Rama u paralajmërua nga Meta, por i firmosi HEC-et në Osum në...

Rama u paralajmërua nga Meta, por i firmosi HEC-et në Osum në dijeni të shkeljeve

113
0
Shares

Ndonëse kryeministri Rama pretendoi se fabrikimi i koordinatave për HEC-et në Osum ishte zbuluar nga një inspektim pas miratimit të projektit në Dhjetor 2017, një dokument i nisur në adresë të tij nga ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tregon dijeninë e tij për shkeljet dhe shqetësimet që në mars 2017.

Pas presionit të opinionit publik dhe ekspozimit të shkeljeve mjedisore, kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se do të anulojë projektin e HEC-eve mbi lumin Osum në qarkun e Beratit.  Rama la të kuptohej se manipulimi me koordinatat ishte zbuluar pas miratimit të lejes së HEC-eve në mbledhjen e 12 dhjetorit 2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit, ndërsa premtoi kallëzim penal për njerëzit e përfshirë në atë që ai e quajti fabrikim.

“Qyshse u krye procedura ligjore e miratimit të një lejeje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore. E cila rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara,” shkroi Rama në Facebook.

Por ndryshe nga ç’pretendon kryeministri, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ai vetë dhe dy anëtarë të qeverisë së tij ishin informuar për koordinatat e manipuluara dhe shkeljet e tjera të projektit që në mars 2017.

Shqetësimi u përcoll në qeveri më 9 mars 2017 nga ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili kërkonte vlerësim serioz të projektit si dhe kujdes të veçantë në rishikimin e lejes për këtë veprimtari, që sipas Metës “dëmton perspektivën e zhvillimit të një treve të rëndësishme të Shqipërisë.

Reagimi i Metës erdhi pas shqetësimeve të ngritura nga një duzinë organizatash që veprojnë në fushën e Rafting, turizmit, mbrojtjes së mjedisit dhe komunitetit të gjerë në qarkun e Beratit.

Shkresa të cilën BIRN e disponon [kliko këtu për dokumentin]   i drejtohet ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe i shkon për dijeni kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Bashkangjitur shkresës me titull “ Shqetësime ndaj projektit mbi lumin Osum” gjendet edhe harta e projektit bashkë me shpjegimin se në lejen e ndërtimit të KKT-së mungon “referimi për parcelën 36 “që ndodhet afërsisht në mes dhe bën lidhjen e kanalit të dy veprave”.

Një tjetër shqetësim i përcjellë nga Meta në qeveri është edhe mungesa e lejes së përdorimit të ujit për HEC-in Veleshnje, koordinatat e të cilit ndodheshin në përroin e Bigasit.

“Këto grupe interesi e në veçanti komuniteti shprehin një shqetësim të madh se ndërtimi i tre hidrocentraleve do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme ujvarat e kanionit ‘kaskada e Bigasit’, do të ndikojë negativisht në ekosistemin e kanioneve të Skraparit dhe do të shkatërrojë florën dhe faunën përreth,” thuhet në shkresën e Metës.

Po pavarësisht këtij alarmi, Këshilli Kombëtar i Territorit i kryesuar nga kryeministri Rama e futi në axhendë dhe miratoi në dhjetor 2017 projektin energjetik për ndërtimin e dy HEC-eve në Bigas dhe Veleshnje, në favor të kompanisë  “HP Bigas Veleshnje Energy”.

BIRN pyeti drejtorin e komunikimit në këshillin e ministrave, Endri Fuga nëse kryeministri ishte informuar për shkeljet e projektit energjetik që në pranverë, por nuk mori përgjigje.

Riciklimi i HEC-eve mbi Osum

Faksimile e letrës së dërguar nga Ilir Meta, Edi Ramës, Damian Gjiknurit dhe Lefter Kokës me 9 mars 2017

Me kanionet e Skraparit dhe kaskadën e Bigasit, kjo zonë është shpallur monument natyror dhe përbën sot një ndër atraksionet më interesante në vend. Gjithashtu, zhvillimi i sportit të Rafting ka shtuar vit pas vit numrin e turistëve vendas dhe të huaj.

Por pavarësisht rëndësisë së turizmit në zonë dhe mbrojtjes ligjore, një projekt për ndërtimin e tre HEC-eve mori udhë që në kohën e qeverisë “Berisha” dhe pavarësisht premtimit në vitin 2013, u shty përpara edhe nga qeveria “Rama”.

Projekti koncesionar për ndërtimin e tre hidrocentraleve Bigas 1, Bigas 2 dhe Veleshnje u miratua fillimisht në shtator 2013, kur Berisha ndodhej në ditët e fundit në zyrë. Me të marrë timonin e qeverisë, Rama premtoi anulimin e të gjitha lejeve që Berisha firmosi në ditët e tij të fundit në zyrë duke i cilësuar ato si korruptive.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se HEC-et mbi lumin Osum jo vetëm që nuk u anuluan, por morën miratimin e disa enteve në varësi të qeverisë “Rama”.

Ministria e Energjisë vijoi procedurat për ndryshimin e kontratës fillestare të kompanisë PH Bigas-Veleshnje Energy, duke e ndryshuar kapacitetin nga 0.5 në 1.2 mega. Kjo solli edhe bashkimin e dy HEC-eve Bigas 1 dhe Bigas 2, ndërsa kontrata e re u nënshkrua nga Ministria e Energjisë më 16 maj 2016.

Projekti mbërriti më pas në Këshillin Kombëtar të Territorit, ku u miratua në 12 dhjetor 2017. Ai u mbajt i fshehtë dhe nuk u botua as nga qeveria dhe as nga KKT.

Por pasi siguroi lejen e ndërtimit, kompania “HP Bigas Veleshnje Energy” nuk humbi kohë për të nisur punën. Buldozerë të mëdhenj dhe makina të ngarkuara me tuba iu ngjitën malit të Veleshnjes, duke vënë në alarm banorët e zonës dhe anëtarët e Federatës Shqiptare të Raftingut.

Kompania “HP Bigas Veleshnje Energy” zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga kompania “2 AF” sh.p.k. Pronari i vetëm i 2 AF është Erfan Feta, ndërkohë që kompania koncesionare administrohet nga i biri, Alban Feta.

I pyetur nga BIRN për akuzat, pronari i kompanisë 2 AF, Erfan Feta i hodhi poshtë ato ndërsa tha se e kishte fituar të drejtën për ndërtimin e HEC-eve konform ligjit.

“Unë kam  të gjithë dokumentacionin e hartuar dhe certifikuar nga institucionet shqiptare ndaj unë kam të drejtën e vijimit të punimeve për ndërtimin e këtyre HEC-eve,” tha Feta.

“Dosja ime është e rregullt dhe atë mund ta gjeni në çdo ministri të shtetit shqiptar,”shtoi ai.

Pingpongu i institucioneve

Pas qarkullimit të lajmit për vazhdimin e projekteve në lumin Osum dhe rrjedhjes në publik të dhjetra dokumenteve mbi shkelje të pretenduara, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nisi verifikimet dhe zbuloi një sërë shkeljesh me koordinatat e shfrytëzimit të ujit apo vlerësimit të ndikimit në mjedis, çka janë edhe dokumentet kryesore për të përfituar lejen koncesionare.

Zamir Dedej, drejtor i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura i tha BIRN se shkelje ka pasur edhe në lejet e mjedisit dhe të zhvillimit.

“Kemi konstatuar se kompania e merr ujin në një lumë dhe e derdh në një lumë tjetër, ndërkohë që duhet ta marrë  dhe ta shkarkojë ujin në të njëjtin lumë. E dyta, leja e zhvillimi nuk është dhënë  me koordinata por me kuota, por edhe kjo është gabim pasi rezulton se kuotat e marrjes së ujit dhe të shkarkimit janë thuajse të barabarta,” tha Dedej.

“Pra, koordinatat përfundimtare ku koncesionari do të ndërtojë impiantin e shkarkimin dhe impiantin e turbinave janë në një përrua tjetër  dhe në një lartësi jo reflektuese që duhet të ketë një hidrocentral,” sqaron më tej Dedej.

Inspektimi i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura shtyu ministrin e Turizmit dhe të Mjedisit, Blendi Klosi të kërkojë pak ditë më parë revokimin e lejes koncesionare për kompaninë HP-Bigas-Veleshnje Energy.

Në një shkresë drejtuar Ministrisë së Energjetikës, Klosi kërkon rishikimin e të gjithë procedurave ligjore për lejen koncesionare dhe pezullimin e  ndërtimit. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk mori përgjigje për shkeljet e konstatuara.

Ministria e Energjetikës pretendon se i takon Ministrisë së Mjedisit që të veprojë dhe jo asaj.

“Ne si autoritet kontraktor nuk mund të veprojmë  pa pasur një revokim të lejes së mjedisit nga institucioni përkatës. Ne mund të nisim nga procedurat  e anulimit të kontratës koncesionare vetëm pasi Ministria e Mjedisit të ketë vendosur shpalljen e pavlefshme të lejes mjedisore,” tha një zyrtar i ministrisë së Energjetikës.

Mëngjesin e së premtes, Rama i dha fund pingpongut mes institucioneve dhe premtoi publikisht anulimin e lejes koncesionare, duke falenderuar qytetarët që e sinjalizuan në njërën prej platformave të lançuara prej tij.

“Asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur padashje mund të jenë duke gabuar,” përfundoi Rama.

Autor: Lindita Çela | BIRN | Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY