I dërguari politik i PD në Berat, Eno Bozdo denoncoi sot rastet korruptive të dhënies së tenderave nga disa bashki për biznesin e djalit të kryetarit të bashkisë së Poliçanit.
“Bashkia e Përmetit ia dhuron prokurimin e radhës kompanisë së djalit të kryetarit të Bashkisë Poliçan, kompanisë ‘G&M Construstion 07’. Prokurimi është mbi punimet për rehabilitimin e rezervuarit Qilarisht.
Kompania ‘G&M Construction 07’ e fiton këtë garë në mungesë të plotë të konkurrencës, madje me ofertë thuajse 100% të fondit limit. Në të njëjtën procedurë, dy kompani me oferta më të ulëta skualifikohen paraprakisht nga gara, duke lënë të vetëm në garë kompaninë e djalit të Adriatik Zotkës, kryetarit të Bashkisë Poliçan”, deklaroi Bozdo në një dalje për mediat në selinë e PD në Tiranë.
Neni 2 dhe 3 i Ligjit të Prokurimit Publik kërkon aplikimin në të gjitha rastet të parimit të konkurrencës, pra kërkon garë me më shumë se vetëm një pjesëmarrës.
“Por kryetarja e Bashkisë Përmet, preferon të shkelë ligjin dhe t`ia falë tenderin djalit të kolegut të saj në Poliçan.
Ajo çfarë e bën këtë skemë korruptive edhe më të rëndë, është fakti se nuk ndodh për herë të parë: në gusht të këtij viti, kryetarja e Bashkisë Dimal i akordon kompanisë ‘G&M Construction 07’, pra kompanisë së djalit të Adriatik Zotkës, një tjetër tender publik- vazhdimi i shtresës së asfaltit në rrugën Drenovicë, përsëri me ofertë gati 100% të fondit limit dhe përsëri në mungesë të plotë të konkurrencë, d.m.th. me një garues të vetëm.
Brenda 4 muajsh pra, djali i Adriatik Zotkës fiton dy tendera pa konkurrencë, me ofertë maksimale thuajse 100% të fondit limit. Për këtë ‘vënë dorën në zemër’ dy koleget socialiste të babait të tij, kryetaret e Bashkisë Dimal dhe Bashkisë Përmet”, shpjegoi Bozdo. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/