ARTIKUJT/ Mediat nderkombetare nxijne zgjedhjet moniste ne Shqiperi

ARTIKUJT/ Mediat nderkombetare nxijne zgjedhjet moniste ne Shqiperi

127
0
Shares

Mediat nderkombetare te SHBA, Gjermanise, Britanise, Austrise, Zvicres damkosin si moniste, komuniste antidemokratike, kthim tek e shkuara, farsen moniste te 30 qershorit!

Me poshte te gjitha shkrimet, te cilat jane mbledhur dhe pergaditur nga Berisha.

1- Gazeta prestigjoze gjermane: Votimet monopartiake, ndikim negativ në hapjen e negociatave

Një prej gazetave më të mëdha në Gjermani, “Sueddeutsche Zeitung”, në një artikull mbi votimet e djeshme moniste në Shqipëri, shkruan s, ky proces do ndikojnë negativisht tek vendimi për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Zgjedhjet e dështuara vendore hedhin dritë mbi gjendjen e demokracisë në vend”, shkruan në artikullin e tij gazetari gjerman Peter Muench.

Artikulli:

Nga Peter Muench

Rezultati më i rëndësishëm i zgjedhjeve lokale nga Shqipëria: Nuk pati dhunë. Qytetarët ishin në gjendje që të shkonin në votime të dielën në një qetësi relative, por kjo qetësi erdhi edhe për shkak se vështirë se dikush nga 3.5 milionë votuesit, donte të hidhte votën e tij. Opozita kishte bërë thirrje për bojkot, pjesëmarrja në mbarë vendin ishte vetëm 21.6 përqind. Ky është rezultati i një konflikti të thellë mes socialistëve në pushtet të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, e cila e ka sjellë vendin në pragun e një krize shtetërore, duke hedhur një hije të zezë mbi aspiratat e pranimit në BE.

Trazirat që rrethuan zgjedhjet lokale nxjerrin në pah gjendjen e demokracisë shqiptare. Që nga mesi i muajit shkurt, anëtarët e opozitës kanë bojkotuar parlamentin. Ka protesta në rrugë thuajse çdo javë, të cilat vazhdimisht kanë degjeneruar në dhunë. Opozita po kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama, të cilin e akuzon për korrupsion, manipulim të zgjedhjeve dhe lidhje me krimin e organizuar.

Në fillim të qershorit, presidenti Ilir Meta, duke iu referuar klimës së nxehtë politike, anuloi zgjedhjet e planifikuara për 30 qershor. Ai argumentoi se pa pjesëmarrjen e opozitës nuk mund të ketë zgjedhje të vërteta, demokratike dhe përfaqësuese. Ai shpalli 13 tetorin si datën e zgjedhjeve të reja. Kryeministri Edi Rama megjithatë e anuloi dekretin dhe komisioni zgjedhor gjithashtu këmbënguli tek data origjinale.

Së fundmi Rama nisi një procedurë për shkarkimin e presidentit, zgjedhjen e të cilit e pati mbështetur në vitin 2017. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese, që ka në fund të fundit juridiksionin për këtë gjë, nuk është në gjendje të marrë vendime prej më shumë se një viti, për shkak se shumica e gjyqtarëve janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqje. Arsyeja: BE ka nxitur një reformë në drejtësi, e cila synon shqyrtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për burimin e pasurisë dhe lidhjet me krimin e organizuar. Rënia e numrit të gjyqtarëve dëshmon se sa fort ka depërtuar korrupsioni në Shqipëri. Edhe kjo është një pasojë e krizës së vazhdueshme politike në shtetin ballkanik, që e hoqi qafe komunizmin vetëm në vitin 1991, me vonesë nga europiano-lindorët e tjerë. Më parë, vendi ka qenë i mbyllur për dekada dhe sundohej në mënyrë staliniste nga udhëheqësi paranojak, Enver Hoxha. Që nga fundi i diktaturës, socialistët dhe demokratët janë alternuar në qeveri, duke ndërtuar strukturat e tyre të pushtetit mbi një sistem klientelist dhe duke kultivuar një armiqësi shkatërruese ndaj kampit tjetër politik.

95% e popullsisë dëshiron të jetë anëtare e BE-së.

Antagonistët bashkohen vetëm në dëshirën e fiksuar për integrimin perëndimor të vendit, që është pjesë e NATO-s prej vitit 2009. Që nga viti 2014, Shqipëria është gjithashtu vend kandidat për në BE. Sipas sondazheve, 95 përqind e popullsisë dëshiron të jetë anëtare e BE-së. Jo më pak për shkak të trazirave politike të muajve të fundit, fillimi i negociatave për anëtarësim, i planifikuar për këtë verë, është lënë në pritje.

Mbajtja e zgjedhjeve të lira është një nga kërkesat kryesore të BE-së ndaj vendeve kandidate, dhe me këto zgjedhje lokale, Shqipëria nuk duket se e ka promovuar veten në këtë rast.

Më parë, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i bëri thirrje përsëri opozitës që të heqë dorë nga bojkoti dhe të kërkojë marrëveshje politike. Më kot- në 35 nga 61 bashkitë, pati vetëm kandidatë socialistë në votim. Në bashkitë e mbetura pati edhe ndonjë kandidat nga parti më të vogla të majta ose të qendrës së djathtë.

Procesi kryesisht paqësor në ditën e zgjedhjeve ishte ndoshta për shkak të vendosjes së 12 mijë policëve. Në ditët përpara zgjedhjeve pati raportime për sulme dhe zjarrvënie në qendrat e votimit, me qëllim parandalimin e votimeve. Në ditën e zgjedhjeve, një person i armatosur hyri në një qendër votimi në qytetin port të Durrësit. Në kryeqytet pati protesta të kufizuara me thirrje për bojkot.

Më pas, si kryeministri Rama dhe udhëheqësi i opozitës, Basha, propaganduan një ditë të suksesshme për partitë e tyre. Basha e sheh vetën të konfirmuar nga pjesëmarrja e ulët në kursin e bojkotit, ai tha se zgjedhjet ishin të paligjshme dhe në shkelje të Kushtetutës.

Rama u ndje i inkurajuar nga fakti se ia doli të mbajë zgjedhjet. Ai flet për një mësim historik për të gjithë partitë. Megjithatë, konfrontimi duhet të vazhdojë.

2- Zgjedhjet monopartiake/ Gazetari i famshëm anglez jehonë kritikave të OSBE/ODIHR

Zgjedhjet monopartiake/ Gazetari i famshëm anglez jehonë kritikave të OSBE/ODIHR
Shumë media dhe gazetarë të huaj po i quajnë votimet e djeshme në Shqipëri si monopartiake.

Një prej tyre është edhe gazetari i njohur britanik Tim Judah, artikullshkrues në “The Economist” e media te tjera më të njohura në botë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Judah i bën jehonë kritikave që u publikuan sot në raportin e OSBE/ODIHR.

“Misioni i vëzhguesve kritika zgjedhjeve monopatiake në Shqipëri”, shkruan Judah në postimin e tij në twitter, duke i bashkangjitur edhe një artikull ku flitet mbi kritikat e OSBE/ODIHR mbi votimet e së dielës.

3-
Intervista për BBC/ Basha: Të dielën nuk pati zgjedhje në Shqipëri

20:22, 01/07/2019
Intervista për BBC/ Basha: Të dielën nuk pati zgjedhje në Shqipëri
Një ditë pas votimeve monopartiake në Shqipëri, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një intervistë për BBC World Service është shprehur se ditën e dielë në Shqipëri nuk ka patur zgjedhje.

Sipas liderit të opozitës, nuk mund të kishte zgjedhje me një qeveri që është provuar se ka vjedhur zgjedhjet e fundit në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Sipas Bashës, askush nuk po heton mbi këto fakte dhe askush nuk është ndëshkuar.

Lulzim Basha: Të dielën në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje. As nga pikëpamja kushtetuese, pasi Presidenti anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, duke nënvizuar tensionin e lartë politik, dhe pamundësinë për të pasur një alternativë të vërtetë për shqiptarët, dhe në mënyrë substanciale, nuk kishte zgjedhje sepse qeveria në pushtet është provuar se ka vjedhur zgjedhjet e fundit në bashkëpunim me krimin e organizuar duke mos ndëshkuar ata të cilët u kapën nga prokurorët e antimafias.

Askush nuk po heton, askush nuk është arrestuar, askush nuk është burgosur, të gjithë këta kriminelë me të njëjtët politikanë sërish kanë përgatitur një krim tjetër elektoral, një farsë tjetër elektorale, për të cilat partitë e opozitës ishin thjeshtë një fasadë, për të cilën partitë opozitare ishin thjeshtë një fasadë.

Bbc World Service, Alex Ritson: Jam kurioz, sepse ju thatë se nuk ka pasur zgjedhje në teori, por praktikisht, ka pasur zgjedhje dhe tani partia juaj nuk ka një mandat demokratik.

Lulzim Basha: Nuk ka pasur zgjedhje, as nga pikëpamja formale, siç deklarova.

Bbc World Service, Alex Ritson: Çështja ime është ndryshe. Ju nuk do të mund të njihni zgjedhjet por njerëzit shkuan tek kutitët e votimit, zgjedhjet u zhvilluan, do të ketë një rezultat të këtyre zgjedhjeve.

Lulzim Basha: Kjo është hera e parë që pas rënies së regjimit komunist, një parti vendos se kur do të mbahen zgjedhjet dhe këtë nuk e bën Kushtetuta. Është njësoj sikur Partia Konservatore në Britaninë e Madhe të vendosë të mbajë zgjedhjet nesër, kundër të gjitha rregullave dhe standardeve të Britanisë së Madhe, dhe të thërriste këdo që dëshiron t’i bashkohet në zgjedhje nesër. Është absurde. I vetmi autoritet i cili vendos datën e zgjedhjeve, është Presidenti, i cili ka anuluar 30 qershorin si ditë zgjedhjesh dhe ka vendosur një datë tjetër zgjedhjesh. Por diskutimi është përtej kësaj.

Intervista audio e Lulzim Bashës për BBC, pas minutës së 12:

https://www.bbc.co.uk/sounds/play/w172wpk91cy0pbs

4- Nikolla Pano: Ligjshmëria e votimeve të 30 qershorit në Shqipëri e dyshimtë

Nikolla Pano: Ligjshmëria e votimeve të 30 qershorit në Shqipëri e dyshimtë
Akademiku i njohur: Zgjedhjet vendore nuk zgjidhën çështjet e mbetura pezull

Profesor Nikolla Pano, një vëzhgues i vëmendshëm i çështjeve shqiptare i tha Zërit të Amerikës se zgjedhjet vendore në Shqipëri nuk zgjidhën ndonjë nga çështjet e mbetura pezull. Ai tha se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ekzistojë në gjendjen e trazirës që ka qenë tipari i pjesës më të madhe të vitit 2019. Me zotin Pano bisedoi kolegu ynë Ermal Mërtiri.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, cili është vlerësimi juaj paraprak për këto zgjedhje lokale tepër të pazakonta që kaloi Shqipëria?

Profesor Pano: Pikë së pari, jam shumë mirënjohës, dhe e di që njerëzit në Shqipëri dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan janë mirënjohës, për faktin që nuk pati dhunë të vërtetë që shoqëroi zgjedhjet, që ato ishin paqësore dhe që anëtarët e komunitetit të votuesve shqiptarë që patë dëshirën të merrnin pjesë, e patën mundësinë të votojnë. Por, në fund të ditës, zgjedhjet vërtet nuk zgjidhën ndonjë nga çështjet e mbetura pezull në Shqipëri. Tani duhet të presim hapin e ardhshëm pas zgjedhjeve. Qartësisht, Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ekzistojë në gjendjen e trazirës që ka qenë tipari i pjesës më të madhe të vitit 2019.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, sa legjitime janë këto zgjedhje, në mendimin tuaj?

Profesor Pano: Ekzistojnë shumë pikëpyetje për këto zgjedhje. Pikë së pari, është çështja nëse është i vlefshëm dekreti i KQZ-së apo i Presidentit. Do të kishte ndihmuar ekzistenca e një Gjykate Kushtetuese për të vendosur rreth kësaj çështjeje. Por, duke patur parasysh natyrën e situatës, statusi ligjor i zgjedhjeve është qartazi i pasigurtë.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, a ekziston një rrugëdalje nga kjo situatë? Çfarë hapash mund të rekomandonit për t’u ndërmarrë, minimalisht për nevojat urgjente afatshkurtra të kombit shqiptar dhe për sfidën me të cilën ai po përballet?

Profesor Pano: Është e qartë se nevojitet një lloj diskutimi I vërtetë, I sinqertë ndërmjet palëve, fraksioneve politike të vendit. Negocimi pa parakushte është qartazi hapi i parë në këtë drejtim. Shqipërisë nuk i nevojiten demonstrata që vazhdojnë dhe trazira. Udhëheqësia politike duhet të ngrihet në nivelin e sfidës së këtij momenti dhe të veprojë në emër të interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Pyetja e madhe që unë kam është: meqë zgjedhjet, në mendimin tim, nuk zgjidhën problemet me të cilat përballet vendi, pyetja qëndron se cilat janë opsionet që ekzistojnë për Shqipërinë? A janë zgjedhjet e parakohshme zgjidhja, si në nivelin lokal edhe në atë kombëtar? Sa shpejt mund të krijohet Gjykata Kushtetuese? Kjo është thelbësore për të trajtuar disa nga problemet me të cilat përballet Shqipëria në periudhën afatgjatë.

Gjithashtu, duhet hartuar edhe një lloj programi me afate kohore, për të mundësuar ndryshimet ligjore dhe institucionale në Shqipëri, të cilat i nevojiten vendit në mënyrë të domosdoshme. Dhe do të thoja se pyetja parësore është se çfarë iniciativash duhen ndërmarrë për krijimin e mirëbesimit, për të filluar nxjerrjen e Shqipërisë nga rrëmuja në të cilën e gjen veten tashmë. Kush do ta udhëheqë këtë përpjekje? Dhe a mund të krijohet mbështetje e mjaftueshme nga publiku për ta bërë realitet një iniciativë të tillë? Nuk ka diskutim se ekzistojnë probleme serioze në Shqipëri dhe këto probleme thjesht nuk mund të lejohen të zgjaten. Ato jo vetëm po dëmtojnë pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ato po shkaktojnë probleme ekonomike në Shqipëri, po devijojnë vëmendjen nga moria e problemeve sociale dhe ekonomike, të cilat duhen trajtuar në Shqipëri, për të përmirësuar kushtet e mjeruara që mbizotërojnë në aspekte të ndryshme të jetës shqiptare.

Pra, kjo është sfida për udhëheqësinë politike shqiptare. Pyetja lind nëse do të kemi si zakonisht politikë, siç e kemi patur deri tani në Shqipëri, apo do të dalë një lloj mase shtetformuese dhe patriotizmi që është i domosdoshëm në këtë udhëkryq kritik në historinë e vendit?

5- Mediat e huaja: Votimet në Shqipëri, kritika të forta nga vëzhguesit ndërkombëtarë

Mediat e huaja: Votimet në Shqipëri, kritika të forta nga vëzhguesit ndërkombëtarëJehona e votimeve moniste të 30 qershorit i kalon kufijtë e Shqipërië.
Pas një sërë artikujsh në mediat ndërkombëtare, e fundit në rradhë vjen nga Kanadaja.

Në një shkrim të sajin, portali 660 News, shkruan ndër të tjera se, “Zgjedhjet në Shqipëri kritikohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë”, duke iu referuar edhe raportit të sotëm të OSBE/ODIHR.

Në një raport paraprak mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE/ODIHR, shprehet se “votuesit ishin nën presion”, shkruan portali kanadez.

Më tej, 660 News shkruan se, zgjedhjet për kryetarët e bashkive dhe këshillave bashkiake do të fitohen bindshëm nga Partia Socialiste në pushtet pasi zgjedhjet u bojkotuan nga opozita.

Sa i përket ndërhyrjeve të presidentit Ilir Meta, media e Kanadasë thekson se, “presidenti Ilir Meta i anulloi zgjedhjet, duke thënë se ata do të ishin jodemokratikë pa opozitën. Kryeministri Edi Rama refuzoi ta bëjë këtë”. /Syri.net

Albanian elections criticized by international observers

6- Zgjedhjet monopartiake/ Gazeta holandeze: Kutitë e votimit në Shqipëri mbetën bosh

Zgjedhjet monopartiake/ Gazeta holandeze: Kutitë e votimit në Shqipëri mbetën bosh
Votimet monopartiake të 30 qershorit kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Më e fundit është ajo holandeze, Trouw, e cila përmes një artikulli të gazetarit Thijs Kettins, thekson faktin se, numri i pjesëmarrësve ka qenë tejet i ulët.

“Nuk pati dhunë gjatë zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Por për shkak të bojkotit të opozitës, kaosi politik vazhdon”, shkruan një prej gazetave më të mëdha në Holandë, “Trouw”.

Shkrimi i gazetës holandeze:

Nga Thijs Kettins

Jashtë qendrës së votimit me numër 2180, një kalë i parkuar është e vetmja shenjë jete në orët e fundit të mëngjesit të së dielës. Është qetësi në godinën që zakonisht shërben si qendër mjekësore në qytetin e Kavajës. Anëtarët e qendrës së votimit, katër burra dhe një grua, rrinë të rreshtuar pas tavolinës. Ata e theksojnë: nuk është një stuhi. “Nga 748 persona me të drejtë vote, 16 kanë votuar deri më tani,” thotë Ervin Nauni. Ai tregon një kuti të madhe transparente me disa letra të verdha në të. “Kushedi, njerëzit mund të jenë duke bërë gjëra të tjera, ndoshta janë në plazh, ndoshta vijnë më vonë”.

Por Nauni gjithashtu e konsideron këtë shans të vogël. Partia Demokratike e Shqipërisë po bojkoton zgjedhjet lokale. Dhe Kavaja, një qytet rreth një orë larg Tiranës, konsiderohet një bastion i kësaj partie opozitare.

Partia Demokratike

Nga këtu nisën protestat kundër diktaturës komuniste në fillim të viteve 1990. Ato çuan në përfundim në rënien e regjimit dhe krijimin e Partisë Demokratike. Kjo e fundit e akuzon konkurrenten e saj, Partinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, për mashtrime masive, korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve të mëparshme.

Partia ka organizuar protesta në Tiranë prej muajsh. Ajo është tërhequr nga parlamenti. Herë pas here ka pasur dhunë dhe janë shkatërruar disa qendra votimi. Presidenti Ilir Meta i anuloi zgjedhjet, por kryeministri Edi Rama insistoi. Gjykatësit nuk mund të jepnin një përgjigje përfundimtare, për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon sepse gjykatësit janë në proces rivlerësimi. Kështu që zgjedhjet vazhduan të dielën, me kandidatët e vetëm nga Partia Socialiste dhe parti të vogla të opozitës.

Korrupsioni është kudo

Por ka më shumë lëvizje në një treg vetëm një bllok larg qendrës së votimit. 50-vjeçari Nazmi Hajfini ka nxjerrë për shitje në rrugë bishtajat, sallatën, domatet dhe specat. “Jo, nuk do të votoj,” thotë ai i vendosur. Hajfini përshëndet më pas një burrë që po shtyn në piskun e vapës një karrocë plot me banane. “Këto zgjedhje duken të lira, por ka vetëm një parti. Ekzakt si në komunizëm”.

Kolegu i tij, Shaman Veizi, që shet shalqinj dhe patate, mendon qartësisht ndryshe. “Ata mund të mos jenë dakord me qeverinë, por nuk duhet të na privojnë nga e drejta për të votuar”, thotë Veizi, teksa vendos një shalqi të madh në peshore. “5.8 kg,” thotë ai në momentin që peshorja bie në balancë. “Do votoj për Edi Ramën. Ai nuk është në listën e votimit, por për kandidatin e tij. Rama është më i miri mes të këqinjve. Për fat të keq, korrupsioni është kudo këtu”.

Kapja e madhe

Këtë e dëgjon shpesh në Shqipëri. Dy partitë kryesore nuk kanë programe të qarta, por duan vetëm pushtetin. Në momentin që e marrin, nis kapja e madhe. Skandalet për shpërdorimin e pushtetit, vetë-pasurimin dhe favorizimin dalin në dritë.

“Kjo është arsyeja pse nuk do të votoj. Dua parti dhe udhëheqës të rinj politikë,” thotë një 26-vjeçar që punon në një mini-market të prindërve të tij, por bën edhe një punë të mirëpaguar si specialist IT në Tiranë. Ai shpjegon se përse nuk do që të dalë me emrin e tij në gazetë. “Politika përcakton gjithçka këtu. Kush bëhet mësues apo polic- atij i duhet një lidhje e mirë për këtë. Por ata bëjnë edhe marrëveshje të rëndësishme në biznes. Nëse kritikoj hapur, kjo mund të përdoret kundër meje në çdo kohë. Atëherë ta harroj unë. Është tamam si Koreja e Veriut këtu”.

Nga dyqani i tij, shitësi i hedh sytë drejt një shkolle, ku është vendosur stacioni kryesor i votimit në Kavajë. Javën e shkuar, protestuesit shkatërruan gardhin rrethues dhe kërcënuan se do dëmtonin shkollën. Ka pasur në vende të tjera edhe incidente, përfshi bombat me molotov. Frika e gjerë për dhunë nuk u materializua në ditën e votimit- ndoshta pasi disa ambasada thanë se Partia Demokratike do jetë përgjegjëse për çdo problem. Pati disa demonstrata në qendrat e votimit në Tiranë. Në një fshat pranë qytetit-port të Durrësit, një burrë u arrestua pasi kërcënoi anëtarët e një qendre votimi me kallashnikov dhe grisi fletët e votimit.

7-Mediat gjermane/ Votimet në Shqipëri, pa mundësi zgjedhjeje

13:56, 01/07/2019
Mediat gjermane/ Votimet në Shqipëri, pa mundësi zgjedhjeje
Media të ndryshme në botën gjermanishtfolëse i kanë kushtuar vëmendje zgjedhjeve të zhvilluara të dielën më 30 qershor në Shqipëri.

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri i kushton vëmendje në një artikull me titull ‘Zgjedhje pa kandidatë të opozitës’.

‘Zgjedhjet u zhvilluan nën masa të forta sigurie, shkruan FAZ.

Komisioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara u përpoqën pa sukses të bindnin Partinë Demokratike dhe kreun e saj të mos zgjidhte bojkotin, por PD bojkoton që nga shkurti parlamentin dhe ka kërkuar në mënyrë të përsëritur largimin e kryeministrit Rama, nënvizon gazeta gjermane, e cila hedh vështrimin edhe në gjendjen e paralizuar të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

‘Grindja për zgjedhjet lokale në Shqipëri, bojkoti parlamentar i opozitës, si edhe procedura kundër presidentit Meta për shkarkimin nga posti janë shenja të tjera të ashpërsimit të krizës kushtetuese që vazhdon prej muajsh në Shqipëri.

Gjykata Kushtetuese në vend është e paaftë për vendime prej afër një viti, sepse në rrjedhën e një procedimi të udhëzuar nga BE për verifikimin e prokurorëve dhe gjykatësve, shumica e gjykatësve kushtetues ose u shkarkua ose u dorëhoq…

Komisioni Europian nga njëra anë e ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në drejtim të reformës në drejtësi, nga ana tjetër është përgjegjës jodrejtpërdrejt për faktin, që Shqipëria sot faktikisht nuk ka gjykim kushtetues dhe për këtë arsye nuk e përmbush dot një kusht thelbësor për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit’, shkruan analisti i FAZ, Matthias Rub.

Edhe gazeta austriake Der Standard i kushton vëmendje zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri. Në reportazhin me titull ‘Zgjedhje pa mundësi zgjedhjeje në Shqipëri’, nënvizohet se në Shkodër në zgjedhjet lokale kishte vetëm një kandidat për të zgjedhur, në një kohë që opozita bojkotoi dhe shumë vetë qëndruan në shtëpi. ‘Zgjedhjet në Shqipëri janë para së gjithash demonstrim besnikërie për parti të caktuara, të cilat të mundësuar një punë në administratë.’

Shumë njerëz kanë humbur besimin tek të gjitha partitë në Shqipëri, shkruan korrespondentja e gazetës ‘Standard’, Adelheid Ëolfl, e cila i ka ndjekur zhvillimet e zgjedhjeve në Shkodër. ‘Të dielën pati grindje për rezultatin në të vërtetë më interesant: Pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje. Në fshatin Ngraç në kuti u gjend vetëm një letër votimi.’

Gazeta Suddeutsche Zeitung nën titullin ‘Zgjedhje nën tensione të larta’, thekson se opozita në Shqipëri proteston prej muajsh kundër qeverisë dhe kërkon largimin e kryeministrit Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

‘Ajo akuzon qeverinë e Partisë Socialiste me kryeministër Edi Ramën për mashtrim zgjedhor dhe korrupsion. Kreu i shtetit Meta me dekret u përpoq të shtyjë zgjedhjet, me arsyetimin se atmosfera e ndezur e bën të pamundur një votë demokratike. Rama e shpalli Metën ‘jo kompetent’ për anulimin e zgjedhjeve.’

Kurse agjencia gjermane e lajmeve, DPA thekson faktin, se në Shqipëri zgjedhjet lokale përfunduan pa incidente të mëdha. ‘Pjesëmarrja në zgjedhje ishte megjithatë e ulët’, shkruan DPA.

Përmbledhur nga Deutsche Welle

8- Mediat gjermane/ Zgjedhje në Shqipëri, si në komunizëm

Mediat gjermane/ Zgjedhje në Shqipëri, si në komunizëm
Nga Adelheid Woelfl

Në një shkollë të vjetër, të lyer me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, në periferi të fshatit Grudë në Shqipërinë e veriut, përfaqësuesit e komisionit zgjedhor qëndrojnë të ulur përpara kutive të hapura të picave.

Mbi një dollap është vendosur flamuri i kuq shqiptar me shqiponjën e zezë. Votuesit nuk duken gjëkundi. Votat në dy kutitë plastike po mbulojnë vetëm dyshemenë. Shumë prej tyre nuk kanë dalë nga shtëpitë pas avllive të larta, për të marrë pjesë në testin e demokracisë këtë të dielë të nxehtë.

170 persona ishin të pranishëm, raportojnë komisionerët e zgjedhjeve. Në total jetojnë në Grudë 2500 njerëz. Votuesit që dalin në zgjedhjet lokale në Shqipëri këtë të dielë, kanë të ngjarë të votojnë për socialistët.

Ata janë të vetëm sepse opozitën nuk mund ta qarkojë kush. Janë zgjedhje të pakëndshme, sepse në shumë komuna ekziston vetëm një emër në listën e kandidatëve për kryetarë bashkish. Këtu në qarkun e Shkodrës, një bastion i demokratëve konservatorë, në fletën e verdhë qëndron vetëm emri i socialistit Valdrin Pjetri. Në fletën e gjelbër ekzistojnë shtatë parti, por që nuk mund të gjykohen pasi janë pranë socialistëve në pushtet. Këtu nuk ka asnjë shenjë të opozitës.

Zgjedhje jo-legjitime

Demokratët kërcënuan me bojkot që dy vjet më parë, tani e kanë bërë realitet. Ata pretendojnë se zgjedhjet janë falsifikuar me blerje votash dhe kërcënime nga socialistët, ndaj janë të paligjshme.

Në ditët përpara zgjedhjeve, në disa zona në veri të vendit, mbështetësit e opozitës dogjën materialet zgjedhore dhe sulmuan qendrat e votimit. Për këtë arsye, të dielën në Grudë, materialet zgjedhore u sollën me polici, dhoma u kyç dhe forcat e rendit mbikëqyrnin godinën.

“Nuk votova, prindërit më thanë që të mos shkoja,” thotë Mariana Curri, që kalon përmes fshatit në të nxehtin e mesditës. Këto do ishin zgjedhjet e para për 19-vjeçaren. Ajo e mirëkupton vendimin e demokratëve për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Por mendon se shumë njerëz këtu në fshat e kanë humbur besimin tek të gjitha partitë.

Curri është e shqetësuar se situata po përshkallëzohet. Nuk është e qartë nëse kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, do japë dorëheqjen dhe do t’ia lërë postin socialistit. Në fund do të vendosë Gjykata Kushtetuese nëse këto zgjedhje ishin të ligjshme apo jo. Ajo aktualisht nuk funksionon, sepse duhet të emërohen edhe dy gjyqtarë.

Kujtesë e komunizmit

Në Shqipëri, zgjedhjet janë mbi të gjitha deklarata besnikërie ndaj partive të caktuara, të cilat të sigurojnë vendin e punës në administratë. Komisioneri i zgjedhjeve, Paulin Gropaj ende e kujton se si bëheshin zgjedhjet në Grudë gjatë komunizmit. “Njerëzit rreshtoheshin në radhë të gjata dhe këndonin këngë patriotike,” thotë ai. “Kush nuk votonte, përfundonte në burg”.

Edhe atëherë ishte vetëm një kandidat në listë. Shumë njerëz ndjejnë këtë të dielë se po u kujtohet ajo kohë. Në Korçë, qytetarët me shalla të kuq, duke kërcyer me këngë komuniste, talleshin me zgjedhjet. Në Durrës, një votues hyri me kallashnikov në qendrën e votimit dhe u përpoq të hiqte kutitë e votimit.

Megjithatë, rezultati më interesant u argumentua të dielën: pjesëmarrja e dobët. Madje në fshatin Ngraçie u hodh vetëm një fletë votimi në kuti.

Përgatiti: Mapo.al

9- Loja e Ramës me imazhin e kllounit, për të shpërqendruar popullin nga realiteti

12:06, 01/07/2019
Loja e Ramës me imazhin e kllounit, për të shpërqendruar popullin nga realiteti
Shumica e mediave të huaja që kanë shkruar për zgjedhjet lokale të 30 qershorit në Shqipëri, i kanë cilësuar ato si të pazakonta dhe qesharake për çdo vend demokratik.

Por përveç këtij aspekti, mediat greke i kanë kushtuar mjaft vëmendje veshjes së kryeministrit Edi Rama në momentet e votimit.

Gati të gjitha mediat online në vendin fqinj janë tallur fortë, me stilin idiot të veshjes së Ramës. Madje, gazetarët grekë kanë analizuar me detaje gjatësinë e potureve, çorapet deri tek gjuri e sidomos lidhëset e këpucëve, që sipas tyre vërtet janë një gafë stilistike për çdo fans të modës.

Të gjitha këto media greke arrijnë në përfundimin, se veshja e kryeministrit të Shqipërisë shkakton të qeshura e argëtim pafund, njësoj si në një cirk. Nga na tjetër në të gjitha këto shkrime nuk është harruar që të theksohet, se Edi Rama këtë lojë me imazhin e e përdor si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga situata vërtet problematike ku gjendet vendi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY