Policia e Sarandës ka marrë informacion se në një farmaci, në qytetin e Sarandës, tregtoheshin medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, nga dy shtetas, të cilët mbanin dhe në banesën e tyre medikamente të llojeve të ndryshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor koduar “Storage”.
Operacioni nisi në lagjen nr. 1, Sarandë, ku shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasve K. A. dhe A. A. (bashkëshortë), gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së këtyre dy shtetasve, të cilët janë munduar që t’i orientojnë shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e bashkëshortëve, ku kanë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve në kuadër të operacionit “Storage”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– K. A., 64 vjeç dhe A. A., 62 vjeçe, të dy banues në Sarandë.
Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.
Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po zhvillon hetime të thelluara për të zbardhur, dokumentuar me prova ligjore dhe për të vënë përara përgjegjësisë penale persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/