Genc Pollo: Gabuam që nuk ndalëm padobishmërinë e Bashës, vendimi për Berishën...

Genc Pollo: Gabuam që nuk ndalëm padobishmërinë e Bashës, vendimi për Berishën joproporcional

78
0
Shares

Themeluesi i Partisë Demokratike, ish-ministri dhe ish-deputeti Genc Pollo në Intervistën me Merita Hakjan në A2 CNN thotë se në përçarjen brenda Partisë Demokratike, palët do të mund të përballen edhe në Gjykatë. Sipas Genc Pollos, nuk ka argumente për debat kundër Kuvendit të 11 dhjetorit, as në rrafshin gjyqësor.

“Ajo që di unë është që dokumentacioni i Kuvendit Kombëtar është më se i legalizuar,  kështu që vendimet e tij nuk shoh pse duhet të refuzohen, qoftë edhe në Gjykatë”, thotë ai për A2 CNN.
Sipas tij “Foltorja” ishte një çlirim për Partinë Demokratike. “Pa një PD të çliruar nuk kemi një opozitë që ta luaj rolin e vet. Mos të kemi iluzione për marrjen e pushtetit me një rrugë ose tjetër, ajo do të dojë kohën e vet, por njerëzit janë më me shprese dhe besim. Kur të vij koha sesi do të jetë prezantimi i partisë, besoj se secili do të reflektojë, por kemi sfida elektorale dhe ka kohë për të gjetur prezantimin e duhur të opozitës në zgjedhje”, shton Pollo.

Mund të jetë vetë Berisha? Sipas tij, “janë dy fitore, për të marrë kreun e partisë dhe kreun e qeverisë. Kushdo që do kandidojë për të parën mund të marrë një sasi votash, të madh ose të vogël, por hamendja është që Berisha fiton, sepse i shohim gjerat.  Për sa i përket pjesës së prezantimit në sfidat elektorale, do kemi kohë të mendojmë se cilat janë mënyrat për të qenë fitimtar”.

Pollo ka renditur dy gabimet e Lulzim Bashës pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit. Në këndvështrimin e tij, Pollo thekson se pas 8 vitesh në opozitë dhe humbjesh të vazhdueshme Basha nuk mund të sjellë PD në pushtet pas 12 vjetësh të tjera në opozitë me të njëjtin kundërshtar politik.

“Dy janë gabimet ose problemet e para personi dhe përgjegjësia individuale. Basha pas 8 vitesh në opozitë dhe humbjesh të njëpasnjëshme në zgjedhjet parlamentare pas 8 vjetësh duhet të kishte dhënë dorëheqjen. I njëjti kandidat për 8 vite opozitë nuk mund të qëndrojë 12 vjet në opozitë dhe të pretendosh të vish në pushtet. Si mund të  pretendosh me të njëjtin kundërshtar që të ka mundur vazhdimisht. Nëse Basha do kishte dhënë dorëheqjen, e njëjta figurë nuk mund të udhëheqë partinë dhe në këtë rast do të hapej gara dhe do të kishim udhëheqës të ri në krye të PD do kishte shpresë e besim dhe do të mund të bëhej një opozitë e fortë dhe do të kishim shanse të kalonim në mazhorancë. Kjo nuk ndodhi dhe ky është gabimi i parë. Nëse Basha do kishte ndërgjegjen e duhur qytetare-politike PD nuk do të kishte pasur këto tollovi. I dyti moment ka qenë votimi për kryetarin që u caktua me nxitim dhe aty përgjegjësi mbajnë të gjithë që nuk kundërshtuam vazhdimësinë e padobishme. Ata që nuk dhanë mundësinë e një projekti të ri. Kam kontaktuar me shumë demokratë në çdo nivel dhe thonë pse nuk foli doktori, por flet tani”.

Antiamerikanizmi ka qenë një nga akuzat më të shpeshta të drejtuara ndaj  ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe Genc Pollo mendon se kjo duhet analizuar në kpntekstin e gjithë tranzicionit shqiptar.

“Për t’u kuptuar duhet parë në kontekstin historik. Fatos Nano akuzoi ambasadorin e kohës si pirat me thikë në gojë për burgosjen e tij. Katër vjet më vonë, Nano ishte kryeministër dhe nuk është se i kishte të këqija marrëdhëniet me amerikanët. Rama, në opozitë ndaj qeverisë Berisha,  u pa të përmbante një celulë antiamerikane, por Rama pas 3 vjetësh dhe më të njëjtin ambasador nuk e kishte keq.  Berisha ka patur marrëdhënie me ulje e ngritje me SHBA në përudhën 97-2005, por si kryeministër ai marrëdhëniet i ka patur shumë të mira, të kulmuara  me vizitën e parë të një presidenti amerikan, gjë që nuk ka ndodhur më. Kështu që duhen parë gjerat pa komplekse”, thotë ai në ”Intervistë” me Merita Haklaj.

Sa për vetë vendimin “non grata” të Departamentit të Shtetit, ai mendon se është “jo proporcional dhe jo i argumentuar, diçka nuk i shërben demokracisë shqiptare, i vështirë për t’u shpjeguar”.

Sipas tij, BE ka një qasje ndryshe. “BE nuk do të ketë të bëj me këtë gjë, se nuk kupton çfarë po bëjnë amerikanët. Madje përzierjen shumë të madhe të ndonjë diplomati në punët e PD-së e ka marrë më shqetësim , me sa di unë”, shton Pollo që thotë se edhe vizita e fundit e ambasadorëve të SHBA dhe vendeve kryesore të BE-së në selinë e PD u përdor në mënyrë të shtrembëruar nga Basha.

“Basha i ftoi për të shpjeguar situatën, me ftesën e tij, ata nuk erdhën me kërkesën e tyre, mbajtën shënim dhe ikën. BE monitoron situatën por kushdo do të jetë lider i demokratëve, qoftë Berisha, nuk është punë  e tyre, do të bashkëpunojnë me të.

Në vijim Pollo rreshtoi arsyet se pse do të jetë në protestën kundër Ballkanit të Hapur, kur samiti i kësaj nisme të mbahet në Tiranë.

“Kundërshtimi që i është bërë Ballkanit të Hapur ka qenë një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në këto dy vite e gjysmë që ekziston kjo nismë e Novi Sadit. Ballkani i Hapur është nismë e dëmshme për Shqipërinë sepse nëse realizohet hapja e tregut në atë mënyrë, Shqipëria ekonomikisht del e humbur; nga pikëpamja gjeostrategjike, rrezikon ta orientojë Ballkanin Perëndimor drejt fuqive jo miqësore me Evropën dhe Perëndimin; dhe e treta, Kosova po ndëshkohet nga mënyra se si e ka trajtuar qeveria Rama. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Tirana të rreshtohet në një bosht armiqësor me Kosovën. Prandaj unë do të jem në protestën kundër mini Shengenit”, shpjegoi Pollo. a2cnn & r.p

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY