Rreziku nga tërmetet, si u rrënua Durrësi 7 herë. A ka Shqipëria...

Rreziku nga tërmetet, si u rrënua Durrësi 7 herë. A ka Shqipëria kapacitete për të përballuar katastrofën

1127
0
Shares

Të dhënat historike tregojnë se tërmetet kanë shkatërruar krejtësisht disa herë Durrësin, teksa lëkundjet sizmike renditen të parat për katastrofat që mund t’i krijojnë vendit fatkeqësitë e tjera natyrore. Shqipëria renditet e 43-ta në botë për rrezikun nga tërmetet, ndërsa lëkundjet shkatërruese mund të shfaqen çdo shekull. Ekspertët tregojnë se vendi nuk ka as fondet e as infrastrukturën e mjaftueshme për të përballuar dukuri të tilla. Ja qytetet më të rrezikuara nga tërmetet dhe llojet e ndërtesave që shemben

Amfiteatri 2700-vjeçar i Durrësit, një vepër gjigante antike, u zbulua vetëm në fund të viteve ‘60. Vendasit thonë se shkak u bë fundosja e një fiku që zgjoi kuriozitetin edhe të arkeologëve për të zbuluar pse pema u zhyt thellë në tokë. Pas gërmimeve poshtë kodrës plot me banesa u gjet objekti gjigant antik 2700-vjeçar, Amfiteatri i Durrësit. Gërmimet zbuluan se poshtë qytetit të Durrësit ishin rrënojat e një qyteti antik të vjetër.

Llambro Duni, ekspert i njohur i sizmologjisë në vend, thotë se ka dëshmi të besueshme se qyteti i vjetër i Durrësit (Dyrrahum) është goditur disa herë nga tërmete të fortë, të cilët kanë shkaktuar dëmtime serioze njerëzore dhe ekonomike. Të dhënat historike tregojnë se në vitet 177 para Krishtit, 344 pas Krishtit dhe më vonë në vitet 506, 1273, 1279, 1869 dhe 1870 qyteti është shkatërruar totalisht.

Duni thotë se goditje të ngjashme ka pësuar edhe Butrinti në vitin 1153 dhe Apolonia që është shkatërruar tërësisht në shekullin I, para Krishtit. Më vonë, gjatë shekullit XX, vendin tonë e kanë prekur një numër tërmetesh të fuqishëm, ndër të cilët tërmeti i Shkodrës i vitit 1905; ai i Pogradecit, i vitit 1911; Tepelenës i vitit 1920; i Lushnjës i vitit 1959; i Korçës i vitit 1960; i Fierit i vitit 1962; i Dibrës më 1967; tërmeti i 15 prillit 1979 me epiqendër në territorin e Malit të Zi si dhe tërmeti i 9 Janarit 1988 në Tiranë.

Por tërmeti i fundit, që ndodhi në Italinë Qendrore shumë afër Romës me magnitudë 6.4 ballë, duke shkaktuar më shumë se 250 viktima dhe duke rrënuar qindra shtëpi, ka krijuar pasiguri edhe në vendin tonë, pasi Shqipëria, njësoj si Italia, Greqia dhe Turqia është në një rajon në mes të pllakave tektonike që, sipas studiuesve prodhojnë tërmet rreth 6 ballë gati çdo vit.

Përtej pasojave sociale, këto fenomene natyrore të pashmangshme kanë ndikim të madh në ekonominë e vendeve. Shqipërisë, ndër vite, i është dashur të paguajë një faturë të lartë për shkak të dëmeve që kanë krijuar fatkeqësitë, të tilla si tërmetet, përmbytjet dhe zjarret etj. Një studim që ka bërë Qendra Europiane për Çështje të Sigurisë, tregon se humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi midis viteve 1974-2006, janë llogaritur mesatarisht në 8.5 miliardë lekë në vit.

Ndërsa eksperti Duni, në studimet e tij për riskun e tërmeteve, thotë se, nëse një tërmet i përmasave 6 ballë prek kryeqytetin, objektet që rrezikojnë shembjen janë ato të ndërtuara para viteve 1960, kryesisht parafabrikatet dhe ato me qerpiç. Ndërsa për ndërtesat pas viteve ‘90 garancia është më e lartë, pasi për ndërtimin e tyre është përdorur hekur dhe beton.

Hajredin Fratari nga Konfindustria shqiptare, një nga ndërtuesit më të hershëm në vend, thotë se përgjithësisht, ndërtimet në Tiranë në dy dekadat e fundit janë realizuar duke marrë në konsideratë tërmete nga 7-8 ballë, por ai nuk e përjashton mundësinë e abuzimeve me hekurin dhe betonin. Në Tiranë nuk funksionojnë analizat për cilësinë e betonit dhe të hekurit. Për më tepër nuk respektohen eurokodet dhe operohet ende me standardet ligjore të sizmologjisë e ligjit të 1989.

Objektet që rrezikojnë shembjen

Studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri.

Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960.

Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara.

Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike, ndërsa ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve.

Studimi tregon se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave.

Në rast të tërmeteve me ndikim të lartë, që mund të ndodhin një herë në 500 vjet, potenciali energjetik i çliruar është i aftë të shkaktojë një katastrofë të ndërtimeve në nivel kombëtar.

Por procesi i zhvendosjes së popullsisë ka ulur impaktin e tërmeteve të fortë në vatrat tërmetore në veri dhe jug të vendit, por ka rritur dukshëm ekspozimin në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera që ndikohen nga zonat burimore të tërmeteve në zonën bregdetare.

Ekspertët e Institutit të Sizmologjisë tregojnë se parametrat e parë sizmike që shoqëronin të parën hartë të zonimit sizmik të Shqipërisë u miratuan në vitin 1952. Më vonë, në vitet ‘60, është bërë një rishikim i rrezikut sizmik ku janë bërë përmirësime.

Pas tërmetit të vitit 1979, në Malin e Zi u miratua një hartë sizmike e Shqipërisë. Më vonë gjatë viteve ‘80 është bërë një rishikim i përgjithshëm i kushteve teknike të projektimit antisizmik dhe kanë hyrë në veprim rregullat e reja për qëndresën ndaj tërmeteve në vitin 1989, të cilat vijojnë të jenë sot e kësaj dite në fuqi.

Vrojtimet e bëra deri tani për dëmet e shkaktuara nga tërmetet tregojnë se projektimi korrekt i një strukture duhet të marrë në konsideratë ndikimin e dukurive të mësipërme në themelet e godinës.

Shqipëria, e 43-ta në botë për rrezikun nga tërmetet

Në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet. Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke e klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.

Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton që qysh prej shekullit II para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur prej 55 tërmetesh të fortë me intensitet deri në 8 ballë. Prej këtyre 55 tërmeteve të një periudhe më shumë se 2000-vjeçare, 36 i takojnë shekullit të 19, gjë që na bën të mendojmë se numri i tërmeteve shkatërrues të përmendur më sipër është i nënvlerësuar dhe se tërmete të tjerë shkatërrues janë fshehur në errësirën e historisë, shprehet Duni në studimin e tij.

Stacionet europiane të sizmologjisë kanë regjistruar matjen e saktë të tërmeteve në Shqipëri me magnitudë 6 ballë që në fillim të shekullit të 20-të. Ndërsa magnitudat më të ulëta deri në dy ballë kanë nisur të maten në fund të viteve 1960.

Shqipëria është në mesin e një zone të gjerë kontakti midis pllakave tektonike të Afrikës.

Rajonet që rrethojnë Shqipërinë përfshijnë një zonë tektonike mjaft të gjerë, ku bëjnë pjesë Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria Jugore dhe Turqia Perëndimore. Çdo vit, në këtë rajon ndodh të paktën një tërmet me magnitudë më të ulët se 6.5 ballë.

Skenarët shqiptarë të tërmeteve

Nga vlerësimet e rrezikut sizmik rezulton se tërmetet me magnitudë 5,0 kanë një periudhë përsëritje prej 3.6 vjetësh, ndërsa tërmetet 5.5, 6, 6.5 dhe 7 ballë kanë një periudhë përsëritje 10, 29, 94 dhe 505 vjet. Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit, nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë dhe një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë.

Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë–Ulqin, ku rrezikohen qytetet shqiptare të Shkodrës dhe Lezhës dhe qyteti Petrovac i Malit të Zi. Këto zona janë goditur nga tërmete 6-7 ballë në vitet 1905, Shkodra, në vitin 1985; Lezha me 6 ballë dhe në vitin 1979 Petrovaci me 7.2 ballë, që dha efektet gati në të gjithë Shqipërinë.

Zona e dytë sizmike është ajo e Ultësirës pranë Adriatikut me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Beratit. Pranë Tiranës në vitet 1988 është regjistruar një tërmet 6 ballë, në Durrës në vitin 1926 është regjistruar një termet 6,6 ballë dhe në Berat në vitin 1959 në termet 6.6 ballë.

Zona e tretë sizmike është ajo e bregdetit Jon me qytetet e Vlorës, Himarës, Tepelenës dhe Sarandës. Këto dy të fundit janë goditur në vitin 1920 nga tërmeti me fuqi 6.6 ballë, Himara është goditur në vitin 1930 nga një tërmet 6.6 ballë dhe Vlora në vitin 1962 nga një tërmet 6.6 ballë.

Zona e katërt është Kukës–Peshkopi, ku të dy këto qytete janë të ekspozuara. Në vitin 1998, në Kukës, është regjistruar një tërmet 6 ballë dhe në Peshkopi, një tërmet 6 ballë në vitin 1942.

Zona e pestë sizmike është ajo Dibër-Elbasan-Korçë, ku ekspozimin më të lartë e ka qyteti i Elbasanit. Në liqenin e Ohrit, është regjistruar në vitin 1911 një tërmet me fuqi 6.7 ballë dhe Leskovik në vitin 1919, një tërmet po me fuqi 6.7 ballë. Në Elbasan në vitin 1967 është regjistruar një tërmet me fuqi 6.6 ballë.

“Shuhet” stafi…

Rrjeti sizmologjik aktualisht përbëhet nga 13 stacione plus 34 stacione të tjera “të lëkundjeve të mëdha”. Ky rrjet po operon tashmë si një sistem dixhital, i integruar plotësisht, nëpërmjet përdorimit të komunikimit satelitor. Këto rrjete monitorimi janë e vetmja infrastrukturë sizmologjike në vend, që trajton monitorimin dhe studimin e aktivitetit sizmik në Shqipëri. Personeli i shërbimit sizmografik është trajnuar së fundi nga NATO, për është i nevojshëm trajnimi i mëtejshëm i tyre, për arsye se sizmologët ekzistues (6 veta) marrin pjesë në kërkim-shpëtim, evakuim, trajtim e transportim të personave të plagosur. Ekspertët thonë se sfidë mbetet kualifikimi dhe përgatitja e burimeve njerëzore në të ardhmen. Të rinjtë nuk kanë interes të fokusohen në sizmologji, për shkak se shpërblimet financiare nuk i korrespondojnë investimit në fushën kërkimore.

Kapacitetet për reagimin

Në një studim që koloneli Foto Duro ka bërë për Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë, thotë se kapacitetet reaguese ndaj situatave të emergjencës sigurohen nga institucione të ndryshme, midis të cilave, pjesa kryesore është kontribut i ushtrisë. Për shërbimet jetësore janë në dispozicion për evakuim 16 kamionë, 17 helikopterë dhe rreth 65 motobarka të vogla.

Për strehim janë në dispozicion tenda për 17 mijë njerëz vetëm nga ushtria plus tenda të siguruara nga të tjera institucione.

Në dispozicion të ushqimit janë dy njësi prodhimi bukë për 2400 kilogramë bukë në ditë dhe 12 kuzhina për deri në 3000 racione në ditë. Për ujin e pijshëm janë në dispozicion 7 autobote, që në total sigurojnë 67 tonë 11 pompa. Dy njësi janë për pastrim uji dhe dy njësi dushesh që përballojnë 200 veta në ditë, që mund të ngrihen jashtë zonës së prekur, 72 orë pas shpalljes së emergjencës. Gjashtë njësi janë në dispozicion për situata tërmeti, përmbytje, zjarre, 2 helikopterë nga ushtria janë për aksidente ajrore apo në det dhe 4 anije nga ushtria për aksidente në det.

Duke krahasuar Shqipërinë dhe Estoninë, konstatohet se në rang vendi, një automjet zjarrfikës u shërben respektivisht 37 mijë personave (Shqipëri) dhe 6 mijë personave (Estoni), ndërsa në kryeqytetet e tyre, këto shifra janë respektivisht 52 mijë dhe 33 mijë persona. Duke konsideruar ndihmën mjekësore, në rang vendi, një autoambulancë u shërben respektivisht 17,800 personave në Shqipëri dhe 12,700 personave në Estoni.

Një tjetër problem në lidhje me këto kapacitete është niveli relativisht i ulët i gatishmërisë teknike të automjeteve, agregateve dhe pajisjeve, i cili në vlerësim të përgjithshëm nuk shkon më shumë se 60-70%.

Burime të kufizuara financiare

Në legjislacionin aktual, nuk ka përcaktim të qartë për përqindjen e fondeve të parashikuara për menaxhimin e fatkeqësive natyrore. Por kohët e fundit është bërë një përcaktimin që ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore duhet të kenë një buxhet të ndarë për Mbrojtjen Civile, në nivel 0.3 deri në 1% të buxhetit të tyre. Ligji përcakton gjithashtu, jo vetëm nevojën që pushteti lokal të mbështetet me fonde nga ai qendror në rast fatkeqësish, por edhe detyrimin e pushtetit lokal për të përdorur për këtë qëllim të ardhurat e veta. Në nivel bashkie, 3% e buxhetit të vet, planifikohet për të kompensuar qytetarët nga dëmet prej fatkeqësive natyrore, një shumë kjo shumë më e ulët se përcaktimi në ligj që kompensimi i popullsisë së prekur nga fatkeqësia natyrore duhet të shkojë deri 40%.

Janë katër lloj buxhetesh për emergjencat: buxheti për emergjencat i MB, buxheti për emergjencat i pushtetit lokal, buxheti i rialokuar për emergjencat i ministrive të linjës dhe Fondi Rezervë i qeverisë. Pjesa dërmuese e fondit në këto lloj buxhetesh është e alokuar për parapërgatitje dhe masat e rimëkëmbjes postemergjencë. Në buxhetet e ministrive të linjës të dedikuara për zhvillim e trajnim, ka gjithashtu fonde që të paktën në letra shkojnë për emergjencat. Sidoqoftë, në terma të përgjithshëm, burimet financiare në Shqipëri, të dedikuara për RRF janë shumë të kufizuara, sidomos në nivel pushteti lokal, vlerësojnë ekspertët e fushës.

Sigurimi

Edhe pse intensiteti i fatkeqësive natyrore është shtuar së tepërmi vitet e fundit, sidomos nga përmbytjet, ende nuk ka një skemë kombëtare sigurimi për të zbutuar pasojat e fatkeqësive. Banka Botërore e ka asistuar në vijimësi Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, por ende nuk ka rezultate.

Banka Botërore ka propozuar ngritjen e skemës kombëtare të sigurimit ku parashikohet një fond i veçantë sigurimi për këtë qëllim.

Avni Ponari, administratori i kompanisë së sigurimeve SIGAL, tha se çështja e parandalimit të dëmeve financiare nga fatkeqësitë natyrore zgjidhet në dy mënyra. E para, nëpërmjet rrugës institucionale, ku duhet hartuar dhe miratuar një ligj nëpërmjet të cilit të bëhet sigurimi i detyrueshëm për fatkeqësitë natyrore. Ka një përpjekje disavjeçare në këtë drejtim, tha Ponari, por ende nuk është dhënë zgjidhja ligjore. Që të funksionojë skema e sigurimit duhet mbështetja e qeverisë për ngritjen e një fondi të posaçëm që të jetë si një e ardhur për kompanitë me destinacion kompensimin e dëmeve që krijohen nga përmbytjet.

Ndërkohë është rritur ndërgjegjësimi në zonat me risk të lartë nga fatkeqësitë natyrore për sigurimin. Ponari tha se vetëm SIGAL ka mbi 500 klientë në këto zona. Tre prej tyre ishin në zonat e përmbytura dhe përfituan totalisht nga dëmet që krijuan në të mbjella bagëti dhe banesa. Primet për sigurimin e pronës janë 15 euro, një shumë kjo mjaft e përballueshme për të shmangur humbjet që krijohen nga katastrofat natyrore të tilla si përmbytjet dhe tërmetet. Zgjidhje të ngjashme kanë bërë edhe vendet e rajonit, ku shteti ka krijuar një fond të veçantë që mbështet kompanitë e sigurimit posaçërisht për kompensimin e dëmeve që mund të krijohen nga përmbytjet.

Historia shqiptare e fatkeqësive natyrore

Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit. Në 30 vjet, midis 1980 dhe 2010, janë regjistruar 23 fatkeqësi të tilla. Prej tyre, nëntë fatkeqësi kanë qenë përmbytje, katër tërmete dhe tre goditje nga temperatura ekstreme – thuhet në një studim të bërë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë. Gjatë kësaj periudhe, referon studimi, për shkak të këtyre fatkeqësive, 163 njerëz humbën jetën, ndërsa rreth 4 milionë u prekën në një masë apo në një tjetër. Shqipëria është një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore.

Së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Lindor e Juglindor, ajo ka pësuar pothuajse çdo vit një tërmet me magnitudë më pak se 6.5 ballë.

Shtatë qytetet më të mëdha të Shqipërisë futen në zonën me probabilitet 75% prej këtij rreziku. Rreth 10% e territorit shqiptar konsiderohet “e paqëndrueshme”, objekt i rrëshqitjes së dherave.

Përmbytja e Ultësirës Perëndimore (sipas skenarit më të keq në 100 vjet) mund të prekë seriozisht 20 rrethe, 110 komuna, 341 fshatra, 85500 banesa (në rreth 7.9 milionë m²) rreth 565 mijë njerëz.

Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve. Shpërthimi i tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë). Studimi nxjerr në pah se, Shqipëria është një nga vendet mesdhetare që preket më shumë nga zjarret, pasi pyjet zënë rreth 29% të sipërfaqes. Në vitin 2007, sipërfaqja totale e djegur (për shkaqe natyrore apo nga njeriu) arriti 127 mijë hektarë./Artikull i robotuar i Monitor, publikimi i parë në vitin 2016/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY