“Babai im diplomuar ne Sorbone e mik i kryeministrit francez, punoi hamall...

“Babai im diplomuar ne Sorbone e mik i kryeministrit francez, punoi hamall ne Zall te Kirit”

243
0
Shares

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të një prej familje të mëdha dhe të njohura aristokrate në të gjithë historinë e Shqipërisë, apo siç është njohur ndryshe familja e “Asllan Pashëllinjve”, të cilët kishin sunduar për 200 vite Janinën dhe pinjollët e saj u shkolluan e u diplomuan në universitetet më në zë të Evropës, për të marrë më pas detyra dhe funksione të larta si prefektë, kryetar bashkish apo ministra në periudhën e Monarkisë së Zogut, si: Mufid bej Libohova, Servet bej Libohova, Ekrem bej Libohova, Maliq bej Libohova, Asaf bej Libohova, Dr. Shefqet bej Libohoha, Ihsan bej Libohova, Ajet bej Libohova, Enver bej Libohova, Neki bej Libohova, si dhe dy vëllezërit binjakë: Kapllan dhe Arsllan Libohova. Dëshmia e Servet Libohovës se si u persekutuan ata barbarisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili pasi u sekuestroi vilat dhe të gjitha pasuritë që ata kishin vënë me mund që nga periudha e perandorisë osmane, i degdisi në burgje dhe internime deri në vitin 1990-të.

“Babai im Ihsan Libohova, i cili kishte mbaruar shkollën fillore dhe atë unike në Stamboll dhe Korfuz  ishte diplomuar për Drejtësi e Shkencat Politike në Sorbonë e Romë, kur u kthye në Shqipëri drejtoi gazetën “Tirana” dhe gjatë viteve të Monarkisë së Zogut ai shërbeu për shumë vite si prefekt i klasit të parë në Pogradec. Pas kësaj për punën e mirë që kishte bërë në Pogradec, Zogu e solli në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, duke e emëruar si Drejtor të Përgjithshëm për Bashkitë dhe Komunat në atë dikaster. Ndonëse pas pushtimit fashist të vëndit, babai im nuk pranoi që të shërbente përsëri në administratën shtetërore, por u mbyll në shtëpi duke u marrë vetëm me studime, në nëntorin e vitit 1944, ai u arrestua nga forcat partizane të cilat na nxorrën edhe ne nga shtëpia duke na e sekuestruar të gjithë atë vilë ku sot ndodhet rezidenca e ambasadës së Maqedonisë”.

Kështu e kujtonte historinë e babait të tij, Servet Libohova, një nga pasardhësit e familjes së madhe Libohova, e cila njihet e konsiderohet si një nga familjet më të vjetra dhe më të pasura gjatë gjithë historisë së Shqipërisë.  Cila është e kaluara dhe origjina e familjes Libohova, cila ka qenë pozita shoqërore e politike që ka pasur ajo familje që nga viti 1403 kur është njohur për herë të parë e deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar? Cilët kanë qenë burrat më në zë që ka nxjerrë ajo familje, çfarë funksionesh dhe postesh patën mbajtur ata në periudhën e perandorisë osmane dhe më pas me krijimin e shtetit të ri shqiptar? Cili ka qenë qëndrimi i saj politiko-shoqëror gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe përse regjimi komunist i Enver Hoxhës e persekutoi në mënyrën më barbare atë familje tepër të njohur, duke i pushkatuar, burgosur dhe internuar pasardhësit e saj deri në vitin 1990?

Kush ishte Ihsan Libohova?

Pas Mufid bej Libohovës i cili ka qenë dhe një nga pinjollët më të famshëm të familjes Libohova, apo siç është njohur ndryshe familja e “Asllan Pashëllinjve”, nga ajo derë e njohur kanë dalë edhe shumë burra të tjerë të mënçur të cilët u shkolluan dhe diplomuan në universitetet më prestigjoze të Lindjes e Perëndimit, të cilët më pas u kthyen në Shqipëri duke dhënë kontributin e tyre në të gjitha funksionet e detyrat që iu ngarkuan në administratën e lartë të shtetit shqiptar që nga qeveria e parë e Ismail Qemalit, ashtu dhe gjatë viteve të Monarkisë së Zogut. Ndër ata pasardhës të asaj familje, pas Mufid bej Libohovës, janë të njohur edhe Servet bej Libohova, Ekrem bej Libohova, Maliq bej Libohova, Asaf bej Libohova, Dr. Shefqet bej Libohoha, Ihsan bej Libohova, Ajet bej Libohova, Enver bej Libohova, Neki bej Libohova, si dhe dy vëllezërit binjakë: Kapllan dhe Arsllan Libohova. Lidhur me jetën, shkollimin dhe karrierën e njërit prej pinjollëve të këtij fisi të njohur, të quajtur Ihsan Libohova, i cili gjatë viteve të Monarkisë së Zogut shërbeu në administratën e lartë të shtetit shqiptar, i biri i tij, Servet Libohova, para disa vitesh na dëshmonte: “Babai im, Ihsani, u lind në vitin 1901 në qytezën e vogël të Libohovës prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Mësimet e para të shkollës fillore ai i mori në qytetin e Gallatasarait në Turqi dhe më pas ndoqi shkollën e mesme në gjimnazin francez të Korfuzit. Pas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate të shkëlqyera, Ihsani u dërgua për të ndjekur studimet e larta në Francë, ku dhe u diplomua shkëlqyeshëm në degën e Jurisprudencës pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Sorbonës. Pas diplomimit, Ihsanit, i propozuan që të punonte si pedagog pranë atij universiteti, por ai nuk pranoi dhe u kthye në Shqipëri. Ihsani nuk qëndroi më shumë se një vit në Shqipëri, pasi iku përsëri në Itali, ku për katër vjet me rradhë ai ndoqi studimet në fakultetin e Shkencave Politike pranë Universitetit të Romës. Pas kësaj, aty nga viti 1930, babai u kthye në Shqipëri pasi kishte mbrojtur dy doktorata dhe njihte shkëlqyeshëm disa gjuhë të huaja. Gjatë kohës që babai ishte me studime në degën e Shkencave Politike të Universitetit të Sorbonës në Francë, ai kishte miqësi të ngushtë me intelektualin e famshëm francez, Daladier, i cili më pas u zgjodh për disa mandate me rradhë në postin e kryeministrit të Francës. Pasi u kthye në Shqipëri aty nga mesi i vitit 1930-të, imatë, Ihsan Libohova, i cili ishte diplomuar dy herë duke mbrojtur doktoraturat në Sorbonë dhe Romë, u vendos në Tiranë, ku hapi një gazetë të pavarur të cilën e titulloi “Gazeta e Tiranës”, kujtonte Servet Libohova, lidhur me babanë e tij, Ihsanin, i cili në fundin e viteve ’20-të, u diplomua në universitetet e Sorbonës dhe Romës.

Libohovitët e diplomuar në Itali

Po kështu përveç Ihsan Libohovës, edhe tre vëllezërit e tij: Enveri, Asafi dhe Shefqeti, u diplomuan në universitetet e Perëndimit. Lidhur me këtë dhe karrierën e tyre profesionale në vitet që pasuan, Servet Libohova na tregonte: “Ashtu si babai, edhe tre vëllezërit e tij, studjuan dhe u diplomuan në universitetet italiane. Enveri u diplomua për Agronomi në Universitetin e Bolonjës, ndërsa xhaxhai tjetërm Asafi, u diplomua për Jurisprudencë në Universitetin e Romës. Po kështu edhe xhaxhai tjetër, Shefqeti, u diplomua dhe u doktorua në Drejtësi pranë Universitetit të Romës dhe më pas kur erdhi në Shqipëri, ushtroi profesionin e avokatit. Nga të tre xhaxhallërët e mi, që u diplomuan në Itali, vetëm Asafi nuk u kthye më në Shqipëri pas diplomimit, pasi ai qëndroi në Romë, ku jetoi deri sa vdiq në vitet ’60-të. Ndryshe nga tre vëllezërit e tij që u morën me avokati e agronomi, babai im, Ihsani, e vazhdoi karrierën e tij duke punuar në administratën e lartë të shtetit shqiptar. Kështu pas disa kohësh që babai punoi në drejtimin e gazetës “Gazeta e Tiranës”, ai u thirr nga Mbreti Zog dhe u caktua me detyrën e nënprefektit të Pogradecit. Pas katër vjetësh qëndrimi në Pogradec, në atë detyrë ku Ihsani la një emër të mirë, Mbreti Zog e thirri përsëri në Tiranë dhe e emëroi me detyrën e Drejtorit të Bashkive dhe Komunave pranë Ministrisë së Brendshme. Në atë detyrë babai shërbeu për vite me rradhë dhe aty nga viti 1937, ai u martua me nënën tonë, Fazilet Vërlacin, të bijën e politikanit e deputetit të njohur, Shefqet Vërlaci, i cili në fillimin e viteve ’40-të, pranoi dhe ushtroi funksionin e kryeministërit të Shqipërisë. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, babi nuk pranoi që të shërbente më në administratën e shtetit shqiptar të asaj kohe. Kështu gjatë gjithë periudhës së pushtimit fashist të vendit, Ihsani, nuk u mor me asnjë punë shtetërore, por u mbyll në shtëpinë e tij duke u marrë vetëm me studime. Gjatë atyre viteve familja jonë, hyri dhe banonte në vilën e re, (aty ku sot është rezidenca e ambasadës së Maqedonisë) të cilën babai me nënën kishin filluar ta ndërtonin aty nga fundi i vitit 1937, pasi kishin blerë tokën-truall. Për ndërtimin e asaj vile ata shpenzuan kursimet e tyre nga pasuria që kishin trashëguar nga prindërit, si dhe trashëgiminë financiare të gjyshes sonë, Qanie Libohova (Toptani)”, kujtonte Servet Libohova, lidhur me karrierën e babait të tij Ihsanit, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, si dhe të tre xhaxhallarëve që ishin diplomuar në Itali.

Dënimi i Ihsanit në Gjyqin Special

Po cili ishte fati i Ihsan Libohovës, i familjes dhe i vëllezërve të tij, pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet? Lidhur me këtë, Servet Libohova tregonte: “Aty nga nëntori i vitit 1944, kur akoma nuk kishte mbaruar Lufta, vila ku banonte asokohe familja jonë, u rrethua e gjitha nga forca të shumta partizanësh. Pas kësaj, 17 prej tyre të armatosur me automatikë, hynë brenda me zhurmë të madhe duke na trembur ne fëmijëve të vegjël. Në atë kohë aty ndodhej, babai, nëna, si dhe unë me dy motrat: Seresi e Vesta, të cilat ishin pak më të mëdha se unë. Partizanët sapo hynë brenda, arrestuan babanë dhe ne na nxorrën menjëherë nga shtëpia vetëm me rrobat e trupit, duke na thënë që të shkonim ku të donim. Pasi na e sekuestruan të gjithë shtëpinë e madhe me të gjitha mobiljet e plaçkat që ndodheshin brenda, unë me nënën dhe dy motrat mbetëm në mes të katër rrugëve, pa ditur se ku të shkonim. Ne mundëm që të nxirrnim nga shtëpia vetëm disa plaçka dhe kjo gjë u bë e mundur vetëm pasi paguam njërin nga partizanët që kishte gradën e kapitenit, i cili ishte ngarkuar që ruante shtëpinë. Në atë kohë që ne na nxorrën nga shtëpia, vilën tonë të madhe ia dhanë Presidentit të Shqipërisë, Omer Nishanit dhe gruaja e tij fisnike që ishte me origjinë austriake, u thoshte shpesh njerzve që shërbenin aty: ‘Kujdes, ruajeni këtë shtëpi se është e huaja dhe një ditë do të vi përsëri ta marri pronari i saj’. Ndërsa babai ndodhej në burgun e Tiranës, ne na hapi derën dhe na strehoi familja njohur tiranase Tufina, të cilët u treguan shumë bujarë me ne dhe nuk donin t’ja dinin fare se komunistët na kishin cilësuar si familje reaksionare. Ndërsa babai doli në Gjyqin Special dhe u dënua me dhjetë vjet burg, ne si familja qëndruam tek Tufinat, deri aty nga viti 1956, kur na hoqën nga Tirana. Babai e vuajti dënimin në kampet e tmershme të Kënetës së Maliqit dhe në Beden të Kavajës, e mundi të lirohej që andej vetëm në vitin 1950-të, duke përfituar nga disa amnisti që u dhanë asokohe për të dënuarit politik. Gjatë kohës që ishte në burg, babai u sëmur rëndë dhe mundi të shpëtonte nga vdekja, vetëm në saj të Dr. Zymës, i cili mori përsipër operimin e tij. Pas daljes nga burgu, babai punoi si punëtor me lopatë, duke bërë llaç në ndërrmarjen e ndërtimeve “Muhamet Gjollesha”, ku paguhej shumë pak dhe gjatë gjithë atyre viteve ne mbetëm në gjëndje të mjerueshme ekonomike. Asokohe ne jetonim me ato pak të ardhura që na kishin mbetur pa na i sekuestruar dhe duke shitur ato pak plaçka që kishim mundur që të nxirrnim nga shtëpia në vitin 1944 kur na e sekuestruan. Hakmarrja e komunistëve nuk mbaroi vetëm me familjen tonë, por ata i vazhduan goditjet edhe ndaj vëllezërve të babait tim, si dhe shumë familjeve të tjera të fisit Libohova. Kështu pas dënimit të babait, në vitin 1946, komunistët arrestuan xhaxhanë tim, Dr. Shefqet Libohovën, i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Romë. Ndonëse Shefqeti ishte plagosur në demostratat e Rinisë Antifashiste gjatë Luftës, atë e akuzuan për “tentativë arratisje” dhe e dënuan në fillim me vdekje dhe më pas me 101 vjet burg. Shefqeti vdiq në burgun e Burrelit dhe nuk la asnjë fëmijë, pasi nuk kishte krijuar familje. Para arrestimit të Shefqetit, komunistët kishin ekzekutuar edhe kushëririn e parë të babait, Xhevat Libohovën, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali. Po kështu në ato vite u arrestua dhe u dënua edhe kushëriri tjetër i yni, Elmaz Myfid Libohova, i cili kishte mbaruar Liceun e Korçës dhe kur studjonte atje, i jati i tij, ia kishte lënë nën kujdestari Enver Hoxhës. Elmazi me gjithë familjen e tij jetoi deri vonë i internuar në fshatin Tresh të Lezhës dhe kur vdiq, e varrosëm vetëm unë me babanë tim, Ihsanin”, kujtonte Servet Libohova, lidhur me dënimin e babait të tij, Ihsanit, si dhe me persekutimin e shumë familjeve të tjera të fisit Libohova.

Serveti: Si na ndihmuan familjet shkodrane?

Aty nga viti 1956, familjen Libohova e hoqën nga Tirana dhe e internuan në qytetin e Shkodrës. Lidhur me këtë dhe qëndrimin e asaj familje në atë qytet, Servet Libohova tregonte: “Me ndihmën e mikut të familjes sonë, Hamit Tafilicës, ne mundëm që të sistemoheshim në qytetin e Shkodrës, duke u vendosur në një shtëpi me qera në Rrugën “Luigj Gurakuqi”. Asokohe mezi e rregulluam që të shkonim në qytetin e Shkodrës, pasi ai qytet lakmohej shumë nga familjet e internuara, duke u konsideruara si parajsë, në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë, ku i dërgonin familjet “reaksionare” të internuara. Gjatë asaj kohe që ne shkuam në qytetin e Shkodrës, familja jonë mbeti shumë keq nga gjëndja ekonomike dhe si fillim ne mundëm të jetonim duke siguruar vetëm bukën e gojës, në saj të punës së nënës sonë, e cila qepte xhamadanë për familjet malësore. Ato xhamadanë që qepte nëna, dilte dhe i shiste e zonja e shtëpisë ku banonim ne, por përsëri gjendja jonë ekonomike mbetej mjaft e vështirë. Pas kësaj babai mezi mundi që të fillonte punë, duke u marrë me shtrimin e rrugëve me gurë dhe më pas si hamall, duke ngarkuar e shkarkuar makinat me zhavorr në Zallin e Kirit. Në atë punë, imatë punoi deri aty nga viti 1963, kur mbushi moshën e pensionit, por atë pension që ia garantonte ligji, atij nuk ia dhanë asnjëherë, duke e lënë pa asnjë të ardhur. Po kështu dhe ndonjë ndihmë finaciare në dollar, që na vinte asokohe nga familja e nënës sonë (Vërlaci) që jetonte në Itali, shteti na i thyente me një kurs shumë të vogël. Por gjatë gjithë atyre 35 vjetëve që familja jonë jetoi në qytetin e Shkodrës, pati një ndihmë mjaft të madhe morale nga shumë familje shkodrane, si ajo e Uran Anamalit, Hamza Dervishit, Rauf Çangës, Pjerin Prek Dedës (i njohur si Axha), Flamur Selmanit, Eduart Përjakut, Njazi Mukës, Leopol Shkrelit, Malo Dervishit, Xhevat Hajdarit etj. Pas daljes nga burgu, babai u vetëizolua në shtëpi dhe aty vinin dhe e vizitonin disa nga miqtë e tij më të ngushtë, si: Dom Injac Dema, Hamit Tafilica dhe profesori i matematikës, Muhamet Hoxha, i cili ishte diplomuar në Francë. Të tre këta intelektualë të njohur, që babai i konsideronte si njerëz të mrekullueshëm, nuk ia ndanë asnjëherë Ihsanit dhe iu gjetën atij në ditët më të vështira”, e përfundonte rrëfimin e tij, Servet Libohova, pinjolli i njërës prej familjeve më të vjetra dhe më të famëshme në të gjithë historinë e Shqipërisë, e cila u persekutua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ashtu si i gjithë fisi i tij, edhe Servet Libohova, gjatë viteve të internimit në qytetin e Shkodrës, mundi që të punonte vetëm si hamall në Stabilimentin e Sharrave, apo siç njihet ndryshe nga shkodranët si “Fabrika e shaljanëve”.

Ollga, Danezja shqiptare

Madamë Ollga kish lindur më 1886-n në Danimarkë. I ati i saj ishte ushtarak dhe gjatë luftës me rusët e bardhë, u detyrua të ikte, duke zgjedhur Parisin si vendqëndrimin e tij të ri. Ollga, si vajzë e re dhe e dhënë pas artit, zgjodhi të studiojë për piano dhe i ati e dërgoi në Stamboll. Kështu që Turqia u bë shkaku i njohjes së Mufid bej Libohovës me studenten, dashuri e cila e solli danezen Ollga në Shqipëri. “Ka qenë fundviti 1908 dhe fillimviti i 1909-s kur gjyshi me gjyshen mbërritën në Shqipëri. Që prej asaj kohe madamë Ollga nuk u largua më nga vendi i bashkëshortit të saj”, tregon Mufid Libohova (i riu). Ish-ministri i Brendshëm kishte një djalë me gruan e parë, Malikun, ndërsa me Ollgën, pati një tjetër djalë, që u quajt Elmas. Fatkeqësisht historia mes beut nga Libohova dhe danezes Ollga, u mbyll shpejt. Në vitin 1927, Mufid bej Libohova ndërroi jetë, por kjo nuk e ndau Ollgën nga vendi ku jetoi për shumë vjet me bashkëshortin, Shqipërinë. “Frenat e shtëpisë i mori zonja Ollga, të cilën të gjithë ne e donim, jo si gruan e Mufidit, por si pjesëtare të fshatit tonë”, na tregonte një banor i vjetër i Libohovës.

Si i shpëtoi 100 burra nga pushkatimi?!

Në fillim të vitit 1944, kur gjermanët kontrollonin pothuaj të gjitha zonat e vendit, Libohova ruhej vetëm nga dy roje. Duke njohur gjuhën gjermane, Ollga Schëeizer, hyri në bisedime me gjermanët, duke i bindur se fshati Libohovë ku ata jetonin, nuk kishte të bënte me partizanët. Deri në muajin maj të po atij viti, Libohova mbeti si një ishull i paprekur. Gjatë asaj kohe fshatarët mbanin me bukë edhe ndonjë partizan, por fshehurazi. Në Operacionin e Qershorit u prek edhe Libohova, pasi dikush spiunoi se në fshat mbahej një partizan i plagosur. Pas një kontrolli të befasishëm në shtëpinë e kallëzuar, ai u gjet. Të nesërmen Libohova u mbush me ushtarë, të cilët i nxorën të gjitha familjet te rrapi i madh në qendër të fshatit. Kapiteni gjerman, pasi bëri prezent arsyen e prezencës së tyre në fshat, e urdhëroi skuadronin të pushktonte 100 burra. “Edhe sot burrat më të vjetër të Libohovës na e tregojnë se si gjyshja ime, zonja Ollga, hyri mes 100 burrave që do të pushkatoheshin dhe skuadronit, duke e kërcënuar oficerin se: nëse ai do t’i vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të”, thotë Mufidi (i riu), duke shprehur me krenari veprimin e gjyshes së tij. Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, 100 burrat shpëtuan, ndërsa dënimi që u dha mga gjermanët, ishte djegia e fshatit. Pas mbarimit të Luftës, pikërisht në vitin 1945, me urdhër të Petrit Dumes, familja e Mufid Libohovës, duhej të shpërngulej në një stallë lopësh, ku ndenji për 5 muaj radhazi. “Atëherë librat më me rëndësi të gjyshit i morën, ndërsa i detyruan gratë e Libohovës që t’i nxirrnin kazanët e rrobave në sheshin kryesor e zjarrin ta bënin me librat tanë. Biblioteka jonë ka pasur 2500 volume, si dhe dokumente të rëndësishme historike nga koha e marrëdhënieve me Turqinë”, kujton Mufid Libohova atë periudhë të vështirë të familjes së tij.

Persekutimi i gjatë i bejlerëve Libohovitë

Pasi jetoi për 5 muaj në stallën e lopëve, Ollga u internua në Shijak. E braktisur nga familjarët dhe e ndarë nga djali që ndodhej në burg (ndërsa djali i madh, Kemali, ishte konsull në Bari), danezja punonte në fushat misrit. Djali i Ollgës me Mufidin, Elmasi, në ’45-n u kthye nga Italia, ku kryente studimet, duke shpresuar përmirësimin e situatës. Teksa ishte strehuar në një prej hoteleve më në zë në kryeqytet e njihej me gjendjen në vend, ai u arrestua me tri akuza: “tentativë për arratisje, agjitacion e propagandë dhe grup armiqësor”, duke u dënuar me 11 vjet burg.

Që pas vitit 1949 deri më 1958-ën për gati një dekadë, Ollga jetoi e internuar në fshatin Tresh të Lezhës. Pas daljes së të birit nga burgu, danezja jetoi disa kohë me të në fshat. Në dhjetor të këtij viti ajo vdiq në moshën 77-vjeçare dhe u varros në fshatin Zejmen të po atij rrethi. Nga punët e rënda edhe i biri i saj, Elmasi, vdiq në vitin 1977. Në atë kohë gruaja e tij ndodhej në hetuesi të Lezhës. Për këtë ngjarje Mufidi i ri, kujton: “Babai punonte në fushë me tensionin e gjakut 28. Plus sëmundjes, babain e tronditi edhe marrja në hetuesi e nënës sime, e cila u dënua me 5 vjet heqje lirie, duke u akuzuar se kishte thënë, që: dikur kam pasur 30 dele! E kjo nuk ishte aspak e vërtetë, pasi familja jonë nuk e kishte zakon të tregonte ç’kishte e kjo mbi të gjitha pasi na njihnin të gjithë shumë mirë”.

Nga martesa e Elmasit lindën tre djem: Enveri, Kemali dhe Mufidi (i riu). Persekutimi vazhdoi deri te nipërit e ish-ministrit të Brendshëm, Mufid bej Libohovës, që më pas mori dhe postin e ministrit të Jashtëm e atë të Financave. Mufidi, (i riu), tregonte se nga viti 1985 deri në vitin 1987, ishte ndaluar dy herë. “Në vitin 1990 arriti dhe pika kulminante, pasi u arrestova nga Zef Loka dhe për një muaj ndiqesha nga pas. Nuk e dija se ç’do të bëhej me mua, dëgjoja vetëm se e kishin me ne, me atë shtresë e cila për pushtetin e atëhershëm paraqiste probleme. Nuk e di se si kam shpëtuar nga ajo “valle e vdekjes”, tregonte Mufidi i ri.

Ollga Libohova dhe djali i saj, Elmasi, prehen në kodrat e buta të Tufinës dhe ajo gjë u bë e mundur vetëm, në vitin 2001 kur u tërhoqën eshtrat e nënës e të birit nga Zejmeni i Lezhës. Tashmë varri i tyre është rrethuar me një gardh të ulët e kjo vetëm nga halli! Mufidi na tregon se familja e tyre nuk donte kurrë ta rrethonte varrin, pasi ata gjithë jetës kanë marrë frymë brenda telave me gjemba, por këtë e bënë që lopët e bagëtitë të mos e shkatërronin më varrin e Ollgës dhe të Elmasit. “Të paktën ata të pushojnë në paqe pas kaq shumë vjetësh”, shprehet ai. Kjo pra është historia e shkruar shkurt e familjes së Mufid Libohovës, ish-ministrit të Brendshëm të Ismail Qemalit, dhe familjes së tij, mes vuajtjeve, problemeve dhe persekucionit nga regjimi komunist I Enver Hoxhës, që i ndoqi edhe pas vdekjes./Memorie.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY