6 arsyet pse Edi Rama duhet te ike

6 arsyet pse Edi Rama duhet te ike

144
0
Shares

1.Droga dhe shitblerja e votes

fekti më negativ i lumit të parave të drogës, është depërtimi i tyre në politikë dhe në sektorët kyçë të shtetit si policia dhe drejtësia. Kapja e kupolës drejtuesve të policisë prej bosëve të trafikut, është rënie e shtetit. Vitet 2013-2016, ishin kohët e arta të drogës, të trafikantëve, të biznesit të hashashit. Çdo gjë dukej se shkonte vaj. Para pa fund, dhe miliona që hynin në ekonomi. Po, sigurisht, edhe në zgjedhje, në blerje vote. Ndërkohë që miliardat u futën në ndërtim e në sektorë të tjerë të ekonomisë, pakkush po ndalej për një hop, për të menduar a reflektuar, se; ishin hapur portat e ferrit, dhe e keqja ishte pas derës. Partia Demokratike denonconte çdo ditë, po Rama çdo ditë mohonte, i quante llafe. Një strategji për ta futur këtë çështje dramatike në spiralen e akuzave të përditshme politike. Mirëpo, disa të dhëna po vinin nga jashtë palëve, dhe droga e Shqipërisë u bë problem ndërkombëtar. Kataldo Mota, kreu i antimafies së Leçes në Itali ishte vazhdimisht në alarm. Sa herë fliste në media, dhe sa herë vinte në Shqipëri, ai deklaronte se sasia e marijuanës që po mbërrin në brigjet e Puljas është në rritje. Po më shqetësuesja, sipas tij, ishte se grupet kriminale po dërgonin në Itali edhe drogëra të forta dhe armë. Kaq do të mjaftonte që në Tiranë dikush të mbante përgjegjësi. Po Edi Rama vazhdimisht e mohonte. Drejtori i madh i Antimafies italiane, Franco Roberti, ka reaguar edhe ai vazhdimisht i shqetësuar. Sasia e drogës që po vjen në vendin tonë nga Shqipëria, pohonte ai, është 3, ose 4-fishuar. Vetëm ky konstatim, do të mjaftonte që dikush në Tiranë, të mbante përgjegjësi. Po si zakonisht, Rama thoshte se nuk ka drogë. Departamenti Amerikan i Shtetit, çdo vit e nxirrte Shqipërinë në krye të listës si vend prodhues dhe territor tranziti të drogërave. EUROPOL-i po ashtu.

BBC bëri një reportazh të thelluar, dhe doli në përfundimin se biznesi i kanabisit në Shqipëri është 5 miliardë euro në vit, bëhej fjalë për 2016-n. Efekti më negativ i lumit të parave të drogës, është depërtimi i tyre në politikë dhe në sektorët kyçë të shtetit si policia dhe drejtësia. Kapja e kupolës drejtuesve të policisë prej bosëve të trafikut, është rënie e shtetit. Kapja e zgjedhjeve prej tyre, është rrënim i një vendi. Kjo është panorama. “Droga, droga, droga, krimi, krimi, krimi”, ky ka qenë vazhdimisht reagimi i kryeministrit. Po kur kjo nuk fshihej dot më, dhe kur çdo analist, edhe ata që nuk janë në dashuri me PD, përkundrazi, denonconin fenomenin, Edi Rama sërish zgjodhi të mos mbajë përgjegjësi.

2.Largimi masiv i njerëzve nga Shqipëria

Teksa zemërimi i njerëzve ndaj qeverisë po shtohet, dhe kjo është një gjë e njohur dhe e pakontestueshme nga askush, Edi Rama thotë çdo ditë se ata që i shkojnë pas opozitës, janë një tjetër gjë, tjetër kategori. Janë frymorë të një grupimi që nuk përfaqësojnë gjë, pra janë militantë demokratë, ose punonjës bashkie. Një manifestim i gjallë që e lëkund keqas këtë qëndrim të Kryeministrit, ishte protesta e 16 shkurtit. Ai ishte padyshim popull. Sikur secilin punonjës të kishin sjellë bashkitë e PD-së e të opozitës, nuk do të bënin dot as 1/5 e turmës. Ai bulevard nuk ka njohur asnjëherë më parë kaq shumë njerëz të bashkuar në një kërkesë; largimin e qeverisë. Janë 500 mijë qytetarë që janë larguar nga Shqipëria prej vitit 2013 e deri më tani. Edhe pse kanë gjetur një mënyrë të heshtur, protesta e atyre është në fakt më ulëritësja.

Aq shumë e kontestojnë ata Edi Ramën, sa nuk kanë vendosur vetëm të mos e mbështesin atë, të mos i shkojnë pas, të mos miratojnë vendimet e tij, të mos e votojnë, por për më tepër, kanë zgjedhur të braktisin vendin, sepse sipas tyre në këtë Shqipëri, me këtë qeverisje, nuk jetohet. Largimi nga vendi është protesta më e dhimbshme. A mund t’i përfytyrojë Edi Rama në shesh 500 mijë vetë, ata që kanë ikur. Çfarë do thoshte për ta? Do thoshte dot se janë të bashkive të PD, që janë anëtarë të opozitës? Largimi nga vendi është një mënyrë e vjetër proteste e kontestimi. Që nga koha kur europianëve u është dhënë mundësia e lëvizjes, e përshkimit të distancave të largëta. Një nga format e mosdakordësisë së tyre për princërit, për mbretërit, për absolutizmin, për korrupsionin e shtypjen, apo edhe për kontestimin e rënies së vlerave e vjedhjes së gjërave që njerëzit besonin, ishte hipja në anije dhe ikja larg. Protestonin ndaj vendeve të tyre duke shprehur adhurimin për lindjen e largët, apo vende të tjera ekzotike. Prej kësaj proteste lindi Amerika. Akte kalorësiake dhe romantike. Largimi nga vendi është një protestë e shpeshtë edhe sot në Shtetet e Bashkuara. Kur qytetarët nuk janë dakord me politikat e një shteti, me taksat, me ligjet, me mënyrën si qeverisen, ata demonstrojnë dhe rezistojnë me të gjitha format. Në fund, vendosin të largohen në një tjetër shtet, brenda USA, e kjo shkon edhe me stilin amerikan të jetës, të një lëvizjeje të përhershme. Ikja e 500 mijë shqiptarëve për fat të keq është e pangjashme me këto, është dramatike. Sepse duke lënë Shqipërinë, ata, të ikurit, i reduktojnë shumë shanset për ndryshimin e realitetit, që i bëri ata të largohen.

Të larguarit janë familjarë, të rinj, por masivisht dhe profesionistë, njerëz të shtresës së mesme. Të cilët është e pamundur edhe të manipulohen apo të mashtrohen nga një qeveri si e sotmja, për t’u marrë sërish votën. Pra, presin biletën dhe thonë lamtumirë, njerëz që potencialisht kanë në dorë më e pakta të ndëshkojnë një keqqeverisje, e më tej të sjellin në fuqi një alternativë të re.

3.Ngrirja e integrimit të Shqipërisë në strukturat e BE-së

Në qershor të vitit 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian. Një gur kilometrik në rrugën e gjatë të integrimit, një ogur i mirë për qeverinë e Edi Ramës, që ende nuk kishte mbushur vitin. Kërkesën, e dorëzoi Sali Berisha në fund të qeverisjes së tij 8-vjeçare. Politikisht ishte fat për Edi Ramën që kjo erdhi në kohën e tij, edhe pse nuk kishte djersitur shumë për këtë arritje. Ja ku jemi, në mars të vitit 2019, dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Marrëdhënia e Shqipërisë me Bashkimin Europian, në kuptimin e instrumentave dhe procedurave, është ajo e para 5 viteve. Hapi tjetër duhej të ishte hapja e negociatave për anëtarësim. Qeveria ishte e sigurt që kjo do të ndodhte vitin që kaloi. Por Këshilli Europian, pra organizmi ku përfaqësohen shtetet anëtare, megjithëse Komisioni e kishte dhënë rekomandimin, e shtyu për një vit. Ironia është se kjo u quajt sukses, madje propaganda shkoi deri aty sa u tha që negociatat janë hapur, po njerëzit s’kishin sy për të parë. Në qershor, Shqipëria do të jetë prapë para këtij provimi.

Asgjë nuk është e sigurt, edhe pse çdokush uron që negociatat të çelen. Ndërkohë, këto vite me siguri shumë gjëra kanë ndodhur në marrjet e dhëniet mes Tiranës dhe Brukselit, dhe një specialist i integrimit, me siguri do ta quante cinike të mos vlerësohej puna që mund të jetë bërë. Po rezultati final ka rëndësi, në këtë rast, dhe jo procesi. Ajo çka ra në sy, dhe u mundua shumë nga qeveria të zbehej të reduktohej, ishte se nga momenti i dhënies së rekomandimit e deri te vendimi i Këshillit, një stuhi e fortë fryu nga veriu i Europës, nga Gjermania e Holanda, dhe kriteret, kushtet kyçe, nisën të shtohen dita-ditës. Droga u bë një problem më vete, zgjedhjet po ashtu. Rama si gjithnjë, ishte larg këtyre përgjegjësive. Normalisht fajësimi i opozitës ishte vakt i përditshëm, po ai shkoi më larg. Nisi të stigmatizonte çdo të huaj që shihte probleme të mëdha dhe bënte me faj qeverinë. Qeverisë i mjaftonte Romana, dhe duke u shpallur si kampione e Reformës në Drejtësi, rilindja ishte e habitur se si, dyert e Europës nuk po hapeshin katërkanatesh. Nuk shkon me vlerat europiane, sjellja e një qeverie e një kryeministri, që nuk jep asnjë ditë llogari, që nuk bën transparencë, që mbron krimin, që ble votën, që justifikon korrupsionin, që lufton opozitën dhe sulmon mediat e gazetarët nominalisht, kur nuk i ka qejf. Letrat janë letra, e instrumentat po ashtu, po sjellja europiane ose jo, ndihet, konstatohet edhe nëse nuk ka matës e tregues realë. Në cilin vend europian ku duam të shkojmë, sheh një kryeministër si te ne, që tall e përqesh, studentët, pedagogët, dekanët, rektorët, qytetarët që takon, hallexhinjtë, mjekët, deputetët, opozitën, e këdo tjetër që nuk e njeh shefin e qeverisë për Skënderbe.

4.Mungesa e drejtësisë dhe korrupsioni qeveritar

Derisa Rama kërkon të marrë autorësinë e reformës së madhe, nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë së dështimit, po ashtu të madh. Ai s’mund të thotë që nuk është puna e tij që jemi pa Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe kemi prokurori të njëanshme e të kapur. Reforma në Drejtësi, është përdorur kaq shumë nga Edi Rama si bori e parë e propagandës së tij, sa nuk është më e sigurt, nëse sot i jep më efektet që ai dëshiron, duke e rreshtuar veten në krahun e drejtësidashësit, dhe duke anatemuar kundërshtarët politikë, si drejtësi-sabotuesit, pothuajse çdo ditë. Ky argument po përdoret fort sidomos këto ditë, në krizën e fortë politike ku ndodhet vendi.

Rama po i vë këtë emër largimit të opozitës nga sistemi, pra e quan si akt kundër drejtësisë së re që po vjen sipas tij. Frika nga drejtësia, thotë kryeministri, dhe frika e dhënies llogari para drejtësisë, është arsyeja pse PD dhe aleatët e saj dorëzuan mandatet. Ia vlen të bëhet një bilanc se si kanë shkuar punët e drejtësisë së re, qysh se nisi reforma e deri më sot. Edi Rama, vetë merr autorësinë, dhe nëse kemi një dështim, atëherë dështimi ka një emër. Pas 3 viteve, jemi në një situatë mjaft të trazuar, të panjohur, të paprecedentë, me një krizë të thellë edhe në institucionet e drejtësisë. Mungon Gjykata Kushtetuese. Nuk funksionon Gjykata e Lartë dhe nuk është zgjidhur akoma çështja e Prokurorit të Përgjithshëm. Përtej kësaj, ajo çka konsiderohet si ajka e arritjeve, me të cilën Rama krenohet dhe shpreson të marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve, është vettingu. Një proces i damkosur shpesh në sytë e mbarë botës, ku për të njëjtën shkelje, ose për të njëjtat rrethana komprometuese, një gjyqtar që nuk është afër mazhorancës ikën, një tjetër që njihet si produkt i shumicës, qëndron. Kjo po ndodh faqe gjithë botës. Shpesh, organet e reja vendimmarrëse, po injorojnë edhe rekomandimet e ONM, të vëzhguesve ndërkombëtarë, çka e shton edhe më shumë dyshimin se procesi është selektiv dhe politik. Po e gjithë atmosfera mbytëse dhe propaganda e krijuar për drejtësinë e re dhe efektet që ajo do të sjellë, çfarë pasojash kanë krijuar?

Dikush me të drejtë pret që tashmë, të gjendur nën vëzhgim të vazhdueshëm, nën gijotinën e vettingut, nën artilerinë e deklaratave politike, gjykatësit detyrimisht do të jenë më të përgjegjshëm, më pak të korruptueshëm, më besnikë ndaj ligjit. Dhe Rama nuk mund të thotë që nuk është puna e tij, nëse sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe kemi prokurori të njëanshme dhe të kapur. Kjo është puna e tij. Dhe një ditë, analiza e llogaridhënia për këtë do të bëhet. Ndoshta, ajo me të cilën ai rreh më shumë gjoksin, mund të dalë dështimi dhe dëmi më i madh, së cilës nuk do të mund t’i ikë. Sipas Indeksit të Sundimit të Ligjit për 2018, të publikuar nga “World Justice Project”, një institut ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi ynë renditet i 72-ti ndër 126 vende gjithsej. Raporti thekson se zbatimi efektiv i ligjit redukton korrupsionin, lufton varfërinë dhe sëmundjet dhe i mbron njerëzit nga padrejtësitë e mëdha dhe të vogla. “Korrupsioni është në spitale, gjykata, zyrat e shtetit, ambulancë, shkolla dhe polici”, përgjigjen qytetarët.

5.Mungesa e investimeve të huaja dhe ekonomia

Për një ekonomi të vogël si e jona investimet e huaja janë si oksigjeni. Nëse ka një dështim spektakolar të qeverisjes Rama ai është rreziku me të cilin përballet Shqipëria, që është rënia drastike e IHD. Tjetër propaganda e qeverisë e tjetër realiteti. Në gjashtë vite qeverisje të Edi Ramës, asnjë brand i huaj nuk ka preferuar të vijë në vendin tonë për të investuar. Arsyeja kryesore është e thjeshtë: në një vend që gëlon nga korrupsioni askush nuk ofrohet të hedhë paratë e veta kot. Por situata është shumë më komplekse. Qeveria e socialistëve e drejtuar nga Rama që në fillimet e veta u vu përballë investitorëve të huaj, duke ushtruar presion mbi to.

Nuk mund të lihen në harresë reagimet e shumta të përfaqësive të biznesit amerikan e gjerman në Tiranë. Ndonëse asnjëherë nuk u tha publikisht, largimi i koncesionarit të Aeroportit të Rinasit, një kompani gjermano-amerikane dhe kalimi i pronësisë te një kompani kineze, dhe e njëjta gjë e përsëritur edhe me investitorin e madh në shfrytëzimin e naftës Bankers, u nxitën edhe nga presioni qeveritar. Mesazhi që u përcoll për të tjerët që mbase e kishin ndërmend të vinin nuk kishte se si të ishte më negativ. Qeveria Rama i ka të hapura preferencat e saj për sektorë dhe biznese të caktuara. Para që vijnë nga drejtime shpesh të dyshimta shkojnë në ndërtim pallatesh, i vetmi sektor ku investimet pikërisht për këto shkaqe nuk kanë munguar. Edhe në ndërtimin e rrugëve qeveria i ka kompanitë e veta të preferuara, për të cilat opozita nuk ka reshtur së denoncuari për kosto krejtësisht të ekzagjeruara, siç ishte rasti i Unazës së re në Tiranë. Pra, ndërtimi është një treg i mbyllur, madje jo vetëm aq por edhe rrethi i kompanive që punojnë aty është i paracaktuar. Marrja e një leje koncesionare apo për të investuar ka devijuar në xhepa të dyshimtë privatësh të panjohur jo vetëm për publikun por edhe për ndonjë investitor serioz që mund të vinte në Shqipëri. Në këtë mënyrë qeveria ka gatuar me duart e saj një dështim spektakolar në tërheqjen e investitorëve të huaj. Tashmë jemi në atë situatë kur asnjë kompani e njohur botërore nuk ka në plan të vendoset në Shqipëri, pasi ajo në këto vite ka parë se edhe ata që ishin u larguan.

marre nga Mapo Javore

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY