Kryeministri Rama heq çdo shpresë për rritje të pensioneve, ka vetëm bonus...

Kryeministri Rama heq çdo shpresë për rritje të pensioneve, ka vetëm bonus festash dhe pranveror

29
0
Shares

Kryeministri Edi Rama mbajti sot fjalën në Parlament në seancën plenare për Buxhetin 2025 ku lajmëroi një bonus prej 100 dhe 150 euro për pensionistët në prag të festave të fundvitit ndërsa lajmëroi edhe bonusin e pranverës që do të jetë i pandryshueshëm cdo vit. Ai hoqi cdo shpresë për rritje të pensioneve duke e lënë rritjen vetëm në formën e shpërblimeve.

Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim se pse nuk ka pasë rritje pensionesh gjatë 11 viteve të qeverisjes së tij dhe pse rritja ekonomike në vend ka përjashtuar pensionistët nga përfitimi.

Rama: Qeveria do të çlirojë një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e tyre të fundvitit.

Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë; të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, pra deri në 200 euro, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri, 15 mijë lekë, 150 euro. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonuseve të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 10 mijë lekë ose 100 euro.

Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët. Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65800 invalidë pune dhe 44 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim. Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë.

Më konkretisht akoma, për të gjithë ata që marrin një pension social, ky bonus është i barabartë me një rritje vjetore të pensionit prej afro 13%. Për ata që marrin një pension 15 mijë lekë në muaj, bonusi është i barabartë me një rritje prej afro 9% të pensionit çdo muaj, ndërsa për nënat kryefamiljare dhe jetimët, ky bonus sjell një rritje me 35% të pensionit mujor.

Ky nuk është thjesht një hap i rëndësishëm në aspektin buxhetor, i cili do të thotë se ne po marrin përsipër një trefishim dhe dyfishim të bonusitfundvitit, që do të duhet të mbetet minimalisht po kaq edhe në vitet e ardhshme. Ky është dhe një hap kuptimplotë në drejtimin e qëllimit tonë të shpallur për ta mbyllur rrethin e qytetarëve përfitues nga rritja domethënëse dhe e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë, duke filluar më në fund t’i përfshijmë edhe pensionistët në rishpërndarjen e fryteve të rritjes ekonomike.

Nga ana tjetër ky nuk është i vetmi hap që ne do të hedhim menjëherë për të plotësuar tiparin gjithëpërfshirës të rritjes ekonomike sepse paralelisht me shpërndarjen e bonusit të tre dhe dyfishuar të fundvitit, në ditët e para dhjetorit, ne po ashtu do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë. Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë, edhe të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës. Dhe vetëm me këto dy bonuse vjetore, plus indeksimin automatik vjetor të pensioneve, në raport me rritjen e çmimeve, pensionistët tanë do të mund ta prekin menjëherë kuptimin e shifrave të rritjes shembullore ekonomike të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade.

Ndërkohë ne do të kemi gati vitin e ardhshëm edhe planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike i cili do të sjelle edhe të ardhura të tjera për pensionistët duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës së pensioneve pa rrezikuar asnjë fije stabilitetin financiar të vendit, pa kërcënuar zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit nga ku dalin dhe të ardhurat për rritjen e qëndrueshme të pagave dhe pensioneve, pa i ulur, por përkundrazi, duke i rritur njëkohësisht dhe investimet kapitale për Shqipërinë e nesërme të fëmijëve të sotëm.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY