Gjetjet kyçe të raportit të BE: Shqipëria, njëfarë demokracie, nën nivelin mesatar

Gjetjet kyçe të raportit të BE: Shqipëria, njëfarë demokracie, nën nivelin mesatar

27
0
Shares

Zyra e Komisonit Evropian në Tiranë ka publikuar sot raportin e BE për Shqipërinë ndërsa është konstatuar regresi i vendit në shumë fusha.

Gjetjet kyçe:

Për sa u përket kritereve politike, në legjislaturën e re që erdhi si rezultat i zgjedhjeve të vitit 2021, të cilat u mbajtën pas marrëveshjes ndërpartiake të 5 qershorit 2020, anëtarët e zgjedhur nga partitë më të mëdha opozitare zunë vendet e tyre në kuvend. Kuvendi zgjodhi Presidentin e ri të Republikës. Konfliktet e brendshme brenda partisë më të madhe opozitare (PD), ndikuan në jetën parlamentare. Për reformat e orientuara drejt BE-së, parlamenti miratoi një zgjatje kushtetuese me afat të kufizuar të mandatit të organeve të vetingut dhe nëntë ligje që synojnë përafrimin me acquis të BE-së. Qeveria mbajti fokusin te reformat që lidhen me rrugën e vendit drejt BE-së dhe përforcoi strukturën e vet koordinuese për integrimin në BE, por duhet ta çojë më tej agjendën e reformave të BE-së, së bashku me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë. Krijimi i disa agjencive qeveritare pranë Kryeministrisë, pa një kuadër gjithëpërfshirës drejtues dhe pa një vëmendje sistematike ndaj linjave të mbikëqyrjes dhe raportimit, ngre pikëpyetje në lidhje me standardet e administratës publike. Mbetet për t’u miratuar një strategji e re decentralizimi përtej vitit 2022 dhe konsultimi në nivel vendor do të jetë thelbësor. Pavarësisht përmirësimeve në financime, u arrit përparim i kufizuar në zbatimin e udhërrëfyesit për krijimin e një mjedisi të favorshëm për shoqërinë civile.

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike. Ajo ka bërë përparim të kufizuar në forcimin e kapaciteteve të ministrive të linjës për të zbatuar vlerësimet e ndikimit rregullator dhe për të mbajtur konsultime publike. Ajo ka nisur përgatitjet për reformën e pagave dhe ka zgjeruar sistemin e automatizuar të listës së pagave. Zbatimi i reformës së administratës publike 2015-2022 dhe strategjive të reformës së menaxhimit të financave publike 2014-2022 ka vazhduar. Sistemet e TI-së për planifikim të integruar nuk janë ende plotësisht funksionale. Megjithatë, organet në varësi të ministrive (agjencive) kanë vazhduar të krijohen pa një kornizë gjithëpërfshirëse drejtuese, vëmendje sistematike ndaj mbikëqyrjes apo linja të qarta raportimi. Ato gjithashtu e përkeqësuan më tej çështjen e detyrave që i besoheshin personelit të punësuar sipas Kodit të Punës, në vend të nëpunësve civilë. Dispozitat për rekrutimin e bazuar në merita në ligjin e shërbimit civil mbeten për t’u zbatuar plotësisht, veçanërisht për pozicionet e nivelit të lartë. Numri i shërbimeve të ofruara online ka vazhduar të rritet, por kjo gjithashtu ngre pyetje në lidhje me qasjen e barabartë për qytetarët me aftësi të kufizuara digjitale.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka arritur një nivel mesatar përgatitjeje. Ka vazhduar reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke rezultuar me një progres të mirë në përgjithësi. Dy gjyqtarë të rinj u emëruan në Gjykatën Kushtetuese në mars dhe shtator 2022, duke përmirësuar më tej aftësinë e gjykatës për të ushtruar mandatin e saj. Progres pati edhe me Gjykatën e Lartë, e cila tani ka 15 gjyqtarë në detyrë, duke i mundësuar asaj të reduktojë numrin e çështjeve të pazgjidhura për herë të parë në gjashtë vjet, të nisë unifikimin e praktikës gjyqësore dhe të emërojë gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Priten emërime të mëtejshme në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, procedurat e gjata, shkalla e ulët e qasjes dhe numri i madh i çështjeve të mbetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor. Për të trajtuar këto probleme, pas konsultimeve u miratua një hartë e re gjyqësore. Kërkohen ende përpjekje për ta futur në fuqi, si dhe për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të çështjeve dhe sistemin e trajnimit për magjistratët.

Rivlerësimi i përkohshëm i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme. Nën kujdesin e Komisionit Evropian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar të mbikëqyrë procesin në mënyrë të pavarur. Deri më 12 shtator, institucionet e vetingut kishin përfunduar 554 çështje të shkallës së parë. Rreth 64% e dosjeve të vetingut të përpunuara deri tani kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje ose përfundimin e mandatit të magjistratëve të verifikuar. Institucionet e vetingut duhet të vazhdojnë të referojnë në organet e prokurorisë rastet kur ka indikacione për vepra penale.

Struktura e Specializuar kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e përbërë nga Prokuroria e Posaçme (PP) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), ka vazhduar punën e saj. Pas një rritje të buxhetit në vitin 2021, PP tani ka 17 prokurorë në detyrë, rekrutimi i tetë hetuesve financiarë është duke u zhvilluar dhe BKH arriti kapacitetin e vet të plotë operativ prej 60 hetuesish pas një raundi të dytë rekrutimi.

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Ajo ka vazhduar përpjekjet e saj për të ndërtuar historikun e hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe ka dhënë disa rezultate. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë. Megjithatë, vullneti më i madh politik, përpjekjet e mëtejshme të strukturuara dhe burimet dhe aftësitë e duhura mbeten të nevojshme. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha disa vendime të rëndësishme përfundimtare për zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë një ish-ministër të Brendshëm dhe një ish-prokuror të përgjithshëm. Edhe pse vetingu i anëtarëve të sistemit të drejtësisë është një proces administrativ, ai vazhdon të sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit brenda gjyqësorit. Në Ministrinë e Drejtësisë u krijua një Drejtori e re e Përgjithshme kundër Korrupsionit. Në përgjithësi, pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një fushë serioze shqetësimi. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit. Sektorët që janë më të rrezikuar nga korrupsioni kërkojnë vlerësim të synuar të rrezikut dhe masa të dedikuara.

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo ka bërë njëfarë progresi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar. Bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me Shtetet Anëtare të BE-së, Europol-in dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme. Shqipëria ka vazhduar të tregojë angazhim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Progres i mirë është arritur në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar. Kjo përpjekje duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Përpjekjet gjithashtu duhet të vazhdojnë për të siguruar rritje të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivelet e larta. Lufta kundër krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave mbeten fusha në të cilat nevojiten më shumë rezultate. Fenomeni i abuzimit seksual të fëmijëve në internet mbetet shqetësues. Vendi ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme në zbatimin e Planit të Veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF) për të përmirësuar efektivitetin në fushën kundër pastrimit të parave, por Shqipëria mbeti në listën e juridiksioneve nën monitorim të shtuar. Hetimet financiare duhet të shoqërojnë në mënyrë sistematike procedurat penale. Shqipëria miratoi një strategji dhe plan veprimi të ri kombëtar ndërsektorial kundër terrorizmit në dhjetor 2020.

Për të drejtat themelore, Shqipëria zbaton në përgjithësi instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave themelore. Është bërë njëfarë progresi në përdorimin e alternativave ndaj paraburgimit dhe, veçanërisht, në zhvillimin e shërbimit të provës, i cili mbetet plotësisht funksional, duke përfshirë edhe për të miturit. Shqipëria ka miratuar një plan të ri veprimi për lezbiket, homoseksualët, biseksualët, transgjinorët, personat interseks dhe queer (LGBTIQ), i cili përfshin masa për të luftuar diskriminimin, përmirësimin e qasjes në shërbime, si dhe ka miratuar ligjin për njohjen ligjore gjinore dhe një plan kombëtar veprimi për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje të romëve dhe egjiptianëve. Nevojiten përpjekje të shtuara për të konsoliduar të drejtat pronësore përmes regjistrimit dhe digjitalizimit të të dhënave kadastrale dhe sektori mbetet i prirur ndaj korrupsionit, ndërkohë që procesi i kompensimit ka ngecur. Për mbrojtjen e pakicave kombëtare, Shqipëria ka miratuar një legjislacion të ri zbatues që krijon një fond për projektet e shoqërisë civile në mbështetje të të drejtave të pakicave. Megjithatë, miratimi i legjislacionit të mbetur zbatues, duke përfshirë lirinë për t’u vetëidentifikuar si anëtar i një pakice kombëtare dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave, është ende në pritje. Përgatitjet për regjistrimin e shumëpritur të popullsisë dhe banesave vazhduan, duke përfshirë regjistrimet pilot në zonat e popullsisë pakicë, megjithatë regjistrimi u shty për në vitin 2023. Duhet të ndërmerren masa të mëtejshme për të forcuar mbrojtjen e të dhënave dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje/është mesatarisht e përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes. Nuk është bërë progres në periudhën raportuese. Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vazhdoi të pengonte pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë. Dezinformatat, duke përfshirë fushatat e shpifjeve, janë të përsëritura, veçanërisht në mediet online, vetërregullimi i të cilave duhet të sigurohet. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar. Çdo ndryshim në Ligjin për Median duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe duhet të dorëzohet për konsultim me organizatat e medias. Mbetet e rëndësishme të sigurohet që media të ketë qasje të drejtpërdrejtë dhe transparente në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre. Performanca rregullatore e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) duhet të përmirësohet dhe pavarësia dhe burimet e transmetuesit publik duhet të forcohen.

Shqipëria ka miratuar një strategji kombëtare të re dhe me buxhet më të mirë për barazinë gjinore dhe vazhdon përpjekjet e saj për të siguruar financimin e duhur shtetëror për zbatimin në nivel qendror dhe vendor. Nevojiten përpjekje për të siguruar që të gjitha strategjitë kombëtare në nivel qendror dhe vendor të jenë të integruara nga ana gjinore dhe ta shpenzojnë buxhetin në mënyra që marrin parasysh gjininë. Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet ta ndalë zhvillimin e skemës së nënshtetësisë për investitorët (pasaportat e arta), pasi do të përbënte rrezik për sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar, si dhe do të ishte e papajtueshme me acquis të BE-së.

Sa i përket migracionit, kuadri ligjor për migracionin është kryesisht i përafruar me acquis të BE-së, por ka nevojë për përditësim, si dhe duhet të sigurojë një kornizë të qartë për menaxhimin dhe koordinimin e migracionit. Numri i migrantëve të parregullt të kapur në Shqipëri në vitin 2021 është ulur me rreth 15% krahasuar me vitin 2020. Nuk është bërë përparim në referimet në procedurën e azilit dhe zbatimin e procedurave të kthimit në përputhje me kuadrin ligjor. Politika e Shqipërisë për vizat duhet të përafrohet me atë të BE-së.

Numri i shtetasve shqiptarë që paraqesin kërkesa për azil në Shtetet Anëtare të BE-së mbetet më i ulët se kulmi i vitit 2015, por është rritur ndjeshëm në verën e vitit 2021, dhe për këtë arsye kërkon ende përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Dialogu dhe bashkëpunimi me vendet më të prekura ka vazhduar, përveç kontrolleve të hollësishme kufitare dhe ndërgjegjësimit për të drejtat dhe detyrimet në kuadër të regjimit pa viza. Shqipëria duhet të vazhdojë të trajtojë fenomenin e të miturve të pashoqëruar. Komisioni po e monitoron nga afër trendin në kuadër të mekanizmit monitorues pas liberalizimit të vizave.

kriteret ekonomike, Shqipëria ka bërë progres të mirë dhe është mesatarisht e përgatitur për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Ndikimi i pandemisë COVID-19 në ekonomi, deficiti buxhetor dhe raporti i borxhit publik ishin më të ulëta se sa pritej, por lufta e Rusisë kundër Ukrainës shkaktoi rritje çmimesh dhe ulje të tregtisë. Hapësira fiskale mbetet e kufizuar. Reformat në lidhje me të ardhurat përparuan, por shpenzimet për investime mbeten të dobëta. Rishikimet e shpeshta të buxhetit dobësojnë besueshmërinë fiskale. Inflacioni u rrit mbi objektivin. Rritja e digjitalizimit të shërbimeve publike, përfshirja financiare dhe inspektimet e punës përfituan nga mjedisi i biznesit dhe formalizimi i ekonomisë, por ekonomia joformale mbetet domethënëse. Konsultimi publik mbetet i dobët. Shqipëria ka bërë disa përparime dhe ka njëfarë niveli përgatitjeje për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. Infrastruktura e energjisë dhe transportit, digjitalizimi dhe arsimi u përmirësuan, por njohuritë sipërmarrëse dhe teknologjike mbeten të ulëta, me nevoja të paplotësuara për investime në kapitalin njerëzor dhe fizik, boshllëqe në aftësim dhe arsim, si dhe shpenzime të ulëta për kërkim dhe zhvillim. Diversifikimi i ulët i eksporteve rrit ndjeshmërinë ndaj goditjeve të jashtme. Integrimi rajonal dhe eksportet u rritën por mbetën nën potencial.

Për sa i përket prokurimit publik, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur, vendi ka bërë përparim të mirë, veçanërisht duke miratuar legjislacionin e mëtejshëm zbatues dhe duke krijuar një sistem elektronik të ankesave. Për sa i përket statistikave, Shqipëria është gjithashtu mesatarisht e përgatitur, ka bërë përparim të kufizuar në përafrimin me standardet ESA 2010, publikim dhe transmetim më të shpejtë në Eurostat, por ligji i Regjistrimit të Popullsisë është shtyrë për më vonë. Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në shumicën e fushave për kontrollin financiar, ku vendi ka bërë njëfarë përparimi, veçanërisht në kontrollin e brendshëm financiar publik dhe auditimin e brendshëm.

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në shumicën e fushave të tregut të brendshëm, përkatësisht lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, ligjin e shoqërive tregtare dhe politikën e konkurrencës. E njëjta gjë vlen edhe për shërbimet financiare dhe për ligjin e pronësisë intelektuale, të dy kapitujt ku vendi ka bërë progres të mirë falë reduktimit të kredive me probleme dhe miratimit të legjislacionit për të drejtën e autorit dhe për të drejtat e pronësisë industriale. Shqipëria ka bërë progres me miratimin e një ligji të ri për të huajt si dhe duke përmbushur disa nga rekomandimet e raportit Moneyval. Megjithatë, në fushën e politikës së konkurrencës, autoriteti i ndihmës shtetërore duhet të bëhet i pavarur dhe me burime të mjaftueshme. Përgatitjet për mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, ku vendi ka bërë përparim të kufizuar, janë në një fazë të hershme.

Shqipëria ka arritur një nivel të moderuar përgatitjeje në shumë fusha që lidhen me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, përkatësisht transformimin digjital dhe median, taksat, politikën ekonomike dhe monetare, politikën e sipërmarrjeve dhe atë industriale, arsimin dhe kulturën. E njëjta gjë vlen edhe për bashkimin doganor, ku zbatohen rregullat e origjinës së zonës pan-Euro-Mesdhetare dhe organet e përfshira në luftën kundër kontrabandës dhe mallrave të falsifikuara janë forcuar dhe bashkëpunojnë më mirë. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe luftën kundër pastrimit të parave. Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në politikat sociale dhe punësim, si dhe në kërkim dhe inovacion. Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi në arsim, veçanërisht me miratimin e Strategjisë së re Kombëtare për Arsimin dhe Planit të Veprimit 2021-2026, por progresi ka qenë i kufizuar në politikën ekonomike dhe monetare.

Për sa i përket Agjendës së Gjelbër dhe lidhjes së qëndrueshme, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për energjinë, mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Ajo ka njëfarë niveli përgatitjeje në fushat e politikës së transportit dhe të rrjeteve trans-evropiane dhe është arritur njëfarë progresi në zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë. Ajo ka bërë përparim në mbrojtjen civile dhe është e gatshme t’i bashkohet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Unionit. Vendi ka bërë përparim të kufizuar në fushat e tjera të mbuluara nga ky grupim dhe përpjekjet e vazhdueshme për të trajtuar çështjet me Kontrollin Shtetëror të Flamurit të anijeve dhe për të harmonizuar legjislacionin duhet të vazhdojnë. Është bërë përparim i kufizuar në përafrimin e mëtejshëm me acquis të BE-së për menaxhimin e ujit, kimikatet dhe krimin mjedisor. Ndikimi i investimeve strategjike në biodiversitet dhe mbrojtjen e natyrës kërkon vëmendje. Ky grupim dhe reformat përkatëse kanë lidhje të rëndësishme me Programin e Reformës Ekonomike të Shqipërisë, Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Shqipëria në dhjetor 2020.

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në shumicën e fushave të lidhura me burimet, bujqësinë dhe kohezionin, përkatësisht bujqësinë dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare, peshkimin, si dhe dispozitat financiare dhe buxhetore. Ajo është mesatarisht e përgatitur për sa i përket politikës rajonale dhe koordinimit të instrumenteve strukturore. Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi në bujqësi dhe zhvillim rural, veçanërisht me krijimin e një regjistri fermash dhe kapacitete më të mira administrative për zhvillimin rural. Progres i mirë u vu re në peshkim, me funksionalizimin e vazhdueshëm të Sistemit të Monitorimit të Anijeve (VMS) dhe shpërndarjen e burimeve njerëzore për të monitoruar dhe raportuar mbi aktivitetet e anijeve të peshkimit. Shqipëria si palë kontraktuese e Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (GFCM) po zbaton plotësisht rekomandimet për përpjekjet e peshkimit. Është bërë njëfarë progresi në dispozitat financiare dhe buxhetore. Megjithatë, progresi ishte i kufizuar në sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare, në politikën rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore. Në këtë drejtim, koordinimi ndërinstitucional për ndihmën e para-anëtarësimit ka nevojë për përmirësim, si dhe duhet të trajtohen çështjet që lidhen me planifikimin strategjik, zbatimin dhe kapacitetin monitorues të projekteve të infrastrukturës në kuadër të Planit Ekonomik dhe të Investimeve.

Shqipëria ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje për sa i përket marrëdhënieve të jashtme, sigurisë së jashtme dhe mbrojtjes. Në kapitullin e negociatave për marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria bëri njëfarë progresi duke vazhduar përafrimin e legjislacionit në fushën e mallrave me përdorim të dyfishtë dhe zbatimin e protokolleve shtesë të CEFTA-s. Për sa i përket Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Shqipëria mbajti përputhje të plotë me të gjitha vendimet dhe deklaratat përkatëse të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Si një anëtare jo e përhershme që nga janari 2022, Shqipëria është angazhuar në mënyrë aktive në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për promovimin dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. r.p

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY