Ndërsa ekspertiza dukej se do të ishte kryefjala e procesit te gjatë nëpër të cilën kaloi procesi i reformës në drejtësi, negociata u bë shtylla e saj kurrizore, palca falë së cilës në fund me shumë mund mori 140 vota. Për rreth 1 vit e gjysmë qe kur nisi puna për këtë reformë ajo i ka sjellë politikës jo vetëm debate, por dhe zhvillime surprizuese. As artikulimet kërcënuese nuk munguan në asnjë fazë të kësaj reforme.
Kalvari i Reformës në Drejtësi zgjati rreth 18 muaj, që kur Komisioni i posaçëm parlamentar i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, krijoi një grup ekspertësh vendas dhe të huaj për hartimin e draftit. Nga ai projekt, ka mbetur pak dhe me ndërhyrjet e PD-së, LSI-së dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, mbi 90% e draftit fillestar ka ndryshuar në krahasim me atë që u votua unanimisht në Parlament.
E para që ra ishte Byroja Kombëtare e Hetimit, fillimisht e kërkuar nga socialistët nën drejtimin e Policisë së Shtetit. PD kundërshtoi dhe shqetësimin e saj e njohu edhe Komisioni i Venecias, që rekomandoi vendosjen e BKH-së nën institucionin e Prokurorisë, si i vetmi organ në vend që ka të drejtën e hetimit, por i pavarur edhe prej saj.
LSI kundërshtoi ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe Venecia ra dakord me vazhdimin e tij, nëse do të kalonte procesin e vetingut.
Ndërsa u kundërshtua gjithashtu edhe ideja e një Gjykate të Lartë të dytë, asaj Administrative. Venecia arsyetoi se kjo do të kërkonte burime financiare dhe njerëzore që Shqipëria nuk i ka, si dhe rrezikonte të krijonte konflikt kompetencash.
Debati për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe atë të Prokurorisë ka qenë një prej atyre që zgjati më shumë. Drafti fillestar parashikonte që anëtarët e zgjedhur nga politika të miratoheshin me 3/5 e votave, gjë që sipas opozitës do të sillte kapjen e sistemit. Rama i dha PD-së 2/3 e kërkuara prej saj prej disa muajsh por opozita ndërkohë pretendoi një formulë të re, atë të vendeve të rezervuara. Kur opozitën e kundërshtoi edhe vetë Ambasada e SHBA-së, selia blu publikoi disa emaile për të treguar se kjo formulë ishte pjesë e tre opsioneve të ofruara nga Rruga e Elbasanit si zgjidhje, prej të cilave PD ftohej të zgjidhte.
Vetingu ishte një tjetër pjesë e draftit që pësoi ndryshime. Zgjidhja finale u duk se erdhi me propozimin e sjellë nga ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, i cilësuar prej asaj vetë si hibrid, pasi merrte një pjesë nga varianti i PS-së e një pjesë nga varianti i PD. Opozita edhe këtë herë kundërshtoi rolin vendimtar të ekspertëve të huaj, duke mos u njohur atyre të drejtën të fshinin emra nga gjyqtarët dhe prokurorët. Thirrjet e demokratëve për shkelje të sovranitetit shtuan ashpërsinë e toneve nga ambasada amerikane.
Ndërsa Edi Rama përpiqej të krijonte dy koalicione, atë kundër SHBA/BE që kundërshtonte draftin dhe atë pro perëndimor që e pranonte atë, aleati i tij në qeverisje hyri hapur në lojë. Pas një takimi të thirrur në zyrën e tij me Ramën dhe Lulzim Bashën, ku ambasadorët e SHBA/BE refuzuan të merrnin pjesë, Ilir Meta takoi Lulzim Bashën në hotel Rogner. Lideri i LSI-së i quajti të drejta shqetësimet e demokratëve dhe u shpreh i gatshëm t’i trajtonte ato direkt me Brukselin.
Të dy kërkuan ndihmën e eurokomisionerit Johannes Hahn, që u dërgoi një propozim të ri, i cili u pranua nga të gjitha palët.
Kur pritej që marrëveshja të kthehej në draft, Meta dhe opozita kërkonte që Fatmir Xhafaj të mblidhte Komisionin parlamentar të Reformës në Drejtësi, por deputeti socialist refuzonte. Ndërkohë demokratët deklaruan se kishin rënë dakord me PS-në që formula e vetingut të aplikohej edhe për KLGJ-në dhe KLP-në. Socialistët mohuan por paktin e konfirmoi Ylli Manjani i LSI.
Mbledhja e Komisionit dështoi ndërsa mëngjesin e 21 korrikut, në Konferencën e Kryetarëve, Ilir Metës nuk e mbanin më nervat.
Koalicioni qeverisës dukej i shpërbërë ndërsa nga poltrona më e lartë e Parlamentit, Ilir Meta kërcënonte me dorëheqje, duke fajësuar për zhvillimet edhe dy ambasadorët e huaj.
Kjo pasoi ngujimin e Donald Lu dhe Romana Vlahutin në zyrën e tij pranë Kryesisë së Kuvendit, ku dolën vetëm pas 7 orë e gjysmë. Në ndërkohë, kishin pritur dy herë Lulzim Bashën, që në fund pranoi një propozim të ri për KLGJ-në dhe KLP-në të avancuar nga përfaqësuesi i Uashingtonit.
Përqafimi diplomatik konfirmoi marrëveshjen e arritur.
Pak pas mesnate, Komisioni i Reformës në Drejtësi miratoi unanimisht draftin në tërësi, duke ia kaluar seancës plenare. /abcnews/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/