Ministrja e Jashtme e Mbretërisë Suedeze, Margot Wallstrom, ka apeluar që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë të lira dhe të zhvillohen me pjesëmarrjen e plotë të opozitës.
Në kuadër të vizitës në Tiranë ajo zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, nga ku deklaroi se opozita duhet ta zhvillojë debatin e saj në parlament e jo jashtë tij.
“Debati politik duhet të zhvillohet në parlament dhe jo jashtë tij duke respektuar Kushtetutën dhe praktikat e demokracisë. Shqipëria meriton zgjedhje të lira dhe me pjesëmarrjen e plotë të opozitës”, u shpreh Margot Wallstrom.
Ecuria e reformës në drejtësi dhe Vetting-u, u shpreh shefja e diplomacisë suedeze, lidhen ngushtë me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Ne mirëpresim progresin në procesin e integrimit europian dhe implementimin e reformës në drejtësi. E kuptojmë që kjo nuk është një bisede e lehtë, por mund të arrihet përmes një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës. Vetting-u gjithashtu është me rëndësi për proçesin e integrimit në BE”, vijoi Margot Wallstrom.
Ministri Bushati teksa falënderoi Suedinë për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë, shtoi se e vetmja rrugë për vendin tone mbetet integrimi në familjen europiane
Ministrat diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, ku Ministrja Wallström vlerësoi rolin e Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor si faktor i qëndrueshëm stabiliteti.




