Katedralja ikonike në Paris, Notre Dame, rihapi dyert e saj këtë të shtunë, pas zjarrit në vitin 2019 që pothuajse shkatërroi tërësisht katedralen 861-vjeçare.
Restaurimi zgjati pesë vjet për strukturën që iu deshën pothuajse dy shekuj që të ndërtohej.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, në ceremoninë madhështore të rihapjes së Notre Dame, shprehu “mirënjohjen e popullit francez” për restaurimin e katedrales, duke thënë se ne “e kemi rizbuluar se çfarë mund të bëjnë kombet e mëdha: arrijnë të pamundurën”.
“Ne duhet ta vlerësojmë këtë mësim të brishtësisë, përulësisë dhe vullnetit dhe kurrë nuk duhet të harrojmë se sa vlen secili person dhe se madhështia e kësaj katedraleje është e pandashme me punën e të gjithë juve”, tha presidenti francez gjatë ceremonisë.
Kjo ceremoni mblodhi në Paris liderët botërorë, të ftuar dhe besimtarë, dhe ky tubim po shihet si momente i rrallë i unitetit, në kohën kur bota po përballet me ndarje dhe konflikte.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, Zonja e Parë amerikane, Jill Biden, Princi William i Britanisë dhe dhjetëra krerë shtetesh e qeverish – një listë prej 1.500 të ftuarish – përfshirë Kryeministrin Edi Rama dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani morën pjesë në ceremoninë e rihapjes të Notre Dame. r.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/