Nisja e punimeve nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka shënuar një përplasje të fortë nga deputetët e të dyja palëve.
Flutura Açka që drejton komisionin nisi punimet por deputetët demokratë drejtuar nga Gazment Bardhit i kërkuan ta ndërpresë por ajo refuzoi.
”Ulu të drejtojmë bashkë”, ishte thirrja e Açkës për Bardhin. Por kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ka refuzuar.
“Jo nuk ulem pa u plotësuar kërkesat e opozitës. Flutura ndërprite pak fjalën. Po lëri deklaratat dhe fjalimet e Edi Ramës tani o Flutura. Lëri hartimet tani. Mos u bëj fasadë, mos shkel mbi votat e demokratëve dhe opozitarëve. Ngri zërin për komisionet hetimore, për të drejtat e opozitës. Mos u bëj fasadë e Evisit”, ka shtuar ai.
“Nuk e heq mikrofonin se nuk marr urdhra prej teje Gaz Bardhi”, i është përgjigjur Açka.
Ndërkohë, deputeti demokrat Flamur Noka është bërë pjesë e konfliktit duke shkulur mikrofonin e kryetares së komisionit, për të mos e lejuar që Açka të vijojë fjalën.
Pak çaste më vonë ajo e mbylli komisionin me propozimin e Evis Kushit.
Pas përplasjes së ashpër kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka foli për mediat nga ambientet e Kuvendit
Ajobdënoi sjelljen e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës.
“U bëtë pjesë e një shfaqjeje jo shumë të hijshme. Opozita meriton komisionet hetimore dhe është detyrim kushtetues i mazhorancës që t’ia japë komisonet hetimore opozitës. Sa më shumë i vonon e majta është më keq për të sepse afron fundin e saj. Por duke parë në përgjithësi që parlamenti ka dalë nga aksi, mendova që ta fillonim këtë vit mbarë, sepse ka disa muaj që ne nuk themi dot fjalën tonë si opozitë. Sot përplasem me kolegët e mi që mendojnë se duhet ta mbajnë në kaos parlamentin. Personalisht, e shoh si një gjest jo të mirë dhe jashtë detyrës si deputete të dalë në rrugë e korridore, të bërtas në komisione. Më vjen keq që si pasojë e konfuzionit është përkeqësuar klima. Edhe shqiptarët i kemi irrituar me opozitën, i kemi irrituar me deputetët opozitarë”, tha Acka.
Më pas ka reaguar edhe Lulzim Basha. Në postimin e tij thuhet: “Turp për këta burrecë të vegjël që mendojnë se duke sulmuar zonjat me dhunë verbale, tregojnë forcë. Kjo vetëm provon se sa të dobët janë“, poston Basha.
Por fill më pas ka qënë Gazment Bardhi që ka dhënë një deklaratë, duke shprehur keqardhjen që Basha manipulon disa deputete të ndershme që i shkojnë pas atij. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/