HISTORI/ Keshtu u shpall Ahmet Zogu mbret me 1 shtator

HISTORI/ Keshtu u shpall Ahmet Zogu mbret me 1 shtator

202
0
Shares

Me 1 shtator te vitit 1928 Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqiptareve.

Nga kronika e kohës, orë pas ore e ditë pas dite mbi vendimin historik të kurorës mbretërore të Zogut.

Ai kishte katër vjet që ishte bërë i gjithëpushtetshëm si rezultat i aftësive të tij, por edhe gabimeve të rënda që bën kundërshtarët. Po të donte ai ishte bërë mbret që në vitin 1924, madje i sigurt ishte në janarin e vitit 1925, por nuk u ngut. Largimi i Princ Vidit që kishte lënë shtegun hapur, pasi nuk kishte abdikuar, forma e regjimit ndryshonte natyrshëm. Kjo ishte një arsye më shumë për të shpallur së pari Republikën, (21 janar 1925), për të konsoliduar pushtetin, dhe pastaj për të pritur momentin e përshtatshëm, për të hipur në Fron. Republika do ta kishte jetën të shkurtër, sepse ishte koha e Mbretërive. Kujtojmë se, i gjithë Ballkani, Italia dhe shumë shtete në Europë ishin Monarki. Gjithashtu, mendësia e shqiptarëve në këtë kohë anonte nga forma monarkike e regjimit. Shpallja e Mbretërisë do të ishte dhe qe një hap tjetër i rëndësishëm, në stabilitetin e shtetit shqiptar. Në vitin 1928, Ahmet Zogu e kuptoi se koha e përshtatshme për të shpallur Mbretërinë kishte ardhur, por për këtë u ndërmorën të gjitha hapat e nevojshme kushtetuese. Më 1 qershor 1928, kryetari i Republikës iu drejtua me një mesazh të dy dhomave legjislative.

Më 7 qershor 1928, ndryshimi i Kushtetutës (Statutit)

Dhoma e Deputetëve dhe Dhoma e Senatit, në një mbledhje të përbashkët vendosën një shtojcë në nenin 141 të Statutit, si vijon: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket Asamblesë Kostituente. Kur vendoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit sipas procedurës të caktuar në këtë artikull, të dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndara dhe dekretohen zgjedhje për Asamble Kostituente sipas Art.47 të Statutit.”

Më 16 qershor 1928, dekretohen zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese

Në mbështetje të nenit të mësipërm, u dekretuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese.
Më 17 gusht 1928, bëhet votimi direkt
Me votim indirekt, një asembleist për 15.000 banorë dhe për çdo fraksion që i kalonte 7.500 banorë

23 gusht 1928, festë në Durrës dhe në Tiranë ende pa u kurorëzuar

Ndërkohë, shpallja e afërt e Mbretërisë ishte bërë publike. Ahmet Zogu kishte njoftuar dhe marrë aprovimin e fuqive të mëdha, (së pari të Italisë), për hapin që po hidhte. Në gjysmën e dytë të gushtit, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit u zhvilluan manifestime në përkrahje të shpalljes së Monarkisë. Një rast për manifestim qe edhe kthimi i Zogut nga Durrësi më 23 gusht 1928

Më 25 gusht 1928, në orën 09.30, zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese

Inagurimi i spitalit të Tiranës, “Zogu i I”, sot “Nënë Tereza”, shtator 1932

Asambleja Kushtetuese zhvilloi mbledhjen e parë. Pasi u lexuan emrat e asambleistëve, Pandeli Evangjeli u zgjodh kryetar i përkohshëm si deputeti më i vjetër, ndërsa Ejëll Serreqi u zgjodh sekretar si deputeti më i ri. Pasi u ngrit komisioni i verifikimit të kredencialeve (mandateve), seanca u mbyll.

Më 27 gusht, në orën 16.00, betimi i deputetëve

Mbledhja e dytë e Asamblesë Kushtetuese, e cila filloi me leximin dhe pranimin e raportit të komisionit të kredencialeve (mandateve). Deputetët bënë betimin, si vijon: “Betohem botënisht se si asambleist kam për të kryem detyrën e ngarkueme prej popullit me ndërgjegje të plotë dhe vetëm për të mirën e përgjithshme t’Atdheut”, (Bisedimet e Asamblesë Kostituente, Nr.1, Tiranë, 1928, f.7). Pas kësaj u zgjodh kryesia e Asamblesë Kushtetuese: Pandeli Evangjeli, -kryetar; Ferit Vokopola, nënkryetar; Fiqri Rusi – kujdestar; Ejëll Serreqi – sekretar. Në përfundim të mbledhjes së dytë, Pandeli Evangjeli njoftoi se në rend të ditës ishte rishikimi i përgjithshëm i Statutit, ndërkohë gazetat hamendësonin rreth titullit të Mbretit.

Më 29 gusht, në orën 17.00, lexohen letrat e popullit

U zhvillua mbledhja e tretë, ku u lexuan telegramet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe u vijua me diskutimet e 24 deputetëve, të cilët kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe proklamimin e Zogut Mbret të Shqiptarëve.

Më 30 gusht 1928, mblidhet Komisioni i posaçëm

Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri.

Më 1 shtator 1928, në orën 09:00, votim në këmbë për Mbretin

U zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë. Kështu, në orën 9:12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqiptarëve. Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin.

1 shtator 1928, në ora 17:00, ceremoniali i kurorëzimit mbret

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Mbretëror (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat. Në orën 10:00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17:00, por në fakt bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14:00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16:00, u dëgjua buçitja e trumbetave dhe më pas himni kombëtar.

PSE MBRET I SHQIPTARËVE DHE JO I SHQIPËRISË…

Në fakt ka qenë një lëvizje e menduar prej kohe, por e përmendur më 29 gusht në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë, gjë që kishte një kuptim të qartë kombëtar dhe politik. Po të quhej i Shqipërisë , kufizohej brenda kufijve të territorit të atëhershëm, por ai kishte synim të mbretëronte e dhe në territoret jashtë Shqipërisë, madje edhe diasporën.

…DHE PSE ZOGU I PARË DHE JO AHMET ZOGU

Gjatë gjithë votimit, por edhe më pas të betimit të Mbretit, deputetët qëndruan më këmbë Në kundërshtim me zakonin e mbretërve në Evropë, për të evidentuar emrin, Ahmet Zogu zgjodhi mbiemrin (Zog I) për emërtim zyrtar. Emri Ahmet iu duk i papërshtatshëm për drejtimin që kishte vendosur t’i jepte vendit.

Shpetim AXHAMI
Kryetar i PLL

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY