Gjermani, si mund të mjekohen shqiptarët që nuk janë të siguruar

Gjermani, si mund të mjekohen shqiptarët që nuk janë të siguruar

134
0
Shares

Intervistë me kirurgen Marsela Ceno – Mjekët shqiptarë në Gjermani kanë ngritur një rrjet asistence për të këshilluar shqiptarët në Gjermani se si të veprojnë në rast se dyshojnë se kanë simptoma me koronavirus.

Marsela Ceno (Privat)

Dr. Marsela Ceno, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, dhe punon si kirurge në Baden-Baden (Gjermani)

Ju keni krijuar një rrjet asistence për t’u ardhur  në ndihmë shqiptarëve në Gjermani. Mund të na thoni dy fjalë për këtë?

Marsela Ceno. Ne si Shoqatë e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani kemi ngritur asistencë për krizën e koronës në të 16 landet e Gjermanisë. Në faqen tonë zyrtare në Facebook kemi postuar numrat e telefonit, adresat e mjekëve, të cilët janë shpallur vullnetarë për t’i ardhur në ndihmë kësaj  nisme edhe të gjithë të interesuarit mund t’u drejtohen atyre me anë të sms-ve,  ëhatsapp-it, edhe përmes e-mailave, të shpjegojnë shqetësimet që mund të kenë dhe të marrin prej kolegëve një konsulencë falas. Ne orientojmë, mundohemi  që të bëjmë një anamnezë të shkurtër, dhe një triazh, pra, t’u themi, ose të vetëkarantinohen ose të drejtohen sa më shpejt te qendra më e afërt spitalore.

Si bëhet pagesa për ata që nuk kanë sigurim shëndeti në Gjermani?

Normalisht, të gjithë shtetasit që hyjnë në Gjermani si vizitorë, janë të detyruar të presin një sigurim shëndeti në udhëtim para se të largohen nga Shqipëria. Dhe në të gjitha rastet pagesa i kalon sigurimit në Shqipëri dhe pastaj diskutohet midis të dy palëve se ç’pjesë të pagesës do të marrë përsipër sigurimi. Mundësia e dytë është që testi të bëhet me para në dorë. Ai kushton nja 120 euro.

E megjithatë shumë shqiptarë kanë ardhur në Gjermani për  të punuar edhe në të zezë dhe nuk kanë asnjë sigurim. Atyre u mbetet që t’i heqin shpenzimet vetë. Çfarë mund të bëjnë për të reduktuar kostot?

Mënyra e vetme për të reduktuar kostot e trajtimit është mosparaqitja në spital për sa kohë që situata është akoma e qëndrueshme. Që do të thotë: Një pacient, ose një person, i cili vë re se prej disa ditësh mund të ketë kollë, por temperatura nuk është më e lartë se 37,5 gradë, apo që mund të ketë edhe shenja gripi, si për shembull, rrufë, do të ishte mirë që në mënyrë të vazhdueshme të kontrollonte temperaturën e tij edhe të vetë izolohej. Por në qoftë se vihet re që me kalimin e ditëve temperatura rritet, mund të shkojë në 38 e 39 gradë dhe fillojnë edhe djersitje të shpeshta dhimbje të kyçeve muskulature, apo dhe probleme me frymëmarrjen, atëherë ky person duhet që të paraqitet tek urgjenca e një spitali dhe në këto kushte ku ne jemi, askujt nuk i refuzohet dhënia e ndihmës së parë, pavarësisht nëse ky person është i regjistruar ose jo i regjistruar, ka mundësi ta paguajë shërbimin e tij, apo nuk ka mundësi për ta paguar. Kështu që është me shumë rëndësi që personat të rrisin pak edhe ndjenjën e sensibilitetin e vetes së tyre, pra, të fillojnë edhe të dallojnë shenjat e para, të izolohen, të tërhiqen nga kontaktet sociale dhe me shumë kënaqësi mund të na kontaktojnë edhe ne, në varësi të landit ku jetojnë, mund të kontaktojnë mjekun që ne kemi vënë në dispozicion dhe përmes lidhjes me telefon ose me e-mail. ​

Sipas ministrit të Shëndetësisë se në Gjermani gjysma e shtretërve është e lirë, por piku nuk është arritur ende. Si po e prisni ju pikun në spitalin tuaj?

Situata është akoma nën kontroll. Ka disa spitale që janë kthyer në epiqendra për pacientët me Covid 19, do të thotë, që degët e tjera në këto spitale siç mund të jetë kirurgjia ose të gjitha ndërhyrjet e planifikuara në kardiologji ose në gastroenterologji për momentin janë pezulluar. Edhe spitali ku unë punoj është një nga këto spitale. Per momentin situata është akoma nën kontroll, por ne nuk e dimë se kur do të jetë piku. Nuk e dimë se javës që vjen apo pas dy javësh do të kemi edhe ne një situatë, siç e përjeton për momentin Italia. Një shenjë pozitive është se Gjermania ka marrë këto ditë pacientë edhe nga Italia dhe Franca. Edhe ne kemi marrë pacientë nga Strasburgu, meqenëse jemi pranë Alzasës, dhe kjo është një nga hotspot-et aktuale në Evropë.

Cilat janë masat që merrni ju për të mos u infektuar vetë nga virusi?

Spitali ynë është i ndarë në tre zona: një zonë jeshile, një të verdhë dhe një të kuqe. Në pjesën e kuqe janë pacientët e vërtetuar se janë të infektuar me Covid 19, në pjesën e verdhë pacientët që presin për rezultatet e tamponit të dytë, sepse i pari ka qenë negativ dhe pjesa jeshile është pjesa e painfektuar. Ata që punojnë në pjesën e kuqe kanë  veshje speciale, dhe ndërrohen pas  çdo kontakti me pacientin dhe u kërkohet të mos kenë as kontakte me  familjarët e tyre. Unë, si kirurge, deri tani jam te pjesa e pastër e spitalit, por mund të ndodhë që pacientët që dyshohen se mund të kenë Covid 19 për shkak të temperaturës së lartë që mund të çohen te çadra e Covid-it dhe mua më kërkohet si kirurge të bëj vizitën, nëse mund të ketë një dhimbje barku ose një apendicit akut. Atëherë unë detyrohem të vishem komplet dhe pasi kam ndërprerë kontaktin me pacientin t’i heq të gjitha veshjet e mia, të cilat vendosen nëpër kosha të veçantë dhe pastaj digjen ose eliminohen.

Deri në  momentin e dyshimit ekziston një farë rreziku në kontaktin tuaj me pacientin?

Sigurisht. Përpara një jave ne mësuam që një infermiere ishte me Covid positiv. Sot është vështirë të thuash se kush është i infektuar dhe kush jo. Prandaj masat higjienike janë shumë të rëndësishme: mbajtja e distancës larja e duarve. Po mbajtja e maskave.

Gjermania vazhdon ta quajë të panevojshme mbajtjen e detyruar të maskave në ambiente të mbyllura. A mendoni se kjo është e vërtetë se mbulimi i fytyrës nuk të mbron?

Unë do t’ju këshilloja të shihni udhëzimet zyrtare që jep Instituti Robert Koch. Situata ndryshon shumë shpejt nga dita në ditë. Ne në spitalin tonë deri para një jave nuk kishim nevojë të mbanim maska gjatë punës sonë të përditshme, tani duhet t’i mbajmë ato. Në pavijone të veçantë duhet të mbajmë edhe syze për të mbrojtur mukozën e syrit. Edhe po të vihet re rrugëve të Gjermanisë, disa janë me maska, disa janë pa maska, por ajo që është e rëndësishme të thuhet është që maska ndihmon në parandalimin e përhapjes së virusit nga personi që është i infektuar te personat e tjerë. Ndërsa personat e painfektuar mjafton të ruajnë distancën dhe para çdo kontakti që duart kanë me fytyrën të bëhet një larje dhe dezinfektim i duarve.

A keni ngarkesa psikologjike ju si mjekë, duke pasur parasysh edhe situatën në Itali?

Çadër për testimet e korona-virusit në Gjermani.

Po e presim me frikë pikun e Gjermanisë, edhe sepse nuk e dimë se kur do të vijë. Ne zgjohemi çdo mëngjes dhe kemi parasysh skena si në Itali. Për fat situata është ende nën kontroll, por kjo ideja se kur do të shpërthejë edhe në Gjermani  ashtu siç ka shpërthyer në Madrid apo edhe në veriun e Italisë, është edhe diçka që është gjithmonë në kokë. Ne mundohemi të flasim me njëri-tjetrin hapur për këtë gjë dhe të përqendrohemi në punën tonë, sepse frika e manipulon një qenien njerëzore. Ne jemi mjekë dhe jemi më të zgjuar sesa paniku i virusit, sepse duke menduar që çdo pacient mund të ketë Covid atëherë fillojmë edhe bëjmë gabime. Nuk ekzaminojmë pacientin, fillomë të anashkalojmë simptomat e  tij apo ta fusim atë në shinën e Covid 19 e të mos shohim vërtet se ku është sëmundja e këtij pacienti. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të ruajmë qetësinë tonë, të luftojmë frikën tonë dhe t’u referohemi të dhënave zyrtare që jepen nga institucionet federale në Gjermani, edhe të ruajmë qetësinë dhe të besojmë që do ia dalim.

Mjekët dhe stafi mjekësor në këto kohëra krahasohen edhe me ushtarët në vijën e parë të frontit të një lufte. E ndieni edhe ju veten si në luftë?

Në fakt, termi luftë është një term të cilin ne po e përdorim edhe midis njëri-tjetrit, edhe kur jemi në spital. Ne jemi në gatishmëri  Nuk kemi më një plan të paracaktuar se si do të punojmë sot apo nesër.  Nderi në fundin prillit janë anuluar pushimet ose marrjet e pushimeve. Sot jemi në pjesën jeshile, por nesër mund të dalim në pjesën e verdhë, ose në pjesën e kuqe. Pra, ne jemi vërtet në një situate lufte, ne jemi ushtarët e parë që dërgohen në frontin e luftës.DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY