stikerat siç i quanim, dhe që ngjiteshin në një faqe të pasaportës. Tash e tutje të gjithë lejet e qëndrimit kanë trajtën e një karte krediti, që përmban të dhëna biometrike të dixhitalizuara: Shenjat e gishtërinjve dhe fotografinë e poseduesit, si dhe një mikroçip, i cili mund të lokalizojë në çdo moment se ku ndodhet leja”.
Në fakt, pajisja e emigrantëve me leje biometrike, është një detyrim komunitar. Që Greqia duhej ta kishte përmbushur që në vitin 2011.
Ministri i emigracionit, ka thënë se kjo po bëhet për të modernizuar sistemin dhe e përshpejtuar procedurat, si dhe për të luftuar rastet e falsifikimeve.
Ndërkohë, zoti Hronopulos thotë se ai nuk mund të dijë se përse janë shkaktuar këto vonesa kaq të gjata.
“Ky është një sistem i avancuar sigurie për hapësirën Shengen, që duhej të ishte zbatuar shumë vite më parë. Është një udhëzim i Komisionit Europian që nga viti 2004, që u pasurua në 2008, u votua nga parlamenti në Greqi në 2011 dhe u realizua në 2017-n… Unë nuk jam në gjendje t’ju jap një përgjigje mbi arsyet e kësaj vonese. Por duket se administrata greke tregoi se nuk e kishte në prioritetet e veta”, nënvizon Ilias Hronopulos.
Në vazhdim zoti Hronopulos na thotë që poseduesit e lejes biometrike nuk do t’i nënshtrohen kontrollit të pasaportave në zonën Shengen.
“Supozohet, thotë me nënkuptim dhe shpjegohet, them supozohet, pse nuk mund unë të di se si do të veprojë policia kufitare në Austri, apo në Gjermani apo në Francë. Mirëpo, logjika dhe qëllimi i kësaj nisme është heqja e kontrollit të pasaportave. Si dhe të ketë në dorë emigranti një dokument të sigurisë së lartë”.
Çfarë duhet pasur kujdes?
Në momentin që paraqiten për të aplikuar për lejen biometrike, emigrantët duhet të sjellin me vete mandat pagesën e një shume prej 16 eurosh për çdo leje biometrike.
“Paravolo paguhet për çdo njeri që është nga 6 vjeç e lart. Për fëmijët nën 6 vjeç nuk paguhet gjë, ose, për të qenë të saktë, atyre nuk u merren elementë biometrikë”, thekson Hronopulos.
Përtej procedurës klasike të dorëzimit të aplikimit, emigranti do të duhet të kalojë edhe për marrjen e elementëve biometrike. Domethënë, do të skanohen fotografitë, do të skanohet edhe pasaporta, do të firmosë dhe firma e tij gjithashtu do të skanohet.
Në dhomën e marrjes së shenjave të gishtërinjve dhe të hedhjes së firmës na shoqëron miku ynë Fatos Malaj. Përveçse një aktivist mjaft i njohur i komunitetit dhe ekspert i çështjeve të emigracionit, Malaj është edhe ndërmjetës ndërkulturor në këtë drejtori; detyra e tij është që të ndihmojë emigrantët e të gjitha kombësive në komunikimin e tyre me administratën e këtushme.
Fatosi na shpjegon gjithë procesin, ndërsa në thotë një fakt interesant: probleme me shenjat e gishtërinjve kanë gratë që punojnë si ndihmëse shtëpiake dhe që nga përdorimi i detergjenteve dhe kimikateve, u janë dëmtuar mollëzat e gishtave. Zgjidhja ka qenë që t’u provohen të gjitha gishtat derisa kanë dalë shenjat e duhura (sepse për sistemin nevojitet vetëm shenja e një gishti)
Ilia Hronopulos thotë se emigrantët duhet të bëjnë veçanërisht kujdes me fotografitë që sjellin për lejen biometrike të qëndrimit.
“Emigranti duhet të sjellë 4 fotografi me format pasaporte, me përmasa të caktuara, 4 x 6 cm, ku supozohet që fotografët e dinë shumë mirë se si duhet të jenë këto fotografi. Për shembull, sfondi duhet të jetë i bardhë, por nuk lejohet që të jetë edhe veshja e bardhë. Nuk mund të vështrosh lart, apo anash. Nëse mban syze optike, duhet që t’i heqësh. Pra, ka disa standarde të caktuara dhe njerëzit duhet të bëjnë kujdes e mos t’i hedhin kot paratë e tyre”.
Ilias Hronopulos dëshiron të tërheqë vëmendjen e emigrantëve që të mos neglizhojnë me procesin:
“Gjithashtu, njerëzit duhet të dinë se, që të dalë leja biometrike, i interesuari dihet të paraqitet për marrjen e shenjave biometrike. Ne i japim mundësinë që kjo të mos bëhet në të njëjtën ditë që do të dorëzojë aplikimin. Por duhet të vijë gjithsesi në një tjetër takim të fiksuar. Nëse nuk paraqitet dy herë, do të humbasë lejen. Kjo është shumë e rëndësishme që ta dinë”, thekson drejtori i drejtorisë së shtetasve të huaj dhe emigracionit të Athinës.
Afatet
Me lejet e qëndrimit biometrike, do të pajisen gjithë emigrantët, gjatë rinovimit apo marrjes së lejes fillestare.
Deri sa të vijë momenti i rinovimit, emigrantët do të mbajnë lejet ekzistuese, që janë të ngjitura në pasaportat e tyre.
“Sigurisht, lejet që kanë dalë deri më tani nuk shfuqizohen. Vazhdojnë të kenë vlefshmëri, deri sa të skadojnë. Gjithashtu, lejet pa afat, sapo të ndërrohet pasaporta, apo në rast se humbet pasaporta, emigrantët mund të vijnë dhe të rimarrin lejen, tashmë në trajtën e re, biometrike. Të vetmit që lejohen ta ndryshojnë lejen para skadimit, janë ata që kanë leje të rezidentit afatgjatë, ose leje europiane, siç i themi, dhe që duan të udhëtojnë në zonën Shengen”.
Sa u përket afateve, me procedurën e re marrin fund një herë e mirë zvarritjet dhe telashet e mëparshme të emigrantëve, që mund të prisnin deri dhe me vite për të marrë në dorë lejen e qëndrimit në Greqi.
Sipas drejtorit të shërbimit të emigrantëve të Athinës, që nga momenti që vendimi futet në sistem, kalojnë maksimumi 5 ditë dhe leja biometrike e qëndrimit mbërrin në duart e emigrantit.
“Kjo procedurë mund të zgjasë disa ditë. Që nga momenti që vendimi futet në sistem, është punë 3, 4 apo 5 ditësh; jo më shumë. Thjesht, ajo që kishim arritur me lejet vetëngjitëse, që i nxirrnim brenda ditës që bëhej edhe aplikimi, për fat të keq nuk do të bëhet më”, shpjegon Ilias Hronopulos. Robert Goro, Tribuna-News.Com
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/