Partia Demokratike e Shqipërisë dënoncoi skandalin e ndodhur dje në Has, ku djemtë e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Has, janë kapur duke shpërndarë pako nga rezervat e shtetit me qëllime elektorale.
Në nje video të publikar nga kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë Has, Z. Miftar Dauti, shihet qartazi se si ndihmat e rezervave të shtetit transportohen me automjet personal të familjarëve të kandidatit socialist. Ky përbën një krim zgjedhor të padiskutueshëm.
“Skandali nuk mbetet me kaq. Sipas raportimeve të para, pas denoncimit publik të kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Miftar Dauti, Policia e Shtetit, rrethon automjetin, rreth orës 21:40, të së hënës, por nuk fillon procedurat e verifikimit deri rreth orës 01:20 minuta të ditës së sotme. Oficerët i mëshojnë faktit se, makina duhet hapur në komisariat, jo aty ku është skena e krimit.
Po këta punonjës policie tentojnë të ndalojnë filmimin nga jashtë xhamave të automjetit të pakove me logo zyrtare.
Lind pyetja: Cfarë kërkojnë pakot me stemë të “Republikës së Shqipërisë, Rezervat Materiale të Shtetit” në makinën e djemve të kandidatit të Partisë Socialiste, Has? Ku u morën këto pako dhe çfarë përmbajnë?”, deklaroi zyrtari i PD, Akil Kraja.
Përgjigjen mund ta jepnin Policia dhe Prokuroria sikur të mundësohej verifikimi i automjetit. Jo vetëm që automjeti nuk u hap, por u tentua pamundësimi i mediave të filmonin nga jashtë pakot shtetërore në këtë automjet.
“Qartësisht kemi të bëjmë me një strukturë të organizuar shtetërore në devijimin e votës së 14-Majit?
Kandidati i Partisë Socialiste Has paska deklaruar se pakot me stemën e “Republikës së Shqipërisë” janë pako personale të tij për t’u shpërndarë për Natën e Kadrit te banorët e Hasit. Kjo është haptazi një shkelje e kodit zgjedhor dhe një tentativë banale abuzimi me burimet dhe rezervat shtetërore me qëllim tjetërsimin e votës.
Nuk janë vetëm të bijtë që transportojnë në mënyrë abusive pako të rezervave shtetërore, por edhe e bija e kandidatit Mulaj, përgjegjese e Osshee per Hasin, që me gjasme investime ne shtylla, transformatore e kabina elektrike, bën propagandë për të marrë vota, apo presion me faturat e energise elektrike që t’i marrë me zor votat e hasjanëve”, tha Kraja.
Çfarë thotë më në fund policia: 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”
Rreth orës 21:00, një grup personash kanë bllokuar në qendër të qytetit të Hasit, një automjet furgon me targa AB 333 EC, me drejtues shtetasin B. M., me pretendimin se ishte i ngarkuar me pako me ndihma të cilat dyshonin se do të shpërndaheshin për llogari të një kandidati të një subjekti politik, dhe për këtë rast kanë njoftuar Komisariatin e Policisë Has dhe është vënë në dijeni Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, pasi kanë marrë kallëzim nga shtetasi M. D. (njëri nga shtetasit që kishin bllokuar furgonin në qendër të qytetit), mbi pretendimin e tij, kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, me qëllim marrjen e autorizimit për ushtrimin e kontrollit në këtë furgon.
Pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë, furgonin me targë AB 333 EC dhe në prezencë të oficerëve të Policisë Gjyqësore, drejtuesit të furgonit dhe palës kallëzuese, është ushtruar kontroll në brendësi të furgonit, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë).
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijojnë veprimet procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet e para procedurale, me kërkesë të Prokurorisë, i kanë kaluar për vlerësim këtij institucioni. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/