Vendoset sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 3.5 milionë euro, që dyshohet se rrjedhin nga veprimtaritë kriminale të një 46-vjeçari.
Nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore të kryer për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme si rrjedhojë e veprimtarive kriminale, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Fasada”.
Si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, e cila bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimeve të kryera nga Policia dhe Prokuroria, ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasit A. T., 46 vjeç, banues në Elbasan.
Shtetasi A. T. është autor i dyshuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarive kriminale”, pasi më parë ka qënë i arrestuar në Itali, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në rrethana rënduese.
Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme, me vlerë rreth 3.5 milionë euro. Konkretisht janë sekuestruar: një ndërtesë trekatëshe, një ndërtesë dykatëshe, 3 apartamente, disa automjete të llojeve të ndryshme, 4 sipërfaqe ndërtimi dhe një aktivitet tregtar (biznes) me objekt prodhimin e betonit.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/