Në zbatim të ligjit të dekriminalimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka verifikuar listat shumemërore të kandidatëve për deputet të Partisë Kristian Demokrate, që para futjes së tij në burg, kishte për kryetar, Mark Frrokun. Nga shqyrtimi i dokumentacionit është konstatuar se katër kandidatë kanë pasur në të kaluarën precedentë penalë, por pavarësisht këtij fakti, në zbatimit të ligjit ata nuk janë ndaluar për të garuar në 18 qershor.
Referuar ligjit të dekriminalizimit, KQZ ka arritur në konkluzionin se asnjë kandidat i PKD-së nuk është në kushtet për refuzimin e tyre si pjesë e listës së pretendentëve për deputetë.
Qarku Shkodër
Gjovalin Bibaj, i renditur i 7-ti në listën e kandidatëve të PKD-së në Qarku Shkodër ka deklaruar pranë KQZ-së që nuk ka asnjë dënim të formës së prerë.
Por “BalkanWeb” mëson se pas verifikimit të KQZ-së, ka rezultuar se ai Bibaj, me vendimin nr. 08 datë 03. 04. 2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë është deklaruar fajtor për veprën penale “Prodhim të kundërligjshëm të artikujve dhe mallrave industrial e ushqimor” dhe është dënuar me 50.000 lekë gjobë.
Gjithashtu me vendimin nr. 19 datë 17.02.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, ai është deklaruar fajtor për veprën penale “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të policisë së rendit publik” dhe është dënuar me 80.000 lekë gjobë.
Qarku Fier
Edmond Petraj, që kryeson listën e PKD-së në Qarkun e Fierit rezulton se me vendimin nr. 1012 datë 01.04.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është deklaruar fajtor për veprën penale “Ndërtim i Paligjshëm” dhe është dënuar me 3 muaj burg. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal është pezulluar ekzekutimi i vendimit për 18 muaj.
Qarku Elbasan
Kandidati i renditur i 4-ti në listën e PKD-së në Qarkun e Elbasanti, Jovan Kote, nga verifikimet e KQZ-së rezulton se me vendimin nr. 459 datë 13.10.1994 të Gjykatës së Rrethit Gramsh është deklaruar fajtor për veprën penale “Falsifikim të dokumenteve zyrtare” dhe është dënuar me 1 vit heqje lirie. Për këtë vepër penale, Kote është rehabilituar, në këto kushte nuk është brenda periudhës së ndalimit të kandidimit.
Qarku Durrës
Agron Hoxhaj, kandidati i 9-të në listën e PKD-së për Qarkun e Durrësit rezulton se me vendimin nr. 41 datë 05.06.2003 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë është deklaruar fajtor për veprën penale “Kontrabandë me mallra” dhe është dënuar me 6 muaj burgim. Për këtë vepër penale, Hoxhaj është rehabilituar, në këto kushte nuk është brenda periudhës së ndalimit të kandidimit.




