Nishani:Të huajt nuk e duan Shqipërinë më shumë se shqiptarët

Nishani:Të huajt nuk e duan Shqipërinë më shumë se shqiptarët

163
0
Shares

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-Presidenti Bujar Nishani sot se përmes lëvizjes popullore mund të rivendoset ekuilibri shoqëror, i sulmuar nga qeveria e Edi Ramës.

Në intervistën e tij për Top Talk, Bujar Nishani përjashtoi mundësinë e krijimit të një konflikti civil nga opozita.
“Përmes një lëvizjeje qytetare po. Unë nuk shoh dhe besoj se nuk do të ketë kurajon qeveria dhe kryeministri që ta çojnë vendin dhe shoqërinë drejt një përplasjeje civile”, deklaroi Nishani.

A mund ta çojë opozita vendin në konflikt civil, për të drejtën që mendon se ka?

“Opozita do të udhëheqë një lëvizje mbarëpopullore. Kjo është një lëvizje që ka një ndërlidhje të dyanshme: vullnetin popullor, përgjegjësinë e opozitës”.
Mirëpo, kritikave që kanë ardhur nga ndërkombëtarët, Nishani iu përgjigjet me faktin se detyra e tyre është respektimi i parimeve të përgjithshme të tyre, por se ata nuk e duan Shqipërinë më shumë sesa vet shqiptarët, e veçanërisht ata që kanë vendosur të jetojnë këtu.

Le të flasim pak për faktorin ndërkombëtar, qoftë atë të akredituar në Tiranë, ashtu dhe ata që kanë folur nga Brukseli. Reagimet janë jopozitive sa i përket djegies së mandateve të opozitës. A do të vijojë opozita të shkojë me kokëfortësi pas pikëpamjes së saj politike, duke mos pasur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për këtë proces, ndërkohë që kemi hapjen e negociatave përpara? Ata mendojnë që e dëmton Shqipërinë ky lloj destabiliteti politik momental…

“Së pari, akti është shumë i fortë dhe i paprecedentë, e në kuptimin politik të fjalës është një lloj sakrifice për largimin nga një lloj rehatllëku politik, nga jeta parlamentare dhe formalizmi i përditshëm i opozitës dhe nga privilegjet që jep posti i deputetit, etj., si dhe marrja përsipër e një aksioni shumë të vështirë politik dhe të gjatë, por me një alternativë përfundimtare: do të fitojë vullneti i shumicës dërrmuese të qytetarëve, kjo nuk ka diskutim. Megjithatë, jam i bindur që do të rezistohet. Kjo është veçse nisja e një procesi shumë të rëndësishëm. Së dyti, faktori ndërkombëtar patjetër që do t’i qëndrojë parimeve të përgjithshme që ka në radhë të parë, por unë mund të them vetëm një gjë. Në Bruksel, ne shqiptarët kemi shumë miq dhe janë të respektueshëm. Por, askush prej tyre nuk e do Shqipërinë më shumë sesa shqiptarët. Unë nuk mund të bëhem hipokrit dhe të them se ata e duan Shqipërinë më shumë sesa ne, që kemi vendosur të jetojmë këtu. Edhe ambasadorët që janë akredituar këtu janë miq të mirë dhe partnerë të respektueshëm, por më shumë sesa shqiptarët nuk mund të jenë ambasadorët të interesuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi Nishani.

Po Edi Rama nuk i do shqiptarët?

“Absolutisht ka mbizotëruar ndjesia për pushtet absolut dhe pushtet të pamerituar”, u përgjigj Nishani.
Në fund, çdo gjë e ka një kuptim…
“Është futur në kurthin e pushtetit të pakufizuar dhe të pamerituar, pushtet që e ka dërguar atje, nga ku nuk kthehet dot më mbrapa. Interesat e tij janë absolutisht në kundërshtim të plotë me interesat e shqiptarëve. Pse i ka prishur ekuilibrat politikë, kushtetues? Pse i ka futur në kolaps institucionet e shtetit? Shikoni ç’ndodh, po marr vetëm një rast. Shkohet në Parlament, që nuk është pronë e asnjërës prej palëve, secila ka pronë të sajën aq përqindje sa iu kanë dhënë shqiptarët në një proces zgjedhor në kontekstin klasik, e në fund të fundit janë disa rregulla që vendosen në mënyrë të përbashkët dhe nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme. Kur shumica përdor fuqinë e kartonit në mënyrë antilogjike dhe antipolitike, nuk respekton kushtet dhe kufijtë e vendosur nga Kushtetuta, kjo situatë ka një përgjegjës dhe ai është Edi Rama. Këtu nuk përplasen dhe cënohen interesat e një grupimi shoqëror, votuesish që janë në krah të PD-së apo partive të tjera të opozitës, por është sulmuar ekuilibri shoqëror në tërësi, edhe atyre që janë anëtarë të Partisë Socialiste dhe që janë përdorur si votues për të sjellë në pushtet një njeri tek i cili besonin, por që jo vetëm e keqpërdori, por që shkatërroi totalisht edhe parimin e tyre, edhe të ardhmen e Shqipërisë”, tha Nishani.

Ndërkohë, sa i përket protestës së të enjtes, vazhdë e asaj që ndodhi të shtunën para Kryeministrisë, Nishani thotë se gjithçka bëhet në mbështetje të një lëvizjeje qytetare.
Flitet për një skenar të organizuar të opozitës për rrethimin e Parlamentit dhe për të mos lejuar daljen prej andej të deputetëve derisa Rama të pranojë kushtet e opozitës. Një zgjidhje politike kjo që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore. A ekziston realisht një skenar i tillë dhe a do të ndodhë kështu ditën e enjte?

“Nuk kam dëgjuar dhe nuk flitet për një skenar të tillë në detaje, por është e qartë se opozita i është përkushtuar totalisht një lëvizjeje qytetare, e cila është zgjidhja më e mirë në kohën e duhur dhe për një perspektivë të duhur të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Opozita, në vijimësi të frymës së mospajtimit dhe protestave të qytetarëve për çështje që variojnë nga ato politike, deri tek ato ekonomiko-sociale, ka detyrën që këtë akumulim qytetar jo vetëm ta prijë, por edhe t’i japë përmasat politike. Kjo lëvizje qytetare varet dhe është në dorë të çdo qytetari, siç u manifestua edhe para pak ditësh në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Them që nuk është çështje skenarësh taktikë të opozitës, por e sjelljes dhe e vullnetit shoqëror të një lëvizjeje qytetare, që opozita është e detyruar t’i përgjigjet, e më mirë t’i prijë sesa ta lërë të dalë jashtë kontrollit në kuptimin e sjelljes institucionale. Institucionet nuk janë më te Parlamenti tashmë, i cili e ka humbur të gjithë dimensionin e vet dhe legjitimitetin, por janë mes qytetarëve, te fryma popullore”, deklaroi ish-presidenti Nishani.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY