Vëllezërit goditen me sëpatë për 100 metra tokë ullishte: Të ndërhyrjë shteti,...

Vëllezërit goditen me sëpatë për 100 metra tokë ullishte: Të ndërhyrjë shteti, nuk e zgjidhim dot

91
0
Shares

Një konflikt pronësie për 100 metra tokë ullishte mund të përfundonte në një tragjedi familjare.

Tre vëllezër dhe fëmijët e tyre, banorë të fshatit Çorrush në Mallakastër, janë përfshirë në debat mes tyre deri edhe në përdorimin e sëpatës para Komisariatit të Ballshit. Për pasojë, ka mbetur i plagosur një nga familjarët, emigrant që kishte ardhur nga Greqia për pushime. I plagosuri përfundoi në spital, ndërsa Policia arrestoi tre persona.

 

NGJARJA

Policia bëri të ditur se një ditë më parë në fshatin Çorrush të Mallakastrës ka ndodhur një konflikt për motive pronësie ndërmjet shtetasve Veli Lalaj 57 vjeç dhe Nezir Lalaj 69 vjeç (vëllezër). Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe vëllai tjetër i tyre, shtetasi Zenel Lalaj dhe djali i Nezirit, shtetasi Besnik Lalaj të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Veliut, duke i shkaktuar atij dëmtime fizike. Më tej, djali i shtetasit të dëmtuar, Fatjon Lalaj, ka dashur të hakmerret ndaj djalit të xhaxhait të tij shtetasit Sokol Lalaj, 39 vjeç (djali i shtetasit Nezir Lalaj dhe vëllai i shtetasit Besnik Lalaj), ku është konfrontuar fizikisht me këtë të fundit dhe ka tentuar ta vrasë me një sëpatë. Por falë ndërhyrjes së Policisë, e cila neutralizoi autorin, nuk arriti ta vrasë, por i ka shkaktuar dëmtime të rënda fizike. Kjo ndodhi pasi autori mësoi se djali i xhaxhait të tij, emigrant i sapoardhur nga Greqia, kishte shkuar denoncuar në Polici konfliktin familjar, që kishte degjeneruar me dhunë e përleshje mes tyre.

PLAGOSJA

Sipas të dhënave, sapo 39- vjeçari ka dalë nga ambientet e Komisariatit ku kishte denoncuar dhunën në familje, djali i xhaxhait të tij Fatjon Lalaj e priste jashtë dhe ka nisur konflikti mes tyre. Ai kishte mbërritur me mjetin e tij para Komisariatit dhe ka pritur kushëririn e tij derisa ka dalë nga ambientet e Policisë. Më pas është afruar me një sëpatë në dorë, duke i kërkuar llogari 39-vjeçarit se pse kishte shkuar t’i denonconte për konfliktin e dhunshëm që kishte ndodhur më parë mes vëllezërve për pronën. Siç i dëmtuari tregoi, djali i xhaxhait të tij ka nisur ta qëllonte në fillim me bishtin e sëpatës. Por më tej situata është ndezur dhe ai ka përdorur tehun e mjetit mprehës, duke i shkaktuar atij disa dëmtime në krah. Pasi e la të plagosur, Fatjon Lalaj 22 vjeç ka tentuar të largohet me shpejtësi, por Policia, që ka qenë vetëm pak metra më tej, e ka arrestuar atë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia bëri të ditur se “u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale ‘Dhunë në familje’ i shtetasve: Zenel Lalaj 66 vjeç, banues në Çorrush, Mallakastër, Besnik Lalaj 26 vjeç, banues në Çorrush, Mallakastër. Si dhe për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë” u arrestua shtetasi Fatjon Lalaj 22 vjeç, banues në Mallakastër.

KONFLIKTI

Nezir Lalaj, babai i të plagosurit Sokol Lalaj i ka treguar Policisë se konflikti ka filluar një vit më parë kur pa se në certifikatë ai kishte më pak metra katrorë se i vëllai. “Tokat i kemi në kufi me njëritjetrin. Në prill 2017 do nxirrja tokën me certifikatë. Shoh se unë kisha më pak tokë në tapi dhe më thotë zyrtari që nuk mund ta fusim këtë parcelë. Çështja bllokohet. Komisioni i parë ia la tokën atij dhe i jep më shumë metra atij. Komisioni i dytë më nxjerr mua 2900 metra kurse vëllait 2970. Jemi në gjyq”, është shprehur Neziri për Policinë. Sokol Lalaj, i plagosuri, që po merr mjekim në Spitalin e Fierit i kërkon shtetit të ndërhyjë për të parandaluar ndonjë tragjedi edhe më të rëndë. Ai jeton në Greqi prej 20 vitesh dhe kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në shtëpi për disa ditë pushime.

I plagosuri: Të ndërhyjë shteti, s’po e zgjidhim dot me ligj

I plagosuri i djeshëm Sokol Lalaj, baba i katër fëmijëve i kthyer për pushime te familja e tij, bëri dje apel për ndërhyrje nga shteti. Sipas tij, çështja e pronës nuk kishte gjetur dot zgjidhje nga institucionet shtetërore e tashmë familjarët e tij janë në konflikt të vazhdueshëm mes tyre. Ai tregon gjithë ngjarjen dhe thotë se mollë sherri ndërmjet tre vëllezërve është bërë një sipërfaqe prej 100 metrash ku ka mbjellë ullinj, por se nuk po e zgjidh dot në mënyrë ligjore.

Ju keni konflikt për pronën?

Po, por nuk çaj dot në Mallakastër se ai (xhaxhai) ka miq e ka shokë. Vete babai im, e përzënë, vete unë, ik atje, ik këtu. Kemi një vit e ca që sorollatemi dhe për çfarë, për tokën time… Dhe sa është, 100 metër tokë se mos janë hektarë, por unë e kam mbjellë ullinj atë.

Jeni në proces gjyqësor?

Po, në proces gjyqësor. Se unë pardje erdha nga Greqia, Fieri e ka rrëzuar, nuk jam shumë i saktë. Unë jam emigrant në Greqi prej 20 vitesh. Kam 4 fëmijë, 3 vajza e një djalë. Dua ndihmë nga shteti. Kemi konflikte me tokat dhe vetë shteti të vijë direkt të ndajë tokat. Se në komunë e bashki nuk çan dot, se ka njerëzit e tij.

Kush i ka tokat?

Ne jemi në konflikt me xhaxhain për punë tokash. Të vijë shteti, me gjithë Polici e ministri, ça janë… të vijnë që mos të bëhet gjendja më keq se është. Do merrni hak? Jo, për t’u hakmarrë jo. Unë kam 4 fëmijë, nuk jam i tillë të hakmerrem. Dua në mënyrë ligjore.

Si ndodhi ngjarja?

Unë kam edhe shtëpinë time në Ballsh prej 10 vitesh, por jam nga Çorrushi. Kam ardhur për pushime nga Greqia dhe isha në Ballsh. Dje kishte bërë llafe plaku me xhaxhain për punën e tokave dhe më merr byrazeri (vëllai) në telefon, më thotë ik bëj denoncimin se xhaxhai ka qëlluar babain. Bëra denoncimin te Policia. Pas 5 minutash dola prapë dhe po prisja që të vinin ata nga fshati me gjithë Policinë dhe thashë të rrija atje para. Pastaj u nisa të dal lart, më vjen kushëriri shtizë me makinë. Djali i xhaxhait me sëpatë dhe filloi po më godiste, më ofendoi e më godiste. Në fillim filloi me bishtin e sëpatës pastaj nuk e di si e ktheu dhe më zuri në dy vende, këtu. Në moment i bie sëpata nga bishti dhe ia futi vrapit, por Policia ishte afër 10-20 metra.

Po ti e qëllove?

Unë nuk e qëllova, me një dorë mbrohesha, siç më goditi, mbaja dorën se kullonte gjak. Ai iku se i doli sëpata nga bishti e i doli Policia përpara. E futën brenda, mua më çuan në Spitalin e Ballshit me makinë policie pastaj më sollën në Fier. M’i kanë qepur plagët./PANORAMA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY