Gazeta holandeze NCR, ndër më të mëdhatë në Holandë, i ka kushtuar një reportazh fenomenit të klandestinëve shqiptarë që shfrytëzojnë portet holandeze për të kaluar ilegalisht drejt Britanisë së Madhe.
Reportazhi u publikua në gazetë si rrjedhojë e numrit gjithnjë në rritje të klandestinëve shqiptarë në vend, të cilët po kthehen në një shqetësim serioz për autoritetet holandeze.
Për reportazhin janë intervistuar punonjës të policisë federale holandeze, që e kanë ngritur jo pak herë këtë shqetësim. Efektivët e intervistuar shprehen se në porte zbulohen kryesisht meshkuj të moshave nga 18 deri 25 vjeç, që përpiqen të shkojnë në Angli për të punuar.
Rritja drastike e numrit të klandestinëve shqiptarë në Holandë, gjatë dy viteve të fundit, konstatohet edhe nga numri i lartë i të arrestuarve mes tyre. Vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti numërohen 400 të arrestuar më shumë se totali i gjithë vitit të kaluar.
Saktësisht gjatë 9 muajve që nga fillimi i vitit 2016, janë arrestuar 855 shqiptarë. Ndërsa përgjatë gjithë 2015-ës numërohen vetëm 455 shqiptarë.
Holanda është aktualisht i vetmi shtet që publikon të dhëna mbi personat që arrestohen në porte, kryesisht në atë të Roterdamit që është shndërruar në portë kryesore për klandestinët.
Dyshohet që edhe në Belgjikë e Francë, numri i shqiptarëve që tentojnë të ikin drejt Britanisë së Madhe është po ashtu në rritje.





