Oerd Bylykbashi analizon propozimet e Partisë Demokratike që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme
Sot jam para jush për të riparaqitur platformën e Partisë Demokratike për reformën zgjedhore. Ta bëjmë të qartë që në fillim, është një platformë e dorëzuar zyrtarisht në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pra në Parlamentin shqiptar, që më 17 maj të këtij viti.
Një platformë e cila është miratuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe nga partitë aleate të Partisë Demokratike, si platformë e cila mbërthen të gjithë problemet që ngrenë rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, por edhe probleme të tjera, që janë probleme reale dhe vitale për zgjedhjet që duhen trajtuar patjetër.
Nga 17 maji i këtij viti, kanë kaluar 7 muaj e gjysëm dhe opozita ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme për zbatimin e kësaj platforme, sigurisht në një proces negociimi politik dhe teknik në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por për fat të keq, jemi ndeshur në mënyrë konstante me shmangien, refuzimin apo kundërshtimin, nga mazhoranca, nga Partia Socialiste, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, në forma të ndryshme gjatë gjithë kësaj periudhe.
Reforma zgjedhore është konsideruar nga Partia Demokratike që në fillimet e saj si një nga reformat më të rëndësishme, bashkë me Reformën në Drejtësi, madje siç po e kuptojnë të gjithë tani, ndoshta është edhe reforma më e rëndësishme.
Është më e rëndësishme sepse vetëm suksesi i kësaj reforme do të bëjë të mundur, që në Parlament të mos futen kriminelë e për rrjedhojë, Kushtetuta herë tjetër të mos ketë nevojë për votat e kriminelëve, që për 7 ligjet e Reformës në Drejtësi, të mos duhej që për të bërë kuorumin vendimmarrës, të pritej deri sa të vinte edhe krimineli i fundit.
Është turp për Shqipërinë që për hir të dekriminalizimit të ndryshohet Kushtetuta, por është më shumë se sa kaq, kur ligjet e reformës në drejtësi, janë votuar nga këta individë.
Reforma zgjedhore, në objektivin e Partisë Demokratike dhe opozitës është guri i themelit, për suksesin e çdo reforme tjetër. Për fat të keq, mazhoranca deri tani nuk ka bërë asgjë tjetër, vetëm se deklarata publike dhe asnjë tentativë që të ulet me ne për të diskutuar dhe për të rënë dakord mbi brendinë e platformës që ne propozojmë, të hapur me çfarëdo lloj propozimi tjetër që ata kishin.
Pala tjetër në Komisionin e Reformës, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka dëmtuar në mënyrë thelbësore mekanizmin me të cilin funksionon Reforma Zgjedhore që nga viti 2002, që palët të diskutojnë me njëra-tjetrën në nivel politik dhe teknik, bien në konsensus dhe miratojnë drafte.
Është e paprecedent si kësaj radhe, që përfaqësuesit e mazhorancës në këtë komision nuk kanë bërë gjë tjetër veçse deklarata dhe kanë bërë propozime unilaterale, që nuk kanë asnjë vlerë nëse do të konfrontohen me propozime po aq unilaterale nga ana jonë, të cilat ne jemi të gatshëm dhe të aftë në çdo moment ti bëjmë, duke sjellë amendamente që nuk kanë të bëjnë me çakmakët apo shkrepset, me logot e partive, me fishekzjarrët, dhe aq më pak, nuk do të synohet kurrë nga ne që Partia Demokratike të kapë 100 për qind komisionet zgjedhore të nivelit të mesëm dhe të qendrave të votimit siç bën propozimi i Partisë Socialiste, i cili garanton që të gjithë komisionet të jenë në raportin katër me tre për PS dhe LSI. Kjo jo vetëm që do të ishte një kthim prapa në vitet 2000 dhe 2001, por do të ishte rifillim i një krize gjigante politike, zgjedhore që me shumë vështirësi u shua në vitin 2005.
Ripropozoj edhe një herë para jush pikat kryesore të platformës së Partisë Demokratike.
Siç e thashë, trajton në mënyrë të plotë dhe me një qasje plotësisht shqiptare, të gjitha zgjidhjet që do t’i japin përgjigje rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it, kështu që është plotësisht në përputhje me objektin e punës së komisionit. Çdo gjë që deklarohet lart e poshtë, por jo në Komisionin e Reformës, nga përfaqësuesit e mazhorancës, është tentativë për t’u shmangur, po aq sa u tentua të shmangej nga nevoja për shenjat e grishtërinjve për kriminelët.
DEKRIMINALIZIMI I PROCESIT ZGJEDHOR
Tashmë ka një ligj, tashmë ka një standard kushtetues, por askush prej jush, askush nga opinioni publik, nuk ka pikën e dyshimit që procesi zgjedhor është i rrezikuar nga kriminelët të cilët janë në partneritet të plotë me kryeministrin. E bëri paktin në vitin 2013, vazhdon ta bëjë edhe sot duke i nxjerrë edhe nga burgu.
Por mbi të gjitha siç e patë dje, nën urdhrin e tij, KQZ bëri çmos, dhe përfaqësuesit, qoftë të këtyre personave që Edi Rama i ka sjellë në pushtet, por edhe përfaqësuesit ligjor të mazhorancës, bënë çmos për të zgjatur ditët në detyrë të zyrtarëve të dënuar për krime, përdhunim, trafiqe, etj, vetëm e vetëm që t’i qëndrojë Edi Rama paktit që ka bërë, dhe për të garantuar njerëzit që dekriminalizimi nuk do të sjellë pasoja, pra kriminelët do të jenë përsëri në procesin e 2017-ës.
Kjo nuk do të zgjasë shumë siç e dini, kjo kërkesë është jo vetëm e opozitës, por edhe i Shteteve të Bashkuara, tashmë është një kusht për Shqipërinë në procesin e hapjes së negociatave.
Zbatimi me efikasitet i ligjit, duke filluar nga heqja e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, i cili duhej të ishte shkarkuar nga Kryeministri, por tani nuk ka asnjë shpresë përveçse të zgjasë me 48 orë qëndrimin e në detyrë, për turp të mazhorancës.
Ata që do të kandidojnë në zgjedhjet e vitit 2017, të mendohen mirë jo dy herë por më shumë, përpara se të firmosin kërkesën e tyre për kandidaturë tek Edi Rama.
Sigurisht që është e nevojshme të detajohen elementët e tjerë që do t’u heqin mundësinë kriminelëve të penetrojnë në administratën zgjedhore, të jenë në qendrat e votimit apo numërimit. Ju e dini shumë mire, madje dhe ambasadori amerikan ka qenë dëshmitar i bandave kriminale përpara qendrave të votimit të cilët intimidonin zgjedhësit.
Platforma e Partisë Demokratike e trajton këtë në mënyrë shteruese dhe çdo përpjekje për të vonuar me deklarata punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të mbajtur status quonë që ishte deri dje.
Çështja e dytë,
PERDORIMI I TEKNOLOGJIVE NE VOTIM, kërkesë themelore e platformës së Partisë Demokratike dhe opozitës. Por unë besoj se kjo ka dhe mbështetjen e publikut dhe të gjitha forcave të tjera politike me përjashtim të dy forcave kryesore në mazhorancë. Të gjitha partitë, jo vetëm PD, por edhe partitë e tjera në spektrin politik në parlament ose jo, e mbështesin. Por mbi të gjitha ajo që është e rëndësishme, që përdorimi i votimit elektronik, identifikimi biometrik dhe numërimi elektronik, e gjitha në një sistem të vetëm të integruar, është garancia e vetme që kanë sot shqiptarët që të mos ndodhin procese që i kanë parë me sy, i kanë prekur, tashmë nuk janë më sekrete, por që ua kanë shpifur të gjithë shqiptarëve.
Çfarë bën në propozimin tonë sistemi elektronik dhe biomterik i votimit, i identifikimit dhe i numërimit të votave?
Garanton që të reduktohet në mënyrë drastike, në mos të eliminohen, probleme të cilat sot me kodin zgjedhor më të mirë që ne mund të bëjmë, është e pamundur të trajtohen. Një nga këto, është shitblerja e votës. Sot ju e dini, të gjithë shqiptarët tashmë e dinë, se si paraja në sasi të jashtëzakonshme me burim drogën por edhe korrupsionin galopant, një pjesë e madhe e tyre do të përdoret , është ndarë më vete për të blerë vota.
Mund të marrim disa modele, si zgjedhjet e Durrësit në 2015, ku kishte një mekanizëm kirurgjikal, kontrolli të shitblerjes së votës, ku për secilën qendër votimi ka një agjent shitblerje, i cili mund të jetë kriminel apo njeri që aspiron për të mbajtur postin e drejtorit, model i cili u implementua në mënyrë të plotë në zgjedhjet e pjesshme në Dibër. Milionat që shpenzohen nga feudalët lokalë të Edi Ramës, një pjesë e tyre qoftë për të bërë vela betoni si në Durrës, apo projekte të rilindjes urbane janë të ndara, pra një pjesë e parave do të përdoren për këtë.
Për të blerë vota, për të blerë karta identiteti, për të blerë komisionerët, në mënyrë që vota që hedhin shqiptarët të mos jetë ekzakt ajo që do të numërohet nesër dhe, në fund fare kur të numërohen votat , të numërohen në një mënyrë komplet tjetër.
Do ju marr një shembull të thjeshtë. Ju e dini shumë mirë tashmë, nuk është sekret, të gjithë shqiptarët e dinë se si agjentët e partive turren për të marrë kartat e identitetit të zgjedhësve. Nëse ndokush e konsideron këtë si shitblerje vote në fakt e ka gabim. Praktikisht anulohet e drejta e votës, duke marrë kartën e identitetit atë që duhet të ishte garancia e zgjedhësve për të votuar në mënyrë të sigurt, i zhduket e drejta. Po u merret kjo e drejtë dhe kërcënohen për të mos qenë pjesë në votim. Identifikimi biometrik tashmë është absolutisht i mundshëm për shkak të databazës së dokumenteve të identitetit që tashmë kemi, dhe kjo e bën të mundur që në çështje sekondash, zgjedhësi të identifikohet në mënyrë të sigurt. Teknologjia në votim, e bën të pamundur për komisionerët nëpërmjet çfarëdo lloj forme manipulative apo kriminale, të ndërhyjnë në procesin e votimit të shqiptarëve.
Në të njëjtën formë, pra ajo që ne propozojmë për votimin elektronik, bën të mundur që brenda pak orësh, rezultati të jetë i shpallur dhe përfundimtar në të gjithë Shqipërinë me një siguri të lartë 100% dhe nëse dikush ka dyshime, është mundësia që të rinumërohet rezultati në mënyrën më të sigurt të mundshme sepse ajo që propozojmë ne i heq mundësinë çdo lloj manipulimi nga segmente të ekzekutivit apo kujtdo tjetër.
Ju e dini që një problem i madh është zgjatja e numërimit, pasiguaria që ajo jep dhe efektet politike që prodhon. Kjo zhduket, sepse rezultatet do të dalin në më pak se një ose dy orë në të gjithë Shqipërinë, me atë që propozojmë ne.
Me këto avantazhe që do të japë votimi elektronik dhe identifikimi biometrik, vjen pyetja: Pse PS po e pengon reformën?! Pikërisht për të bërë të pamundur implementimin e kësaj platforme. Në këtë aspekt, paratë janë, sado të kushtojë janë të gjitha të rikuperueshme. Nuk mund të ketë PS për justifikim sasinë e parave që duhet të shpenzohen. E vetmja gjë që ata duan të minojnë në këtë histori është koha. Unë besoj se zgjedhjet janë çështje standardi. Nuk mund të bëjmë ne zgjedhje të këqija për shkak se koha është e pamjaftueshme. Zgjedhjet ose kanë standarde, ose janë thjesht votime, ajo që kërkon z.Rama që të rikonfirmojë pushtetin nëpërmjet votash, që nuk kanë lidhje fare me atë që do të hedhin shqiptarët më 18 qershor.
Ne do të insistojmë në këtë aspekt, sepse është e vetmja mundësi për të garantuar standarde dhe 12 nenet e propozuara nga PS, sigurisht as s’i prekin minimalisht, jo vetëm 53 rekomandimet, por as rritjen e standardit. Eshtë vetëm një tallje me parlamentin shqiptar edhe me shpresën e shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor të vitit që vjen.
Çështje tjetër me rëndësi thelbësore e ripërsërisim është
FINANCIMI I PARTIVE DHE FUSHATES, ulja e kostos së politikbërjes.
Pse shqiptarëve duhet t’u kushtojë me shifra të jashtëzakonshme, me dhjetëra miliona euro vetëm fushata zgjedhore? Pse shqiptarët duhet të shohin para të cilat në fund fare dalin nga xhepat e tyre në formën e taksave dhe përfundojnë në xhepat e politikës nëpërmjet tenderave korruptivë apo korrupsionit. Apo paraja e trafikantëve të drogës që lejohen nga Ministria e Brendshme dhe krerët e Policisë së Shtetit, të mbjellin gjithë Shqipërinë me drogë. Pra, është një rreth vicioz korrupsioni e krimi. Ne kërkojmë që kjo të ulet në mënyrë drastike, në mënyrë që shqiptarëve jo vetëm të mos u kushtojë, por edhe politika të jetë e shkëputur, të mos jetë peng i krimit apo atij biznesi, e vetmja mënyrë e të cilit për të mbijetuar është lidhja me pushtetin. Për këtë arsye, kemi propozuar financim shtetëror 100% të procesit zgjedhor dhe fushatës së partive. Kemi kërkuar kriminalizim të financimeve koorporative, private, dhe kërkojmë gjithashtu që të bëhen përllogaritje të qarta dhe për nxjerrjen e kostos shumë të qartë për një fushatë të plotë, sa kushton. Shqiptarët duhet ta dine, se sa partitë marrin dhe sa shpenzojnë. Duhet të ketë transparencë të plotë për këtë gjë, dhe të gjithë ata që shpenzojnë para që nuk janë të deklaruara, do të përballen edhe me drejtësinë penale.
Në këtë aspekt, PD e ka mjaft të detajuar platformën, po punon për setin e amendamenteve që po trajtohen në mënyrë të plotë. Jemi në bashkëpunim edhe me Këshillin e Europës dhe ekspertë të saj për këtë gjë, por rruga që ka ndjekur PS për të ecur në mënyrë unilaterale vetëm dëmton arritjen e standardeve të larta në këtë fushë.
Një çështje tjetër është
PERDORIMI I BURIMEVE SHTETERORE DHE PRESIONI MBI ADMINISTRATEN.
Besoj se asnjë shqiptar nuk ka dyshime në lidhje me mënyrën se si Edi Rama, në mënyrë të skajshme në 2015-ën, por është e sigurt nga të gjitha informacionet që ju mund ti investigoni vetë, po e rivendos të gjithë administratën në funksion të zgjedhjeve. Ky është një përdorim i burimeve shtetërore i ndaluar sot nga Kodi Zgjedhor. Por ne do shkojmë në shtrëngim deri në dispozita penale për drejtuesit e administratës që do të përdorin burimet shtetërore. Nuk do të jetë një detyrim vetëm politik apo moral por çdo drejtor apo zyrtar tjetër që do të përdorë burimet shtetërore do të përballet me Kodin Penal. Kjo është një kërkesë e OBSE/ODIHR-it dhe jam i sigurt që nuk do ta gjeni tek 12 nenet që ka propozuar PS.
Sigurisht presioni mbi administratën, ka çuar që në zgjedhjet e 2015-ës ODIHR-it të konstatojë shkeljen e standardit bazë: frikën për të votuar të lirë nga punonjësi i administratës, nëse ata nuk votonin për kandidatët e mazhorancës. Verifikojeni në raportin e OSBE/ODIHR-it dhe do ta gjeni të zezë mbi të bardhë. Por ky është një turp të cilin shqiptarët e kanë superuar, të paktën që nga viti 2003.
Të kërcënosh me largim nga puna siç është konstatuar në zgjedhjet e 2015-ës, është cënim i parimit themelor: “Liria për të votuar”. Këtë ka arritur Edi Rama, këtë turp iu ka lënë shqiptarëve. 2017 duhet që këtë turp ta fshijë. Platforma jonë qoftë edhe nëpërmjet masash penale synon ta trajtojë këtë çështje.
Një çështje tjetër me rëndësi të madhe është
MEDIA DHE FUSHATA.
Sigurisht që ka një ndërthurje të fortë me aspektin e financimin e partive politike, por ajo që ne do të kërkojmë do të jetë garantimi i kushteve të barabarta për subjektet, në një situatë ku media po censurohet gjithmonë apo po autocensurohet në mënyrë të vazhdueshme, për shkak të presionit mediatik, kontrollit apo edhe lidhjeve të biznesit me politikën.
Sigurisht që në muajin e fushatës ajo që dominon është e drejta e zgjedhësit për të marrë informacionin të pastër dhe të pa censuruar dhe e drejta e kandidatëve për të bërë fushatë në mënyrë të lirë në përputhje me atë që u jep Kushtetuta.
Kështu që do të trajtohet me theks të veçantë nga ana jonë për të garantuar që media të jetë e lirë nga çdo lloj presioni në procesin zgjedhor, në mënyrë që zgjedhësit dhe kandidatët të jenë të lirë në fund fare. Ata janë në qendër të skenës dhe nuk mund të jenë të tjerë. Çdo lloj interesi që rrotullohet rreth tyre është dytësor në atë moment.
Është e papranueshme që subjektet zgjedhore harxhojnë miliona euro, kemi rastin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që ka harxhuar miliona euro në publicitet në media, gjë që është e padeklaruar dhe madje e pandëshkuar.
LISTAT E ZGJEDHESVE dhe
SISTEMI I ADRESAVE
Siç e dini tashmë listat kanë filluar, dhe do ti kërkojmë llogari qeverisë pse nuk trajtoi rekomandimet e OBSE/ODIHR-it në lidhje me listat përpara sesa procesi të fillonte. Situata që kemi me listat dhe procesi i adresave, i cili është deklaruar se ka nisur, në fakt ka mbetur me 1200 militantë të FREESH-it të cilët i kanë punësuar në një kompani private, e cila financohet nga një prej kompanive më të atakuara për korrupsion, siç është OSHEE, dhe pikërisht këta do të bëjnë një operacion që duhej të ishte ekskluzivisht i Ministrisë së Brendshme dhe bashkive.
Të shkosh derë më derë në shtëpitë e shqiptarëve për të mbledhur të dhëna në mënyrë private është e kundërligjshme dhe asnjë shqiptar nuk do t’i japë ato të dhëna sepse do të përdoren në mënyrë selektive kundër tyre në proçesin zgjedhor. Kjo është e paligjshme dhe është kundër çdo modeli që njihet në botë dhe e vetmja gjë që e shtyn Ramën, është nevoja për të manipuluar zgjedhjet nëpërmjet listave të zgjedhësve. Është shumë e e vjetër dhe nuk shkon më larg se 2003, dhe mbas atij viti këto probleme janë zgjidhur, kështu që është turp që Shqipëria u rikthehet problemeve vetëm e vetëm që Edi Rama do të fitojë zgjedhjet.
VOTIMI I EMIGRANTEVE ishte pjesë e platformës tonë por ajo që duhet theksuar është që edhe me ndërhyrjet e fundit në ligjin për gjendjen civile që u bënë në seancën e fundit të parlamentit, në mënyrë definitive Partia Socialiste i shuan të drejtën emigrantëve për të votuar në Shqipëri. Shqipëria edhe për shkak të vonesës që prodhoi në reformë PS-ja, e ka të pamundur ta shtrijë aftësinë e saj për votuesit jashtë por të paktën të mos i heqë të drejtën e votimit në Shqipëri të gjithë atyre që duan të votojnë. Këtë e realizoi me bindje të plotë PS-ja para pak ditësh kur në momentin që një emigrant regjistron veten në Milano, Berlin, etj, humbet të drejtën e votës së tij në Shqipëri.
Sigurisht që kemi çështje të tjera siç është
ROLI I POLICISE NE ZGJEDHJE. Krerët e policisë duke qenë palë me krimin në trafikun dhe mbjelljen e drogës, askush nuk mund të besojë tek ta. Për më tepër që policia është politizuar në mënyrë të skajshme, ku njëherë në 3 muaj kryeministri mbledh një të tretën e policisë në shkallë vendi dhe u bën kongres për ti bindur që të votojnë në favor të mazhorancës. Në këto kushte, mos prisni që Policia e Shtetit do të jetë ajo që do të garantojë që kriminelët do të rrinë larg qendrave të votimit. Që kriminelët nuk do të ushtrojnë presion, që kriminelët nuk do të shkojnë të blejnë votën apo të intimidojnë zgjedhësit. Sa pritshmëri keni ju që do të jetë kjo polici që do të ndjekë agjentët e shitblerjes së votës së Edi Ramës dhe ministrit të Brendshëm? Zero. Kanë zhdukur çdo lloj elementi që siguron rolin e policisë, dhe këtë e kanë bërë në mënyrë të qëllimshme. Ne do ta rikthejmë këtë.
Një element me rëndësi është
FORCIMI I POLITIKES PENALE.
Ne kemi tashmë një paketë e cila parashikon shtrëngimin e politikës penale kundër krimit zgjedhor. Siç e dini, ligji i dekriminalizimit e vë krimin zgjedhor në të njëjtin nivel me korrupsionin, sepse është një nga format më të rënda të korrupsionit që mund të ndodhë, që ndalon për 20 vite ushtrimin e funksioneve e për rrjedhojë do ta çojmë politikën penale në këto nivele. Shitblerja e votës do të transformohet në korrupsion zgjedhor për një arsye shumë të thjeshtë, që Prokuroria e Krimeve të Renda tani, dhe më pas SPAK-u, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të jenë organet e specializuara të trajnuara edhe me një vullnet politik krejt ndryshe mbi korrupsionin, për të goditur këtë fenomen dhe Shqipëria, të shohë 15 apo 20 rastet e para të këtyre agjentëve të shitblerjes të përfundojnë në burg dhe kjo të mos mbetet një barsoletë të cilën e tregojnë të gjithë shqiptarët dhe askush nuk trembet.
Çështje të tjera që kanë më pak presion në lidhje me reformën zgjedhore kanë të bëjnë me
REFERENDUMET dhe
SISTEMIN ZGJEDHOR.
Sistemi zgjedhor, ky që është, ka nevojë për të shtrënguar disa elementë për ta bërë më efikas dhe për të korrigjuar elemente që kanë provuar të jenë problematike. Për shembull, kemi parti politike që regjistrohen në mënyrë fiktive dhe është një mekanizëm mafioz për të kontrolluar votën. Parti të cilat nuk ekzistojnë, agjentët e shitblerjes së votës do të dirigjojnë votën e familjeve të caktuara tek sigla të vdekura partish në koalicionin qeveritar. Nëpërmjet kësaj skeme, PS po bën gati kontrollin e votës së mijëra shqiptarëve. Kjo është një shuplakë në fytyrën e shqiptarëve dhe gjithsekush duhet ta refuzojë por detyra jonë është ti vëmë fre me ligj kësaj skeme mafioze siciliane të blerjes së votës.
Referendumi është një instrument me rëndësi të madhe përtej asaj që ju keni provat që mazhoranca ka bllokuar çdo mundësi referendumi, por ka ardhur momenti që shqiptarët të vendosin përmes referendumeve përkundër asaj që kërkon politika. Nëse politika po shkëputet nga kontakti me realitetin e shoqërisë, referendumi duhet të jetë ajo goditje e fortë që kanë të drejtë shqiptarët ti japin politikës për ta kthyer në hullinë e asaj që ata kërkojnë.
Këto ishin 12 pikat e platformës. E theksoj që çështjet themelore janë dekriminalizimi, sistemi i votimit elektronik, identifikimi biometrik, financimi dhe media. Por të gjitha çështjet e tjera janë çështje shumë të rëndësishme dhe ne do të kërkojmë zbatimin e kësaj në mënyrë të plotë dhe të menjëhershme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/