Kreu i PD-së Lulzim Basha, e ka cilësuar ditë të rëndësishme, sipas tij, ditën e sotme, për sa i përket fryteve që po jep dekriminalzimi, pas dy vejtsh luftë nga ana e opozitës.
Sipas Bashës, ai dhe PD janë kryelartë, sepse dekriminalizmi po jep frytet e dekriminalizimit me një nga simbolet e kriminalizimit, Elvis Rroshit.
Për Bashës, sot Edi Rama nuk besoj se qesh, sepse i kemi treguar vendin atij dhe Elvis Rroshit.
Kreu i PD-së apelon se institucionet të procedojnë pa vonesë, që krimi dhe politika të ndahen përfundimisht me njëra-tjetrën.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, dita, kur pas dy vjetësh betejë të opozitës, procesi dekriminalzimit po jep frytet e para.
PD dhe unë jemi kryelartë, veçanërisht sot frytet e dekriminalizimit me një nga simbolet e kriminalzimit, Elvis Rroshit.
Shqipëria nuk ka të ardhme pa ndarjen e politikës nga krimi. Edi Rama bëri gjithçka për të luftuar opozitën duke mbrojtur kriminelët. Sot Edi Rama nuk besoj se qesh, sepse sot i kemi treguar vendin atij dhe Elvis Rroshit. Kjo është një ditë për të besuar se e mira do ta mund të keqen.
Institucionet të procedojnë pa vonesë, që krimi dhe politika të ndahen përfundimisht me njëra-tjetrën.
Përpara kemi zgjedhjet si sfidë. Edi Rama ka treguar se është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Shqipëria nuk i përket krimit dhe kriminelëve.
Çdo person, duhet ti nënshtrohet ligjit të dekriminalzimit. Jam i prirur të besoj rrethanat që ka paraqitur Dashamir Tahiri, por këtë nuk e vendos unë, por institucionet”, u shpreh midis të tjerave Lulzim Basha.
Deklarata e plotë e kreut të PD-së, Lulzim Basha
Dekriminalizimi filloi, do të fitojmë edhe betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është dita kur pas 2 vitesh betejë të opozitës, procesi i dekriminalizimit po jep frytet e para.
Partia Demokratike, opozita dhe unë personalisht, jemi sot me kokën lart para qytetarëve shqiptarë, pasi beteja që ne bëmë për ndarjen e krimit nga politika, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme, sot fillon të japë frytet e para, në veçanti me një nga simbolet e kriminalizimit të shtetit, që është Elvis Roshi.
Ne e luftuam këtë betejë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse besojmë se Shqipëria nuk ka të ardhme pa ndarë politikën nga krimi.
Edi Rama bëri gjithçka me pushtetin e tij për të vonuar dhe sabotuar zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Bëri gjithçka duke luftuar opozitën, që luftonte kriminelët.
Për të mbrojtur krimin në pushtet dhe pushtetin e kriminalizuar.
E mbani mend se si përqeshte dhe tallej me opozitën, me dekriminalizimin në rastin e Elvis Roshit. Sot nuk besoj se qesh, sepse i kemi treguar vendin atij dhe Elvis Roshit.
Për qytetarët pesimistë dhe të shkurajuar nga Shqipëria e zhytur në mjerim për shkak të krimit, të korrupsionit, drogës, sot kam një mesazh; është një ditë për të besuar se e mira do ta mundë të keqen.
Zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit është vetëm fillimi.
Unë inkurajoj të gjitha institucionet që zbatojnë Ligjin e Dekriminalizimit të procedojnë pa vonesë në mënyrë që krimi dhe politika të ndahen përfundimisht nga njëri-tjetri.
Është një fitore për shqiptarët, është një fitore për Partinë Demokratike, është një fitore për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Bashkimin Europian.
Përpara kemi një sfidë tjetër të madhe. Është sfida e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Edi Rama ka dëshmuar përmes mungesës së vullnetit për të zbatuar Ligjin e Dekriminalizimit, mungesës së vullnetit për Reformën Zgjedhore, dhe përmes zgjedhjeve të Korçës, zgjedhjeve të 2015-ës, të Dibrës dhe Kolonjës, se ai është armik i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Por me nisjen e kësaj rruge të re për Shqipërinë, ndarjen e krimit nga politika, fryteve të para të procesit të dekriminalizimit, me bashkimin e të gjithë shqiptarëve që kanë besim dhe kanë vullnet tek një Shqipëri e ndarë nga krimi, jam i sigurt që do ta fitojmë edhe betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Shqipëria nuk do t’i takojë krimit dhe kriminelëve, Shqipëria do t’i kthehet njerëzve, qytetarëve të cilëve u takon.
Shqetësimi i grupit parlamentar ka të bëjë me faktin që kemi përballë një qeveri të korruptuar dhe të inkriminuar e cila nuk ka vullnet të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se në funksion të kësaj, ka sabotuar Reformën Zgjedhore. Partia Demokratike prej datës 17 Maj ka dorëzuar platformën 12 pikëshe, ndërsa qeveria po ndërton një rrjet aleance me krimin në funksion të së cilës shpëton Klement Balili, lirohet Lul Berisha, përgatitet një amnisti për të shpëtuar Armando Prengën, trafikantët dhe shitblerësit e votës të cilët janë nën hetim, pra kemi një kryeministër që nuk ka vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Grupi parlamentar duke ndarë këtë shqetësim ka diskutuar me përgjegjësinë më të lartë për atë që na takon të bëjmë ne, si në raport me aleatët tanë ashtu në veçanti, në raport me qytetarët shqiptarë sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kauzë që bashkon të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht prej bindjeve politike.
Nuk ka shqiptar të ndershëm, të djathtë apo të majtë, demokratë apo socialistë, kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por ka një grusht qeveritarësh, kriminelësh dhe monopolistësh të cilët duan të mbajnë këtë status-quo, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Jemi shumica e shqiptarëve të cilët sot vuajnë keqqeverisjen, korrupsionin, krimin, drogën për shkak të mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Dhe kemi një pakicë pushtetarësh, që kanë përfituar dhe janë majmur pikërisht përmes krimit, korrupsionit, drogës dhe mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kjo është përballja, dhe detyra jonë është t’i japim zë shqetësimit të kësaj shumice, të bëhemi bashkë me këtë shumicë shqiptarësh si rruga e zgjidhjes, për të diktuar së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është sfida.
Sot shqiptarët kanë një arsye më shumë për të qenë më pak pesimistë se dje sepse një nga betejat kryesore tonat, të shqiptarëve filloi të japë frytet. Kriminelët nuk do të kenë të ardhme në politikë, do ta kenë aty ku ju takon, para drejtësisë, një drejtësie të pavarur, sipas Kushtetutës së 22 korrikut që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin.
Pyetje – Përgjigjet
Ndërkohë ju keni çuar në Kushtetuese edhe KLGJ dhe KLP?
Partia Demokratike ka vepruar në bazë të gjithë atyre që ka paralajmëruar.
Çfarë prisni nesër nga Gjykata Kushtetuese për ligjin e Vetting-ut?
Atë që prisni edhe ju, vendimin, në qoftë se e ka nesër, nëse jo, kur ta ketë.
Partia Demokratike ka ankimuar edhe ligjin për KLGJ-në dhe KLP-në, si e mendoni ecurinë e reformës në drejtësi?
Reforma në drejtësi do të bëhet siç është përcaktuar me 22 korrik, një drejtësi e pavarur dhe e pa kapur. Jo një drejtësi e kontrolluar nga Kryeministri për hesap të Lul Berishës, Armando Prengës, trafikantëve të drogës dhe të shitblerësve së votës të cilët kërkon t’i amnistojë nesër në Kuvend.
Prokuroria ka verifikuar me probleme edhe deputetin Dashamir Tahirin, deputetin e PDIU-së, por aktiv në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. A keni ju një koment për këtë?
Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi një qëndrim të qartë politik. Çdo person duke filluar nga unë e çdokush tjetër duhet t’i nënshtrohet plotësisht ligjit për dekriminalizimin. Ky është qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë. Jam i prirur t’i mirëkuptoj rrethanat që ka shpalosur z. Tahiri por kjo nuk është çështje që e gjykoj unë, këtë e gjykojnë institucionet. Qëndrimi politik i Partisë Demokratike dhe i imi personalisht është zbatimi i plotë i ligjit për dekriminalizimin.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/