Infiltrime të agjenturës ruse alarmojnë shërbimet sekrete dhe të antiterrorit në Shqipëri

Infiltrime të agjenturës ruse alarmojnë shërbimet sekrete dhe të antiterrorit në Shqipëri

60
0
Shares

Ngq Anila Hoxha

Hyrjet e shtetasve rusë në Shqipëri për turizëm, raportohet të jenë dyfishuar në krahasim me 2015-n, gjë që konsiderohet pozitive nga sipërmarrësit vendas. Por shërbimet inteligjente dhe ato të antiterrorit prej kohësh janë në alarm për veprimtari të dyshimta të disa shtetasve rusë, hyrja e të cilëve ngjan të mos jetë rastësore apo për turizëm. Ndërkohë me nisjen e agresionit në Ukrainë, Shqipëria, duke iu bashkuar shteteve që morën masa shtrënguese ndaj Rusisë, raporton sanksione ndaj 52 subjekteve dhe 654 individëve. Aktualisht janë 130 shtetas rusë me leje qëndrimi në Shqipëri, ndërsa vërehet një interes i shtuar investimi në fushën e pasurive të patundshme sidomos në bregdet.

Në kohën kur Shqipëria u kthye në fushën më të madhe të stërvitjes ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e pagëzuar “Defender Europe 2021”, agjencitë ligjzbatuese po alarmoheshin për veprimtari spiunazhi. Me sytë e vëzhgimit mbi çdo aktivitet të dyshimtë, antiterrori referoi hyrje të dyshimta në Shqipëri, në një material sekret që mban datën 21 maj 2021, që e disponon tashmë edhe Faktoje.

“Bëhet fjalë për disa shtetas të huaj me disa aktivitete të dyshimta gjatë kohës që po zhvillohet stërvitja ushtarake e NATO-s ‘Defender- 21’ në të cilën merr pjesë edhe ushtria jonë”.

 

Ajo që përshkruhet me garanci, nga autoritetet që gjendeshin në alarm, referohet në një shkresë ku agjencitë shkëmbejnë në vazhdimësi informacion rreth aktivitetit të dyshuar kriminal të shtetasve të huaj, me banim të përkohshëm dhe atyre që hynin si turistë.

Ishte verë dhe për më tepër kohë covidi, megjthatë nuk mungonin ftesat promovuese nga institucionet, të cilat as gjatë pandemisë nuk e frenuan joshjen me brigjet shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, në 2021 hynë në Shqipëri 36.475 shtetas rusë. Golemi ishte edhe gjatë kësaj vere vendi i preferuar, ashtu si Saranda dhe Vlora.

Artur Pasha i cili administron një bar në Golem, betohet se ka mësuar paksa rusisht nga pushuesit rusë që kanë frekuentuar lokalin e tij. Por 53 vjeçari thotë për Faktoje se nuk ka konstatuar që në këtë zonë të ketë blerje apartamentesh nga rusët.

“Mund të ketë përmes personave të tretë, por nuk e them dot me garanci, se gjatë shtatë viteve të fundit kam vërejtur fluks të shtuar, me përjashtim të 2020-s kur bota u kufizua nga covidi dhe turizmi ra ndjeshëm.”- thotë Pasha.

Por Golemi u shënjua vjeshtën e 2021-t edhe si vendi ku zbarkuan agjenci të shumta hetimore pas vdekjes misterioze të katër turistëve nga Moska me lidhje familjare me njëri-tjetrin, Sergey Burenkov, Natalia Burenkov, Ekaterina dhe Nikita Belousov. Megjithë dyshimet e vazhdueshme ngjarja, ende nuk është zbardhur plotësisht nga prokuroria e Kavajës e cila vijon hetimet për akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, ndërsa janë kryer ekspertimente hetimore pas dyshimeve se ata mund të ishin asfiksuar nga klori.

Agjentë dhe turistë

Ndërsa turistët rusë janë mes më të preferuarve për biznesin, disa janë të dyshimtë dhe siç rezulton, shërbimet e inteligjencës kanë interes të shtuar për t’i vëzhguar.

Dy prej janë edhe shtetasit rusë, Georgi Budanov dhe Vladimir Cherkasov. Në shkresat e vendosura në dispozicion për Faktoje, argumentohet përse u ndez alarmi i kuq gjatë një stërvitjeje ushtarake.

“Sipas informacioneve që disponon drejtoria e antiterrorit ka rezultuar se një diplomat i ambasadës ruse në Shqipëri, i cili ka vizituar portin e Durrësit, është prezantuar si atashe’ tregtar në ambasadën e Ukrainës në Tiranë, duke u interesuar mbi shkëmbimet tregtare ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë, në veçanti për hidrokarburet. Dyshohet që ai ka fshehur se është funksionar i ambasadës ruse, me qëllim që të mos ngjallte dyshime tek personat që ka takuar dhe ta kishte më të lehtë sigurimin e informacionit mbi trupat dhe mjetet ushtarake që do të zbarkonin në portin e Durrësit në kuadër të stërvitjes ushtarake” – thuhet në shkresën sekrete të antiterrorit shqiptar.

Këto shkresa ilustrojnë se rusi i parë i dyshuar kaloi kufirin shqiptar në Qafë Thanë, në datën 11 mars 2021. Ai quhet Georgi Budanov dhe hyri në Shqipëri me një automjet. Budanov ngjalli dyshime jo për shkak të shtetësisë, por lëvizjeve pranë zonave ushtarake.

Dokumenti sekret thekson:

“Ky shtetas u vu re në zonën e Orikumit në Vlorë me preteksin se kërkonte vend të përshtatshëm për të investuar në ndërtimin e një resorti me shtëpi alpine. Budanov është parë duke lëvizur në këmbë nga Orikumi në malin e Karaburunit deri pas bazës ushtarake të Pashalimanit”.

Raportimet e agjentëve të antiterrorit e bindin drejtorinë rajonale të kufirit dhe emigracionit Vlorë që ta thërrasë për intervistim personin në fjalë. Zyrtarisht thuhet për Faktoje se përballja e rusit me autoritetet rajonale ndodhi në datën 1 maj 2021.

Ai ka shprehur planet e tij për investime në Shqipëri. Pas intervistimit zyra rajonale i ka komunikuar shtetasit Budanov urdhërin administrativ të largimit, me numër 617 datë 1 maj 2021 me motivacionin se nuk i plotëson kushtet e qëndrimit, referuar nenit 109/a të Ligjit për të Huajt dhe duhet të largohet nga territori shqiptar brenda 7 ditëve, nga pika e kalimit kufitar Muriqan ose Qafë Thanë. Në sistemin Tims zyrtarisht rezulton se Budanov u largua nëntë ditë pas këtij vendimi, më datë 10 maj 2021.

Neni 109

  1. Masat e përkohshme ndërmerren nga autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin për të përgatitur apo siguruar zbatimin e një urdhri për dëbimin e të huajit nga territori ose për të mbikëqyrur largimin e tij.

Rusi tjetër, i quajtur Vladimir Cherkasov, kapërceu kufirin e Muriqanit për të hyrë në Shqipëri, dy ditë pas dëbimit të Budanov. Ai ka hyrë në Shqipëri me furgon tip kamper me targa çeke.

Shkresa sekrete që disponon Faktoje tregon se në komunikimin e parë me kontrollorin e pikës së kalimit në Muriqan, ai ka deklaruar se vjen për turizëm në qytetin e Durrësit. Pas kontrollit të radhës në vijën e parë ka rezultuar se ky shtetas kishte në furgon një dron për të cilin është shprehur se e ka blerë me dokumentacion të rregullt dhe e ka për të bërë turizëm në bregdet, siç theksojnë në procesverbal oficerët e policisë kufitare. Teksa policia kufitare e paralajmëroi se ai nuk mundet të hyjë në territorin shqiptar me dron, ai e dorëzon dronin pranë policisë malazeze.

I njëjti shetats, e ka vizituar Shqipërinë edhe në datën 17 maj 2021 dhe është larguar brenda ditës, siç referojnë agjentët e antiterrorit që kërkojnë hetime.

Në fakt gjatë majit 2021, strukturat shtetërore ishin në gatishmëri për shkak të stërvitjes ushtarake dhe gjatë vëzhgimit kishin zbuluar që në fillim udhëtimin e dyshimtë edhe të pesë shtetasve çekë, që pasi morën me qira një kamionçinë në kryeqytet, u gjurmuan nga GPS  teksa për shtatë minuta ata ndaluan në rrugën nacionale Berat – Ura Vajgurore,  pikërisht aty ku ndodhej baza ushtarake. “Më pas lëvizja e tyre ka vazhduar në drejtim të Kuçovës në anë të së cilës vazhdon të jetë këndi kufizues i bazës ushtarake, për të vijuar udhëtimin në Lushnjë, Fier, Tepelenë, Përmet dhe Bënjë”- raportojnë oficerët e hetimit. Të çuditshme ishin parë edhe lëvizjet e Cherkasov në qytetin bregdetar tw Vlorës, që ishte rastësisht zona ku ushtarët e “Defender” kishin zbarkuar. Por asnjëra prej këtyre lëvizjeve nuk doli në sipërfaqe për shkaqet e vërteta se cfarë po ndodhte mbas perdes, ashtu siç më herët shkelja e rregullave të pandemisë u deklarua si argument për një dëbim në nivel diplomatik të një zyrtari rus.

Ministria e Jashtme njoftoi dëbimin dhe caktimin e afatit 72 orësh për Alexey Krivosheev. Në njoftimin zyrtar, datë 21 janar 2021 të kësaj ministrie u tha se individë të caktuar me status diplomatik shkelën masat anticovid.

Që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, Qeveria Shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masava të marra nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë.

Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mikhail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati. MEPJ ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten.

Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mirë të të dyja palëve për mospërsëritjen e shkeljeve.

Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej.

Me keqardhje, Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin të shpallë “Person NON Grata” (person të padëshirueshëm), diplomatin Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar.

Urojmë që ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për të gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, si një masë e dosmosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë ose jo.

Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.” – deklaroiMinistria për Evropën dhe Punët e Jashtme”.

Pa kaluar shumë kohë, kjo u pa si një provokim i marrdhënieve ndërkombëtare, jo vetëm në raportimet mediatike ruse, por edhe të zyrtarëve të Federatës Ruse.

Kjo rezutoi se po ndodhte disa muaj para zhvillimit të stërvitjes së përbashkët në Shqipëri “Defender Europe 2021”.

Por Shqipëria ishte për rusët e tjerë një destinacion i preferuar turistik, ashtu si edhe ukrainasit që ishin një trend sa kohë vetëm për 2021 u rregjistruan 110 205 shtetas ukrainas, që hynë në Shqipëri.

Zyrtarisht për vitin 2015 thuhet se hynë në Shqipëri 16.192 rusë, në 2016 – 15.367 shtetas rusë; në 2017- 17.160 shtetas rusë ; 2018- 24.915 shtetas rusë; 2019 – 34.146 shtetas rusë ; 2020- 4.590 shtetas rusë dhe 2021 – 36.475 shtetas rusë.

Por Zak Topuzi, që kryeson Shoqatën e Turizmit parashikon një situatë të ngrirë për sezonin e verës 2022 që sipas tij është ndikuar nga lufta në Ukrainë.

“Shqipëria ka një treg rusishtfolës prej 100-120 mijë turistësh që përbëjnë rreth 2,5% të numrit të përgjithshëm të turistëve. Ata kanë një rëndësi për kolorin që i japin vendit, për të plotësuar turizmin. Janë turistë pa pretendime. Ky kontingjent do t’i mungojë turizmit të vendit për 2022. Kontratat e lidhura për vitin 2022 kanë qenë rreth 30% më të larta në numër duke pritur një konsolidim gradual të industrisë, por konflikti në Ukrainë ka lëkundur disi situatën. Partnerët ndërkombëtarë kanë vijuar edhe këto kohë të shesin paketat shqiptare dhe deri tani, nuk ka patur tërheqje të ndonjë grupi, përveç atyre që janë në zemër të konfliktit, ukrainasit, këtu do përfshija dhe polakët”

Dhoma e tregëtisë raporton se sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit deri në nëntor 2020 rezultojnë të regjistruara në Shqipëri 41 biznese ruse.

“Ato janë të vendosura kryesisht në rajonin e Tiranës dhe Durrësit dhe operojnë në fushën e tregtisë, ndërtimit dhe kërkimit, prodhimit, nxjerrjes së përpunimit të naftës; në sektorin e turizmit dhe shërbimeve; në import – eksport dhe makineri pajisjesh. Disa prej këtyre bizneseve janë me kapital të përbashkët, ndërkohë që vlera e kapitalit në këto biznese është shumë e ulët” – thotë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë.

Paketës shtrënguese të Bashkimit Europian ndaj Rusisë pas sulmit në Ukrainë iu bashkua edhe Shqipëria, duke deklaruar sanksione në financë, ekonomi dhe transport konkretisht ndaj 52 subjekteve dhe 654 individëve. Njoftimi u dha publikisht nga ministrja Olta Xhaçka me paralajmërimin se Shqipëria do të vazhdojë të bashkohet me çdo nismë e masë të aleatëve dhe partnerëve të saj, duke e cilësuar këtë si një detyrim që çdo vend demokratik ka sot ndaj Ukrainës dhe jo vetëm.

Olena Mykhaylenko Zoto me shtetësi ukrainase, shërben në departamentin e gjuhëve sllavo – ballkanike si profesoreshë e rusishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë.  Profesoresha e njohur tregon se është ndjerë e mikpritur në Shqipëri ku krijoi familje dhe nuk ndjen asnjë paragjykim. “Jam e martuar me dy fëmijë. Kam bërë një jetë shumë të qetë. Sigurisht që jeta ime u bë akoma më e bukur në momentin që u bëra pedagoge në universitet. Kolegët më kanë pritur shumë mirë, studentët akoma dhe më mirë. Një moment i vështirë mund të them se ka qenë për të mësuar gjuhën shqipe, por absolutisht me kohën e kam mësuar dhe familja më ka mbështetur shumë. Tani në Shqipëri ndihem shumë mirë, sepse kam jo vetëm familjen, por dhe miq si nga Shqiperia, po ashtu dhe shumë nga Ukraina dhe Rusia. Shqiptarët më mbështesin shumë, sepse ata më njohin mua, njohin familjen time dhe kam qenë gjithmonë e mikpritur” – shprehet për “FAKTOJE” znj.  Zoto.

Nga të dhënat zyrtare të policisë Kufitare rezulton se në Shqipëri janë me leje qëndrimi 130 shtetas rusë. Aty nuk llogariten turistët.  Por nga kërkimet e Faktoje rezulton se përveç tyre, të tjerë kanë zgjedhur qytetin e Vlorës dhe Sarandën për të investuar në prona të patundshme kryesisht apartamente pushimi. Por kjo e dhënë përmendet vetëm jo zyrtarisht, pasi as agjencitë e shit-blerjeve të pasurive të patundshme nuk pranuan të komentojnë. Faktoje.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY