E TRETA/ Rezolutë e ashpër ndaj qeverisë nga 84 parti të djathta,...

E TRETA/ Rezolutë e ashpër ndaj qeverisë nga 84 parti të djathta, përfshirë rrpublikanët e SHBA e konservatorët e Britanisë

68
0
Shares

Unioni Internacional Demokratik (IDU), një organizatë globale që përfshin 84 parti politike nga 65 vende, ka miratuar një rezolutë unanime që kërkon reforma thelbësore për forcimin e demokracisë në Shqipëri. Në përbërje të saj, IDU përfshin anëtarë të rëndësishëm si Partia Republikane e SHBA-së dhe Konservatorët Britanikë.

Rezoluta bën thirrje për ndalimin e persekutimit politik ndaj liderëve të opozitës dhe garantimin e një mjedisi të drejtë e të hapur për fushatat elektorale, pa frikën e ndjekjes politike. Po ashtu, theksohet rëndësia e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe forcimit të integritetit të institucioneve, duke promovuar një sistem gjyqësor të pavarur dhe të paprekur nga ndërhyrjet politike.

Një tjetër pikë kyçe e rezolutës është intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. IDU nënvizon se këto përpjekje duhet të jenë të paanshme dhe të mos përdoren si mjet kundër opozitës politike.

Organizata kërkon gjithashtu zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke propozuar krijimin e një qeverie kujdestare, të modeluar sipas shembullit të Maqedonisë së Veriut, për të garantuar një proces elektoral të drejtë. Rezoluta nënvizon domosdoshmërinë e pavarësimit të administratës publike nga ndikimi i partisë në pushtet.

TEKSTI/,Rezolutë e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë në Takimin Ekzekutiv të IDU-së, më 6 dhjetor në Uashington, D.C.

DUKE QENË SE IDU-ja mbështet fuqimisht sundimin e ligjit dhe integritetin institucional si gurë themeli të demokracisë. Në Shqipëri, 12 vite qeverisjeje socialiste kanë përqendruar pushtetin në një person, duke i reduktuar zgjedhjet në një fasadë. Udhëheqësit e opozitës, deputetët dhe zyrtarët vendorë përballen me persekutim politik, burgosje dhe kërcënime, duke reflektuar regjime autoritare si Bjellorusia dhe Tunizia.

DUKE QENË SE, pavarësisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR, shumica socialiste nën drejtimin e Kryeministrit Rama ka dështuar të adresojë abuzimet elektorale dhe ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme kushtetutën për të dobësuar opozitën. Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2025, persekutimi politik po përshkallëzohet, i shoqëruar nga gjyqe të motivuara politikisht, arrestime dhe burgosje të udhëheqësve të opozitës si Prof. Dr. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme më 27 nëntor 2024 për të anuluar arrestimin e z. Berisha erdhi pas pyetjeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut drejtuar palëve për shkeljet në rastin e tij, duke zbuluar një sistem gjyqësor të kompromentuar nga ndikimi socialist, që është shndërruar në një mjet për shtypjen e opozitës dhe manipulimin e zgjedhjeve. Paralajmërimet e Komisionit të Venecias për kapjen e reformës në drejtësi nga partia në pushtet janë materializuar nën drejtimin e Ramës, duke kërcënuar stabilitetin demokratik të Shqipërisë.

Kërkesat e IDU-së:

  1. Të ndalet persekutimi politik kundër udhëheqësve të opozitës, duke siguruar një mjedis të drejtë dhe të hapur për të gjithë aktorët politikë që të bëjnë fushatë pa asnjë persekutim politik;
  2. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional si gurë themeli të një shoqërie demokratike;
  3. Një sistem gjyqësor i paanshëm, i lirë nga ndërhyrjet politike;
  4. Intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që veprimet të mbeten të paanshme dhe të mos synojnë opozitën;
  5. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke garantuar pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet;
  6. Krijimi i një qeverie kujdestare, e modeluar sipas Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

IDU rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjedhjet e lira dhe rolin kritik të opozitës në rivendosjen e demokracisë. IDU do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të mbështesë aspiratat demokratike dhe evropiane të Shqipërisë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY