GENC POLLO/ Amnistia fiskalo-penale si provë kombëtare

GENC POLLO/ Amnistia fiskalo-penale si provë kombëtare

42
0
Shares

(me opozitën e thirrur në mision të madh)

Nga Genc Pollo

Së pari pak fjalë të përgjithshme për amnistinë. Problemi moral kryesor i saj është konflikti me parimin madhor të barazisë së personit para ligjit. Një i dënuar që amnistohet (apo edhe falet) favorizohet në raport me një tjetër person që vuajti po atë dënim (për të njëjtin krim) në kohë të mëparshme apo të mëvonshme e që nuk përfitoi nga amnistia. Prandaj amnistitë duhet të jenë të rralla, të matura e proporcionale. Ato lipset të favorizojnë të dënuarit për vepra penale të lehta, apo gjithësesi që vuajnë fundin e dënimit, ose dhe kundravjatje e vepra penale minore ende të padënuara. Synimi është integrimi shoqëroro-edukativ dhe lehtësimi i barrës së aparatit ligjzbatues nga policia tek burgjet.

Edhe amnisitë fiskale (më lart trajtuam amnistinë klasike që është ajo penale) ndjekin të njëjtat norma. Ato legalizojnë para të rregullta që nuk kanë kaluar në procesin e formalizimit përmes procesit bankar e tatimor. Mandati i amnisitisë fiskale kufizohet brenda këtij perimetri pa ndërhyrë në politikat penale apo në punën e policisë, prokurorisë e gjykatave. Ky është dallim i madh! Dhe është pikërisht dallimi midis amnistisë fiskale të vitit 2011 (qeveria Berisha) dhe aministisë fiskalo-penale që propozon sivjet qeveria Rama.

1.​ Amnistia normale e vitit 2011

Amnistia e v. 2011 nuk parashikonte që nëse “dikush me thasë me euro në bodrum” do të legalizonte paratë e veta të ardhura nga veprimtaria kriminale; ai dikush në asnjë rast nuk do të ishte i imunizuar nga hetimi administrativ e ndjekja penale në të ardhmen. Madje me zbatimin e ligjit antimafia dikushit mund t’i konfiskoheshin jo vetëm paratë por edhe shtëpitë, tokat e veturat nëse nuk do t’i justifikonte dot me të ardhura të rregullta. E megjithatë asokohe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Delegacioni i Bashkimit Europian u pronocuan kundra imunitetit penal. Si për t’i fryrë kosit. Rezultati i amnistisë fiskale 2011 ishin 16,6 miliardë lekë (141 milionë euro) detyrime të prapambetura me natyrë tatimore, doganore e tarifore (kjo e fundit kryesisht për automjetet). Subjektet paguese përfituan edhe shmangien e kamatvonesës e të gjobave. Por dikushi me miliona euro në bodrum nuk u paraqit në asnjë rast në bankë e tatime.

2.​ Amnistia “sui generis” e vitit 2022

Amnistia e vitit 2022 e ndryshon radikalisht situatën. Projekt-ligji (neni 16/1 e, f, g) përjashton nga çdo lloj hetimi administrativ, ndjekje penale apo konfiskimi i parave atë dikushin që milionat e bodrumit do t’i deklarojë në bankë e tatime. Duket qartë se ato qindra a më shumë miliona në bodrumet e Shqipërisë, Bashkimit Europian e Anglisë janë synimi i vetëm e i madh i Edi Ramës. Si për të prishur syrin e keq apo për humor të zi, qeveria thotë se e ka zgjidhur problemin duke përjashtuar nga amnistia ofiqarë nga Presidenti i Republikës deri tek drejtorët e qarqeve (neni 6).

Argumenti i qeverisë se kështu kanë vepruar më parë edhe shtete europiano-perëndimore. Një zëdhënës i Ramës (zakonisht për punë të pista) deklaroi para pak ditësh në prani të shefes së Delegacionit BE se edhe Greqia ka bërë aministi fiskale fill pasi adoptoi euron në v.2004 (në fakt Greqia e adoptoi euron në v.2001). Çfarë nuk tha deputeti socialist është që amnistia greke e vitit 2004 ishte strikt fiskale dhe aspak penale; po kështu janë pa përjashtim edhe rastet e tjera në Europë; të ngjashme me tonën e v.2011.Amistia fiskalo-penale e v.2022 është madje “sui generis” në botë!

Për më tepër ajo është në shkelje të Konventës Europiane mbi Kërkimin, Kapjen e Konfiskimin e të Ardhurave nga Kriminaliteti e nga Terrorizmi e v. 2005 (e njohur si Konventa e Varshavës) ku Shqipëria është palë. Kjo amnisti shkel edhe marrëveshjet për mostatimin e dyfishtë që Shqipëria ka në fuqi me shumë shtete të botës perfshi çdo shtet europian. Çdo gjykatë kushtetuese serioze do e shfuqizonte atë.

3. Motivet e Ramës

Me borxhimin e lartë publik dhe me devijimin masiv të fondeve publike drejt PPP problematike dhe rrugëve me kosto 20 milionë euro për kilometër buxheti i shtetit po firon edhe për shpenzimet rutinë. Madje nuk ka para të mjaftueshme, në buxhet e jashtë tij, për të “shpenzimet” e Partisë Socialiste për zgjedhjet bashkiake mbas nëntë muajsh.

Prandaj e ka ndarë mëndjen qe me patjetër që të shtjerë në dorë 5-10 % të qindra milionave që do të legalizohen (kaq është detyrimi tatimor). Si dhe një pjesë nga 90-95% të tyre, që mbeten pronë e dikushit, t’a vërë në punë; direkt ose indirekt.

4. Pasojat ogurzeza të amnistisë

Pasurimi i mëtejshëm i kastës në pushtet dhe blerja e fitores në bashkitë me rezultat të pasigurt janë pasojat direkte të amnistisë Rama. Ironikisht këto mund të mos jenë pasojat më negative.

Shfaqja befas i super-milionerëve legalë me të shkuar problematike të cilët tashti kanë shuma 9-shifrore në llogaritë bankare në euro është barabar me krijimin e një realiteti të ri në sipermarrjen shqiptare e më gjerë. Super-milionerët nuk do t’a kenë të vështirë të zëvendësojnë shumicën e sipërmarrësve që kanë krijuar kompani e pasuri në këto tridhjetë vjet. Duke i marrë tregun ose duke i blerë aksionet. Jo detyrimisht me dhunë por me trysninë e papërballueshme të parasë së madhe e të kollajshme. Dominimi i tyre në ccdo fushë të ekonomisë, përtej ndërtimit aktualisht, do të jetë fatal.

Problemet që amnistia Rama do të shkaktojë me BE janë serioze por, në kontekstin tonë, sekondare. Për to më poshtë.

5. Caku i Bashkimit Europian

Bashkimi Europian ka sinjalizuar disa herë publikisht kundërshtimin e tij ndaj nismës për amnistinë fiskale. Këtë e ka bërë përmes Delegacionit në Tiranë dhe disa ambasadave dypalëshe. Ambasada britanike dhe deri diku ajo amerikane i kanë bërë jehonë qendrimit ë Brukselit. Së fundmi edhe progres-raporti (1) për Shqipërinë i publikuar më 12 tetor kundërshton qartë amnistinë fiskale (si dhe pashaportat e florinjta) duke parashikuar përkeqësim masiv me pastrimin e parave. Me siguri Delegacioni e mbase edhe Komisioni në Bruksel e të tjerë do të përsërisin këto deklarata ndërkohë që p/ligji do të avancojë drejt miratimit. Por kaq!

Ideja se BE dëmtohet seriozisht nga “aministia fiskale” në një shtet të Ballkanit është iluzore. Ekonomia e Shqipërisë është me pak se 1% e asaj së BE-së. Dhe paratë në bodrum duhen parë si proporcionale. Prandaj me gjasë BE nuk do të lerë mënjanë hallet e mëdha të momentit për të ndaluar me çdo kusht Ramën e dikushët e tij.

Por Brukseli do të mbante shënim se një shtet ballkanik që don të anëtarësohet në BE vepron (sërish) kundër interesave të Europës e dhunon normat e saj. Si përfundim do të kishim edhe një tjetër arsye të fortë që negociatat të rrinin në vend numëro për vite të tëra; siç ka ndodhur me Serbinë.

6. Vetëmbrojtja e Europës

Argumenti i Ramës se BE dhe Anglia i duan për vete milionat e dikushit prandaj kundërshtojnë nismën e tij nuk ka bazë. Nëse ato para, në mungesë të aministimit, mbeten në bodrum në Shqipëri, atëhere në BE dhe Angli ku përdorimi i parasë cash është shumë më i kufizuar i bie që të kalben në bodrum.

Por Bashkimi Europian, si dhe Britania e ShBA, kanë zhvilluar mekanizma mbrojtës. Në rastin normal nëse një bankë në Shqipëri do të tentonte një transfertë të eurove të dikushit në BE dhe Perëndim paratë do të identifikoheshin si të dyshimta, transferta do të bllokohej dhe banka vetë mund të përfundonte në listë të zezë në Europë e më gjerë. Bankat tek ne të cilat janë ende me pronësi nga BE as nuk do të hynin fare në këtë valle.

Në rastin më akut ato banka që do të përlyhen keq me thasët e bodrumit do të përfundojnë automatikisht para një kordoni sanitar euro-amerikan; njëlloj si bankat e Putinit. Atyre do t’u mbeten shkëmbimet vetëm me Anadollin, Lindjen, Azinë e Afrikën.

Gjithashtu personat që do të riatdhesojnë paratë me çanta e do t‘i deklarojnë bie fjala në doganën e Durrësit apo Rinasit duhet të mos harrojnë se për shtetet nga ku kanë sjellë cantën, p.sh. për Itali ose për Anglinë, kanë kryer edhe evazion fiskal. Dhe krahu i gjatë i ligjit italian e anglez nuk ka për t‘i lënë të qetë për vite të tëra.

7.​ Rama pa skrupuj

Edi Rama e ka treguar që djeg çdo jorgan për të kapur e mbajtur pleshtin e pushtetit. Si shef i opozitës në vitin 2013 hyri aleancë me mafiozët lokalë duke u premtuar garancira, ofiqe e tendera; nuk pyeti për këshillat private të ambasadorit x për të mos kandiduar deputetin y. Një vit para zgjedhjeve parlamentare të v. 2017 ai kanabizoi Shqipërinë përmes Tahirit pa pyetur për ata pak zëra ndëkombëtarësh që protestuan publikisht. Në 2020 Rama shkeli marrëveshjen me opozitën dhe ndryshoi Kodin Zgjedhor duke i siguruar kështu vetes 5 deputetë shtesë. Ambasadorët e BE, Britanisë dhe Amerikës, që kishin ndërmjetësuar e garantuar marrëveshjen,i ekspozoi si impotentë e irelevantë. Një syresh, e cila kuturisi e tha se marreveshja nuk u shkel, e bëri të duket qesharake.

Tashti që përsëri bëhet fjalë për pushtetin si zor se ai do të impresionohet prej tyre. Shenjat i dha: duke i ftuar ambasadorët për dialog e pastaj duke i shpërfillur me mospjesmarrjen e tij në takim.

8. Misioni i madh i opozitës

Këtë nëntitull fillimisht e shkruajta “Misioni i shenjtë i opozitës” por e ndryshova që mos dukej si ekzagjerim. Por thelbi nuk ndryshon. Ky është një ligj që duhet rrëzuar patjetër dhe deputetët e opozitës janë të thirrur në barrikadën parlamentare.

Ata të mazhorancës janë dëshmuar disa herë si bagëti votuese, recidiviste e pa ndërgjegje; në plot raste përfshi edhe për Teatrin Kombëtar. Tek ata nuk ka shpresë!

Për fat Rama nuk e miraton dot ligjin pa 7 vota nga opozita (projekt/ligji me shumicë të cilësuar miratohet me 84 vota; deputetët e Ramës & Doshit janë 77 (74+3)). Sipas lajmeve dikushët pranë mazhorancës po vënë në lëvizje thasë me euro për të gjetur ato 7 vota.

Një pjesë e deputetëve opozitarë të kësaj legjislature kanë mëkatët e tyre pasi ndonjëherë i kanë dhënë votën qorrazi propozimeve problematike të Rama-Ballës. Por edhe drejtuesit e këtij fraksioni tashmë janë shprehur verbalisht kundër amnistisë. Lideri i opozitës ka detyrën e farkëtimit të konsensusit e të vullnetit për masa të rrepta që të shmanget shkarja edhe e një vote. Duke bërë të qartë pasojat personale për ata që mund të joshen; ku më e pakta është përjashtimi nga grupimi politik. Kjo detyrë është po aq e rëndësishme sa kandidati unik opozitar për bashkitë. Dhe mundësia është po ashtu unike. Sepse druaj që Presidenti i Republikës, ndryshe nga më parë, nuk do e kthejë “amnistinë” për rishqyrtim në Kuvend. Dhe shpresa tek Gjykata Kushtetuese është e vakët. Prandaj edhe motoja e dikurshme “me forcat tona!” merr sot një kuptim të ri.

*Genc Pollo, Ish ministër e deputet

(1) Në fakt prej disa vitesh quhet “country report” diçka që përkthehet jobukur si “raporti i vendit”. Prandaj vazhdoj t’i quaj me emrin e vjetër; edhe pse ai tingëllon ironik në kontekstin tonë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY