Një numër dosjesh penale për zyrtarë të lartë që janë në hetim për shpërdorim detyre, rrezikojnë të falimentojnë për shkak të mosngritjes së zyrës së Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, SPAK.
Në mungesë të SPAKU-t, e cila parashikohet të krijohet nga ndryshimet kushtetuese që kanë hyrë tashmë në fuqi, prokurorisë nuk i është lënë asnjë hapësirë ligjore për “të vazhduar” ndjekjen penale deri në krijimin e zyrës së re. Kjo pasi dosjet e zyrtarëve të lartë që janë në hetim nga prokuroritë e rretheve, sipas Kushtetutës së re, tashmë në fuqi, duhet të hetohen nga SPAK-u.
Për pasojë, dosja penale e përgjimeve me pajisjen ‘IMSICatcher’, me person nën hetim drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako, është në udhëkryq. E njëjta situatë me dosjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, që akuzohet nga Prokuroria për falsifikim dokumentesh në lidhje me precedentët gjyqësorë të shënuar në formularin e dekriminalizimit.
Të njëjtin fat duket se do të kenë edhe dhjetëra dosje të tjera që janë në hetim për akuza të ndryshme ndaj “zyrtarëve të lartë”.
Por, duke qenë se SPAK-u nuk është krijuar, për mungesë të ligjit e procedurave pasuese, zyrtarët nuk ka kush t’i hetojë, pasi prokurorive aktuale u është hequr kompetenca.
Prokuroritë që i kanë dosjet aktualisht në hetim, janë të detyruara nga Kushtetuta e re të ndërpresin hetimet, pasi nuk kanë më kompetencë, dhe për rrjedhojë çdo veprim i tyre është i atakueshëm në Gjykatën Kushtetuese. Ndërprerja e hetimeve në këtë fazë, kur ato nuk kanë përfunduar, duket e detyrueshme, edhe nëse është provuar kryerja e krimit nga zyrtarët.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/