Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, ka verifikuar listat shumëemërore të kandidatëve për deputet të Partisë Demokracia Sociale, të Paskal Milos. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, mësohet se është konstatuar se tre kandidatë kanë pasur në të kaluarën precedentë penalë, por pavarësisht këtij fakti, në zbatimit të ligjit ata nuk janë ndaluar për të garuar në 18 qershor.
Referuar ligjit të dekriminalizimit, KQZ ka konstatuar se asnjë prej tyre nuk është në kushtet e refuzimin si kandidat për deputet të Partisë Demokracia Sociale.
Qarku Durrës
Milazim Kabashi, që kryeson listën e PDS-së në Qarkun e Durrësit rezulton se me vendimin Nr. 282 datë 19. 04. 2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës është deklaruar fajtor për veprën penale “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe është dënuar me 150.000 lekë gjobë, raporton “BalkanWeb”.
Qarku Korçë
Alfred Hajro, kandidat i 4-ët në listën shumëemërore të PDS-së në Qarkun e Korçës rezulton se me vendimin Nr. 248 datë 02. 11. 2000 të Gjykatës Korçë është deklaruar fajtor për veprën penale “Vjedhje”, parashikuar nga Neni 134 të Kodit Penal dhe është dënuar me 20.000 lekë gjobë. Në bazë të nenit 69 të Kodit Penal ai është rehabilituar.
Qarku Kukës
Admir Zenelaj, që kryeson listën e kandidatëve të PDS-së në Qarkun e Kukësit rezulton se vendimin Nr. 54 datë 16. 10. 2007 të Gjykatës së Rrethit Tropojë është deklaruar fajtor për veprën penale “Kundërshtim i punonjësve të policisë” dhe është dënuar me 200.000 lekë gjobë.
Ai gjithashtu është deklaruar fajtor për veprën penale “Fyerje për shkak të detyrës” dhe është dënuar me 100.000 lekë gjobë. Në bazë të nenit 69 të Kodit Penal ai është rehabilituar.




