Ambasadorja Kim komenton vendimin e KLGJ per ekspertize nga OPDAT dhe EURALIUS

Ambasadorja Kim komenton vendimin e KLGJ per ekspertize nga OPDAT dhe EURALIUS

158
0
Shares

Ambasadorja amerikane ne Tirane, Yuri Kim dha nje interviste ne euronews albania ku nder te tjera u shpreh edhe per reformen ne drejtesi.
Duke folur ne Ilva Now ajo tha se gjykatat shqiptare duhet te jene ne gjendje te marrin vendime vet, pasi u pyet ne lidhje me vendimin e KLGJ per ceshtjen Dvorani.

Ilva Tare: Le të flasim…le të mos fshihemi kur kemi elefantin në dhomë, për reformën në drejtësi. Le të flasim për vlerësimin tuaj për statusin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Ambasadorja Kim: Reforma në drejtësi është absolutisht e nevojshme dhe mendoj se të gjithë ranë dakord për këtë. Në vitin 2016, kërkesa popullore për reformën në drejtësi ishte aq e madhe sa politikanëve iu desh t’i miratonin ato. Dhe bënë gjënë e duhur. Është për t’u përgëzuar. Reforma në drejtësi ka tri pjesë: duhet kuadri ligjor, ngritja e kapaciteteve institucionale për të, dhe së fundi, çka mund të ndodhë edhe njëkohësisht, duhet të zbatohet ligji dhe institucionet duhet të funksionojnë. Mendoj se njerëzit kanë të drejtë që janë disi të paduruar për këtë. Kemi parë që u bë pjesa e parë. Kemi ligjet e vitit 2016. Kemi pjesën më të madhe të institucioneve të ngritura, përveç Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës Kushtetuese, e cila është diçka madhore.  I përmend të gjitha këto për të vënë në pah se pavarësisht sa të paduruar jemi, ka pasur edhe përparim real. E them këtë për të treguar se duhet të vazhdoni të jeni të paduruar. Duhet të vazhdoni të nxisni dhe, sa më përket mua, është koha që udhëheqësit të prodhojnë rezultatet. Varet nga ata që të tregojnë vullnet politik për të ngritur gjykatën kushtetuese. Varet nga gjykatësit që të fillojnë të tregojnë se gjykatat po funksionojnë. Dhe mendoj se kemi filluar ta shohim këtë. Javën e kaluar, Gjykata e Lartë nxori disa vendime dhe po fillojmë të shohim pakësimin e çështjeve të mbartura dhe vazhdimin e vetingut. Pra, ka lëvizje, por edhe unë jam me popullin shqiptar: është koha për një shtysë të re për të bërë përparim.

Ilva Tare: Zonja Ambasadore, si do t’iu përgjigjeshit kritikëve që thonë se SHBA dhe BE nxitën një reformë në drejtësi që është defektoze, që ka probleme, që ka krijuar një situatë të paprecedent në Shqipëri, pa gjykatë të lartë, pa gjykatë kushtetuese dhe në fakt fajësojnë ndërkombëtarët që i nxitën udhëheqësit politikë shqiptarë. Si u përgjigjeni?

Ambasadorja Kim: Do të thosha se diçka si reforma në drejtësi është jashtëzakonisht e vështirë. Është e ndërlikuar dhe është e papërsosur, por nga sa shoh, elementët bazë janë aty dhe varet nga aktorët që të fillojnë ta zbatojnë atë vërtet.

Ilva Tare: Shqiptarët ju shohin si garant sidomos të kësaj reforme. Besojnë se ajo që bëni ju është e duhura. A mund t’iu thoni shqiptarëve se ajo që kemi bërë deri më sot për reformën në drejtësi është më e mira që mund të kishim bërë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se askush nuk duhet të pretendojë përsosmëri. Nuk është e mundur. Por ajo që mund t’ju them është që për qeverinë amerikane, reforma në drejtësi në Shqipëri mbetet përparësi dhe, për mua personalisht, mbetet një përparësi dhe kam në plan t’i kushtoj gjithçka mundem për ta bërë realitet. Do të thotë që do të ketë frustrim, e pres këtë të ndodhë, sepse ka disa që nuk duan që të ndodhë. Ka edhe çështje kapacitetesh. Por ajo që mund të them është se do të bëj përpjekjet e mia më të mira; kushdo rreth meje do të bëjë më të mirën dhe tani është në dorën e udhëheqësve politikë që të tregojnë seriozitetin e tyre për ta bërë këtë realitet.

Ilva Tare: Do të përpiqem edhe pse e di që diplomatikisht nuk mund të përgjigjeni, por a e dini se kush nuk e do?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka shumë që nuk e duan.

Ilva Tare: Dhe vazhdoni të punoni me ta?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka shumë që nuk e duan. Unë punoj me një gamë të gjerë njerëzish dhe do të vazhdoj ta bëj këtë.

Ilva Tare: Ambasadore, në prill u takuat me Kreun e KED dhe Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, për të cilin presidenti i ka kërkuar KLGJ-së ta shkarkojë sepse i ka skaduar mandati që në vitin 2014. KLGJ ka kërkuar opinionin e OPDAT dhe EURALIUS përpara se të vendosë. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?

Ambasadorja Kim: Mendoj se gjykatat duhet të shfrytëzojnë të gjitha burimet që kanë në dispozicion, përfshi këshillat teknike, por në fund duhet të ndjekin ligjin dhe duhet të jenë në gjendje të tregojnë se janë të aftë të marrin vendime mbi një bazë që demonstron pavarësi dhe integritet. Ata nuk duhet të lejojnë asnjë faktor të jashtëm që të ndërhyjë në procesin vendimmarrës. Sigurisht, siç e thashë më parë, cilido është i lirë të shprehë mendimin e vet; unë mund ta shpreh, ti mund ta shprehësh, cilido mundet. Por në fund të ditës, vlera e një gjykate në këtë kuadër të reformës në drejtësi është që ato të funksionojnë me pavarësi dhe integritet.

Ilva Tare: Pra pavarësisht nga opinion i OPDAT apo EURALIUS, është përgjegjësia e KLGJ që të marrë një vendim?

Ambasadorja Kim: Absolutisht.

Ilva Tare: Sepse mund ta thonë si alibi se kjo është ajo që duan ndërkombëtarët…

Ambasadorja Kim: Është koha për t’u ngritur në lartësinë e detyrës. Të ngrihen në këmbët e tyre. T’i tregoni popullit shqiptar se mund të funksiononi. Është koha.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY