Kreu i Shtetit shqiptar Bujar Nishani, ka uruar Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk për Ditën e Europës.
Sipas Nishanit, “integrimi europian mbetet alternativa e vetme dhe projekti më madhor i shqiptarëve”, ndërsa e ka siguruar Tusk se, “jemi të vendosur për të vijuar përpara në këtë drejtim, si në aspektin e reformave të brendshme, ashtu edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal”.
Mesazhi i Bujar Nishanit për Donald Tusk
“I nderuar Zoti President,
Në Ditën e Evropës dhe Ditën e ‘Deklaratës Schuman’ kam kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë që edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, t’ju shpreh Ju dhe të gjitha institucioneve e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, urimet më të përzemërta për më shumë suksese, begati e harmoni!
Me këtë rast i bashkëngjitëm mesazhit historik që Robert Schumani u përcolli të gjithë popujve të Europës në vitin 1950, se bashkimi i vendeve të kontinentit të vjetër do të sillte një zhvillim dhe fuqizim më të shpejtë të tyre. Ajo ide vizionare që u shndërrua shumë shpejt në një realitet të prekshëm, bëri të mundur që edhe Shqipëria të futej në rrugën e pakthyeshme të integrimit në Bashkimin Europian.
Përfitoj nga kjo mundësi që të ritheksoj mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe e të pakursyer që i keni dhënë procesit të integrimit evropian të vendit tim dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ashtu siç e kam theksuar edhe në takimet me ju, integrimi europian mbetet alternativa e vetme dhe projekti më madhor i shqiptarëve, ndaj dhe ju siguroj se jemi të vendosur për të vijuar përpara në këtë drejtim, si në aspektin e reformave të brendshme, ashtu edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal.
Jam i bindur gjithashtu se pavarësisht sfidave dhe çështjeve të mprehta me të cilat po përballet Bashkimi Europian dhe institucionet e tij, vëmendja, përkrahja dhe përkushtimi juaj do të vazhdojë të përqendrohet edhe mbi Shqipërinë e rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke ju uruar edhe njëherë suksese në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!
Bujar Nishani”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/