Vrasja e Egli Prodës, sinkronizim për të manipuluar vrasjen. Të gjitha deklaratat...

Vrasja e Egli Prodës, sinkronizim për të manipuluar vrasjen. Të gjitha deklaratat nga cdo institucion

59
0
Shares

Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me vrasjen në Pogradec duke hedhur akuza të forta për policinë. Në këtë ngjarje që ndodhi 4 ditë më parë u vra Egli Proga, 42-vjeç.

Sipas anëtarit të kryesisë së PD, Gent Strazimiri, autoritetet tentuan të fshihnin autorin dhe më pas të minimizonin atë.

”Asnjë ‘keqkuptim’ nuk ka ndodhur në rastin skandaloz, kriminal të Pogradecit. Përkundrazi! Skandali i vetëm, kriminal, nuk është ‘keqkuptimi’, është mirëkuptimi i të gjitha strukturave shtetërore, nga policia, tek prokuroria e gjykata, në mbulimin apo minimizimin e krimit, të përmbyllur me sukses, dje, me një vendim gjykate të ‘drejtësisë së pavarur’, të spastruar e të pasuruar me patronazhistë.

Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e strukturave përgjegjëse, të gjitha vonesat në reagim apo në vlerësimin e situatës, janë të qëllimshme, të kryera në mirëkuptim të plotë kriminal, mafioz, me të vetmin qëllim: fillimisht fshehjen e autorëve, e pastaj minimizimin e aktit kriminal.

Kjo është atmosfera e trishtë në Pogradec, ku të gjitha organet ligjëzbatuese janë koordinuar në mirëkuptim të plotë për të fshehur të vërtetën…

Prandaj ‘nuk ka’ dëshmitarë megjithëse ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, në mes të sezonit turistik, në mes të një rruge tregtare.

Ky nuk është rasti i parë, kur një patronazhist, i biri i një prokuroreje, i nipi i një rilindasi lokal apo një bandë e tërë syresh me shkopa bejsbolli e armë në dorë, vrasin në mes të ditës, barbarisht e, në fund thjesht gjobiten për ‘pakujdesi’.

Egli Proga u vra nga banda e patronazhistëve të rrugës, e u përdhos nga banda e patronazhistëve në polici, prokurori e gjykatë”, tha Strazimiri në një deklaratë për mediat.

Ka reaguar sot edhe kryeministri Edi Rama duke thënë se Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë prova që hedhin poshtë akuzat se ngjarja u tentua të fshihej, apo se ambulanca u vonua.

Rama thotë se akuza e Prokurorisë “vrasje nga pakujdesia”, tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, por ‘nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral’.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku tha sot se policia në asnjë moment nuk kishte fshehur ngjarjen.

“Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, të cilat janë të gjitha të dokumentuara dhe çdo i interesuar është i ftuar t’i shqyrtojë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes në kohë rekord. U identifikua dhe u arrestua autori, së bashku me tre shtetas të tjerë (këta të fundit për moskallëzim krimi) dhe materialet procedurale janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme”, shprehet Rrumbullaku.

Drejtori i policisë nuk shpjegoi se pse policia e Pogradecit ka dy versione për autorin, një në komunikatë ku thotë se u arrestua autori i dyshuar ndërsa tek letrat në prokurori thotë se ai u dorëzua vetë në orën 3 të natës.

Ka dhënë shpjegim edhe Gjykata e Korçës në lidhje me masën e sigurisë.

“Prokuroria që ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës arrest në burg ndaj Meçes, për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” dhe caktimi e masës “detyrim paraqitjeje” për tre personat të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.

Në reagim, Gjykata thotë se e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova dhe se deri në këtë fazë të hetimit gjyqtari nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.

Edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare një deklaratë për mediat, Skënder Brataj deklaroi se urgjenca ka marrë thirrjen nga policia në orën 19:12, dhe në orën 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku ka dhënë ndihmën e parë.

Nga verifikimi që kemi kryer, rezulton se në orën 19:12 minuta ka ardhur thirrja e Policisë së Pogradecit drejt urgjencës, ku kërkohet ndërhyrje e shpejtë për një person që gjendet në rrugë, në rrethrrotullimin te Agjencia. Infermieri i vlerësimit ka kaluar të dhënat në orën 19:12 ka ardhur thirrja e cila zgjati 40 sekonda. Në orën 19:14 ekipi është nisur drejt vendngjarjes dhe në 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Pas 2 minutash, pacienti është vendosur në autoambulancë, pra në 19:20, dhe është drejtuar drejt spitalit të Pogradecit. Përgjatë 11 minutave të rrugës nga vendngjarja në spital, pacienti është asistuar nga stafi mjekësor, gjë e cila ka vazhduar brenda ambienteve të spital. I gjithë misioni ka qenë në total 20 minuta, duke nisur nga kërkesa për ndihmë. Ekipi ka shkuar në vendngjarje për 7 minuta, në total për 20 minuta është menaxhuar misioni me kod të kuq traumatik që dihet dhe rezultati final.”, tha Brataj. m.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY