Bllokohen punimet, nuk ecën ndërtimi i Rrugës së Arbrit

Bllokohen punimet, nuk ecën ndërtimi i Rrugës së Arbrit

117
0
Shares

Nga Gjergj Erebara

Pezullimi i punimeve në tunelin e Murrizit në projektin e Rrugës së Arbrit duket se ka sjellë vonesa në investime dhe mosrealizime në punime, sipas programit të parashikuar në projektin e kushtueshëm koncesionar, për të cilin, kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, janë mburrur me shumicë në fillim të punimeve. Sipas një raporti të Ministrisë së Financave, ndryshe nga tejkalimet në investime në vitin 2018, kompania koncesionare nuk ka realizuar investimet sipas planit në vitet 2019 dhe në vitet 2020, duke mbetur pas kalendarit të përgjithshëm të punimeve që parashikojnë hapjen e rrugës për përdorim në prill të vitit 2020.

Projekti që pritet t’i kushtojë taksapaguesve 40 miliardë lekë kosto ndërtimi dhe interesa përgjatë 13 viteve, duhet të lidhë Tiranën me kufirin me Maqedoninë përmes një rruge malore rreth 100 kilometra të gjatë, ku projekti më sfidues nga pikëpamja inxhinierike, tuneli poshtë qafës së Murrizit, është aktualisht i shembur me fat të panjohur.

“Deri në fund të vitit 2020 është realizuar 65% e volumit të punimeve të ndërtimit, rreth 5 pikë përqindje më pak se sa ishte parashikuar gjatë kësaj periudhe, për shkak të pezullimit të punimeve në tunelin e Murrizit dhe punimeve në skarpata për segmentet numër 2 dhe numër 4,” shkruhet në relacionin e Ministrisë së Financave për ecurinë e kontratave kryesore koncesionare.

Sipas të dhënave të Ministrisë, në vitin 2020 parashikohej të investoheshin 8 miliardë lekë ndërsa janë investuar 6.3 miliardë lekë. Edhe në vitin 2019, investimet nuk u realizuan plotësisht. Problemi, sipas Ministrisë së Financave është sërish Tuneli i Murrizit.

“Për vitin 2019, vlera e realizuar e investimit përbën 84.6% të vlerës totale të parashikuar për t’u investuar gjatë këtij viti, për shkak të problematikës së Tunelit të Murrizit ku ritmi i punimeve u ngadalësua,” shkruhet në relacion.

Koncesionari pati kryer afro 7 miliardë lekë punime në vitin 2018, në krahasim me 3.5 miliardë lekë të planifikuara, gjë që krijoi euforinë e qeverisë për suksesin e projektit. Sipas raportit, autoriteti kontraktor “nuk ka aplikuar penalitete” për vonesat në investime.

Kontratat koncesionare të qeverisë “Rama” janë kritikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si të rrezikshme dhe pa leverdisshmëri ekonomike si dhe nga Departamenti i Shtetit si kontrata të lidhura pa garë të mirëfilltë. Partia Demokratike në opozitë i ka denoncuar shpesh ato si kontrata korruptive.

Rama inspektoi punimet në Rrugën e Arbrit në një vizitë reklamë për qeverinë në tetor 2018, nën shoqërinë e ish-ministrit Damian Gjiknuri dhe ish-kreut të Autoritetit Rrugor Afrim Qendro. Sipas një bisede të xhiruar nga kamerat e kryeministrit dhe të promovuar prej tij, Rama shpalli se rruga do të përfundojë së ndërtuari në prill 2021, një vit para afatit. Premtimi i rradhës i qeverisë është hapja e rrugës në fund të këtij viti.

Ndërkohë, ndërsa punimet nuk kanë ecur sipas planit, pagesat e taksapaguesve për ndërtimin e rrugës kanë ecur me realizim plani 100%, bën të ditur Ministria e Financave.

“Pagesat faktike të vitit 2020 janë në masën rreth 2.7 miliardë Lekë, duke rezultuar me një realizim prej 100% nga plani vjetor,” thuhet në relacion. Reporter.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY