SPAK zbulon detajet që cuan në arrestimin e kreut të prokurorisë së...

SPAK zbulon detajet që cuan në arrestimin e kreut të prokurorisë së Vlorës, cfarë bëri me hetuesen e BKH në 7 raste

487
0
Shares

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje sot në lidhje me arsyet se pse arrestoi një ditë më parë kreun e prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka ndërsa është në kërkim të Eriona Dautaj, hetuese e BKH, Astrit Vladi dhe avokati Radovan Cela. Policia ka gjetur vetëm prokurorin ndërsa tre të tjerët besohet se janë jashtë shtetit. Eriona Dautaj ndërkohë është studente e magjistraturës për gjyqtare.

Prokurori dhe tre personat e tjerë akuzohen sipas rastit për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Lidhur me këtë procedim penal për një periudhë disa mujore janë kryer veprimet e nevojshme hetimore duke përfshirë marrjen e informacioneve nga agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, marrjen e provave nga autoritetet e drejtësisë së shteteve të tjera, kërkimin, zbulimin dhe administrimin e dokumentacionit të nevojshëm, si dhe analizimin me hollësi të të dhënave dhe dokumentacionit që është administruar.

Nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Astrit Vladi, Radoban Cela, Eriona Dautaj, dhe Aurel Zarka, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

“Veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të drejtësisë dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me çështjet penale të mëposhtme:

Procedimin penal nr.130, të vitit 2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”; procedimin penal nr.71, të vitit 2020, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim

Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe nga Prokuroria e Posaçme;

Procedimin pasuror për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri;

Procedimi pasuror për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Cela alias Marius Lulaj;

Çështjen penale në ngarkim të shtetases Xh. M., e akuzuar për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë, të parashikuar.

Mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669, datë 26.03.2020, të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë;

Çështjen penale në ngarkim të shtetasve Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”, bën të ditur SPAK.

AKUZAT/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi masën esigurimit “arrest në burg” për avokatin Radovan Cela, i dyshuar për veprat penale: (i)“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer dy herë, një herë e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal; (ii)“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer pesë herë, kryer në bashkëpunim katër herë.

Caktimin ndaj personit nën hetim Astrit Vladi të masës së sigurimit “arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale: (i) “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e kryer katër herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim.

Caktimin ndaj personit nën hetim Aurel Zarka (në cilësinë e prokurorit) të masës së sigurimit “arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale: (i)“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Caktimin ndaj personave nën hetim Eriona Dautaj, (në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në kohën e kryerjes së veprave penale), të masës së sigurimit “arrest në burg”, e dyshuar për veprat penale: (i)“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer dy herë, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer katër herë, kryer në bashkëpunim dy herë, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY