“13- Tetori”, Basha tregon planin: Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në të njëjtën...

“13- Tetori”, Basha tregon planin: Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë

70
0
Shares

Kryetari i opozitës Lulzim Basha është shprehur tejet i qartë dhe i vendosur se misioni i tij, i PD dhe Opozitës së Bashkuar mbeten: zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Në një prononcim për mediat sot, Basha rikthesoi se zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi ta thonë fjalën e tyre me një votë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar.

Basha the se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar.

Ai u tregua i bindur se zgjidhja e vetme e krizës është një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale.

“Data 13 tetor është data kushtetuese për zgjedhjet vendore e dekretuar nga Presidenti i Republikës”,-u shpreh Basha.

KOMUNIKIM I KRYETARIT BASHA ME GAZETARËT

Pyetje: Z. Basha deri më tani keni denoncuar dy kryebashkiakë të rinj, të cilët kanë patur probleme me drejtësinë më përpara. Pritet që në ditët në vijim të ketë emra të tjerë që do të denoncohen nga Partia Demokratike?
Basha: Partia Demokratike po shqyrton të gjitha rastet, bëhet fjalë për dhjetëra individë me rekorde kriminale të garuar nga Edi Rama, të kandiduar Edi Rama, sigurisht nuk janë as kryebashkiakë, as këshilltarë, janë pjesë e një procesi antikushtetues. Por për të qëndruar tek Jorgo Kajmaku dua të dënoj heshtjen e Edi Ramës. Ka 24 orë që Partia Demokratike ka publikuar dokumentat zyrtare që provojnë se Jorgo Kajmaku është në shkelje të Ligjit të Dekriminalizimit dhe duhet sot të ishte marrë i pandehur nga Prokuroria. Dua po kështu të dënoj heshtjen e prokurorisë e cila si një shtojcë e pushtetit të Edi Ramës sa herë që i duhet Edi Ramës për propagandë, bën lëvizje propagandistike, por edhe ajo ka 24 orë që hesht. Pse hesht Prokuroria?Pse hesht Arta Marku dhe veglat e saj?Rekordet zyrtare që provojnë që Jorgo Kajmaku është një person me llogari të hapura me drejtësinë greke janë publikuar, kjo e bën atë automatikisht përgjegjës para drejtësisë shqiptare, para ligjit shqiptar e në veçanti para ligjit për Dekriminalizimin dhe Kodin Penal. Kanë 24 orë që heshtin. Heshtja e Edi Ramës dhe e Prokurorisë tregojnë fare qartë se Jorgo Kajmaku është kandiduar me dijeni dhe bekimin e Edi Ramës edhe kur ky i fundit kishte të njëjtat fakte dhe dinte të njëjtat të vërteta që sot di çdo shqiptar, që ai ishte një person i cili sipas Ligjit të Dekriminalizimit nuk mund të kandidohej, jo vetëm kaq por ishte një person i cili duhet dhe ka llogari të hapura tashmë jo vetëm me drejtësinë greke por edhe me drejtësinë shqiptare.
Tregon po kështu krizën e thellë në të cilën ndodhet prokuroria shqiptare dhe paralizën e sistemit të drejtësisë ku të pambrojturit, të varfrit, të pamundurit, goditen ditë për ditë në mënyrë të paligjshme, ndërsa ata që janë në shkelje të ligjit siç është Jorgo Kajmaku apo Valdrin Pjetri, i cili po kështu nuk kemi asnjë të dhënë që prokuroria të ketë nisur procedurat për ta marrë të pandehur për shkeljen e ligjit të dekriminalizimit, këta mbrohen sepse i mbron Edi Rama.
Është e qartë pra për çdo shqiptar se krimi i organizuar me mbështetje politike i cili është një problem i madh për ekonominë e vendit tonë sepse janë këta njerëz që së bashku me oligarkët vjedhin paratë e shqiptarëve me koncesione, me tendera, me PPP-ra, me pseudo PPP-ra, që vjedhin pasuritë e shqiptarëve; nga nafta tek bregdeti, tek mineralet, që shkatërrojnë biznesin dhe shkatërrojnë vendet e punës. Këta njerëz janë aty sepse mbrohen dhe promovohen nga Edi Rama.

Pyetje: Z. Basha, a mund të na thoni diçka për takimin me delegacionin gjerman. A erdhën ata për zgjidhjen e krizës?
Basha: Pikërisht këtu dua të vij. Pra, kjo është një provë më shumë, a thua se duhen më shumë prova, se mali i provave është bërë më shumë se mali i Dajtit, që zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi ta thonë fjalën e tyre me një votë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Çka do të thotë një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale.
Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i sotëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, zonjën (Katja) Leikert, komunikim i cili vazhdon intensivisht, në mënyrë pothuajse të përditshme, dhe do të vazhdojë, edhe në ditët e javët në vijim. Një gjë është e sigurtë, opozita e bashkuar dhe Partia Demokratike janë të vendosura në qëllimin që i kanë vënë vetes prej ditës së parë. Ky qëllim është t’i shërbejë interesit të qytetarëve dhe jo zgjidhjeve artificiale për hir të karrigeve tona apo të pushtetit tonë. Zgjidhja e kësaj krize duhet të vijë përmes pushtetit të atyre mekanizmave dhe atyre garancive që do të pengojnë çdo qeveri të ardhshme të bjerë në të njëjtin batak. Ky është misioni im, ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i opozitës së bashkuar.

Pyetje: Zoti Basha, së shpejti nis edhe sesioni i ri parlamentar. A do të nisin bashkë me të edhe protestat e opozitës? Çfarë aksioni politik do të ketë shtatori?
Basha: Opozita ka vazhduar gjatë gjithë verës aksionin e saj, përfshirë edhe protestat, dhe do të vijojë të bëjë të njëjtën gjë. Por së bashku me qytetarët shqiptarë, opozita, përveç protestave, që do të jenë edhe më të mëdha, edhe më të fuqishme, në një situatë që është edhe më e vështirë, edhe më e pakapërdishme për njerëzit, siç është kjo e sotmja, me ekonominë, me gjendjen e një krize totale, me buxhetin e vjedhur e të grabitur, me taksa të rritura edhe më shumë, që parashikoj e parathonë protesta edhe më të fuqishme, paralelisht me këto do të fokusohemi edhe më shumë në zgjidhjet që do t’u ofrojmë shqiptarëve, zgjidhje të cilat do të jenë si në rrafshin e përditshmërisë së tyre, ku po punojmë intensivisht, në kuadër të programit tonë për marrëveshje me të gjitha grupet e interesit, duke vijuar në shtator me biznesin e vogël dhe me fermerët, dhe më vonë edhe me grupet e tjera të interesit, dhe nga ana tjetër platformën për Shqipërinë si Evropa, që do të thotë se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë gati dhe janë gati që bashkë me shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, duke përfshirë edhe socialistët e ndershëm, të dëshmojnë kapacitetet dhe vendosmërinë tonë për t’u dhënë fund problemeve të cilat kanë bllokuar perspektivën evropiane të Shqipërisë, në veçanti luftën kundër krimit të organizuar, dekriminalizimin e plotë të politikës dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin, siç është rasti i dosjeve 184 dhe 339, për të cilat më kot ata që duhet dhe do të dalin para drejtësisë shpresojnë se do t’i varrosin me vapën e gushtit.

Pyetje: Gjermanët do të luajnë rolin e negociatorit?
Basha: Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë në bashkëpunim dhe koordinim të përditshëm me të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe ne e vlersojmë shumë rolin e tyre, vëmëndjen e tyre. Në këtë rast padiskutim që vlersojmë edhe rolin, interesin dhe ndihmën që Gjërmania, Bundestagu gjerman, CDU-CSU si pjesë e Bundestagut, japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet prapa, mos të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt integrimit në Bashkimin Europian, të ecë drejt hapjes së negociatave. Padiskutim që vend mund të shkojë dhe do të shkojë drejt Bashkimit Europian duke u sjellë si një vend europian, duke u sjellë si shoqëri europiane, duke u sjellë si politikë europiane dhe pengesa kryesore sot për këtë është kapja politikës, institucioneve dhe ekonomisë nga një grup i strukturuar kriminal që tashmë çdokush e ka identifikuar si Organizata e Rilindjes me në krye Edi Ramën.

Pyetje: Zoti Basha, ju thatë se kërkoni një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato vendore. Por, çfarë ndodh me 13 tetor?
Basha: Data 13 tetor është data kushtetuese për zgjedhjet vendore e dekretuar nga Presidenti i Republikës. 13 tetori është një tjetër tregues i kapjes së të gjitha institucioneve të lira dhe i paligjshmërisë në të cilën është zhytur i ashtu quajturi Komision Qëndron i Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera që e kishin për detyrë kushtetuese të nisnin procesin zgjedhor vendor me 13 tetor. Siç e keni parë, ata jo thjesht kanë dështuar, por në bindje të urdhrave politikë kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të dhënë një tjetër provë se me Edi Ramën nuk mund të ketë asnjë lloj procesi, as zgjedhor e as votimi. As kur kandidon vetëm, voton vetëm dhe numëron vetëm.

Pyetje: Zoti Basha, sa i përket Shkodrës, nëse KQZ vendos të bëjë zgjedhje të pjesshme në bazë të Kodit Zgjedhor, çfarë do të bëjë PD?
Basha: Kushtetuta është e qartë. KQZ mund të bëjë zgjedhje edhe në Vietnam, kështu siç kanë shkuar punët, por KQZ-ja nuk ka asnjë tagër të organizojë një proces kur i teket dhe si i teket, por duhet të ndjekë dhe të zbatojë Kushtetutën dhe dekretin e Presidentit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY