Qeveria ka vendosur detyrimin për prodhuesit e energjisë nga subjekte private që të shesin energjinë tek shteti, përmes një vendimi të qeverisë të marrë sot.
Vendimi e kthen raportin me prodhuesit privatë në pozicionin që ata kishin para vitit 2014 kur qeveria e blinte këtë energji me një marrëveshje afatgjatë në cmim që mund të ishte përfituese për qeverinë në raste krizash.
Detyrimi për shitje energjie shtetit do të vijojë deri në qershor 2023.
Me këtë vendim, vendi prodhon vetë deri në 80-90 % të nevojave të tregut, duke e bërë të panevojshme blerjen masive të energjisë me çmime të larta, paai çmimi në tregun e brendshëm caktohet nga ERE.
Pjesë nga vendimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “ç”, e 5, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin të Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1.Vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a. Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.”.
2. Në pikën 5, fjalët “… 31 dhjetor 2022.” zëvendësohen me “… 30 qershor 2023.”.




