Arben Runa sa ishte mes nesh.Mero Baze rrefen poetin dhe kirurgun tragjik

Arben Runa sa ishte mes nesh.Mero Baze rrefen poetin dhe kirurgun tragjik

648
0
Shares

Me Benin kemi nisur studimet në të njëjtën kohë, por na ka bashkuar gazeta “Studenti”. Cikli i parë me poezitë e tij ishte mahnitës. Lirika, ku rima labe ndërthurej me kulturën e një njeriu të plotësuar, të fusnin drithmat.
E takova për ta uruar dhe që atëhere nuk u ndamë kurrë. Pastaj botoi disa tregime po aq poetike. Një prej tyre edhe tek “Zëri i Rinisë” ku Remzi Lani ma kujton ende titullin e tij.
Me të më lidhi më shumë një histori problematike për një shkrim të tij.
Në fund të vitit 1987, Ramiz Alia kishte dhënë sinjale në një mbledhje të Sekretariatit, që studentët duhet të flisnin më lirshëm dhe në shtypin e tyre të jepnin mendime të hapura.
Ne na e përcollën hallkat e partisë në redaksinë e gazetës si orientim.
Ja thashë këtë Benit.
Më pa me shumë mosbesim.
-E çfarë lejojnë të shkruash? -tha, ka ndonjë kufi?
Nuk dija çfarë t’i thosha, por i dhashë zemër me papërgjegjësinë që më kap në këto raste. Dhe ai solli një shkrim të gjatë rreth 8 faqe. Titulli ishte “A zhvillohet si duhet Marksizmi në Univeristet”? Pak a shumë kritikonte stilin e pedagogëve të filozfosë në Universitet, merrte dhe shembuj konkretë, pedagogë mediokër, dhe pastaj hidhte idenë e nevojës së ballafaqimit të marksizmit me linja të tjera të filozofisë.
Ishte Dhjetori i vitit 1987. Redaksia e gazetës “Studenti” po ndryshonte. Sokol Terihati kishte ikur në radio “Tirana”. I riu nuk kishte ardhur. Unë isha si “puntorë krahu” që më kishte ngelur në dorë gazeta dhe merresha me të edhe në shtypshkronjën, tek “Poligrafiku”. Shkrimi i Benit ishte cinik, i pamëshirshëm dhe mbi të gjitha politikisht jo korrekt. Kosta, që e kishte mbikqyrur nga Komiteti i Rinisë, kishte hequr disa kryqe në krye të faqeve. Unë e mora gjymtyrëshqyer dhe e futa në sirtar.
Në javën e parë të Janarit 1988 në redaksi nuk kishte më këmbë njeriu. Të vjetrit kishin ikur, të rinjtë nuk po vinin më dhe unë mora shkrimin e Benit, e redaktova dhe vetë disi më shumë se Kosta dhe vendosa që ta botoj. Kisha një shpresë të vakët se studentët nuk ishin kthyer dhe nuk do të lexohej aq shumë sa të bënte zhurmë. Por gjëma thuajse u bë. Të nesërmen Benin e sollën me rroba ushtarake nga Mamurrasi ku ishte në zbor. Ai do përballej me analizën e Komitetit të Partisë në katin e tretë tek godina qendrore e Universitetit. Analiza zgjati nja dy orë. Biles njëri zbuloi që Beni kishte ngrënë edhe pa rradhë ne mencën e “Qytetit Studenti” duke thënë se jam gazetar i “Student”-it.
Pastaj vazhdoi mbledhja me ata të rektoratit derisa në orën 2 kur ishim pa ngrënë, duruam edhe Bashkimet Profesionale të Prof. Dobrushës, tek palestra e Universitetit. Këtij të fundit nuk i ikte e keqja nga titulli.
Po bëhej serioze. Arbenin e paralajmëruan se mund të ikte edhe nga shkolla, ndërsa shefi i katedrës së filozofisë bëri një artiukull tek “Zëri I Popullit” në faqen 3  kundër këtij shkrimi.
Por ndonjëherë e keqja vjen për mirë. Kjo që në fakt dukej fundi, ishte shpëtimi.
Guro Zeneli, i cili për koicidencë iku nga jeta brenda 24 orëve me Benin, më takoi tek Klubi i Lidhjes së Gazetarëve, poshtë gazetës “Bashkimi”  dhe kërkoi të dinte çfarë kishte ndodhur.  Bëra pak rolin e viktimës dhe i thashë se na kërkuan shkrime kritike në emër të direktivave të partisë dhe tani po masakrojnë një student.
-Djali i Ulos është ai? -më tha.
-Po,- i thashë. -E njeh?
-Është mësuesi legjendar i Kurveleshit. Mos kij merak pasi do të merrem unë.
Dhe gjërat të nesërmen u mbylën si me magji. Disa nga ata që ishin agresivë, filluan të flasin mire. Një shfaqje tipike e kohës. Por Beni e përjetoi keq dhe për një kohë të gjatë nuk merrte më guximin të shkruante.

***
Ditën e pare të punës si mjek specialist traumatolog, e pati me Doktor Panajot Bogën. U prezantua.
-Arben Runa!
Doktor Panajoti po e vështronte me vemendje.
Nga Runaj e Nivicës?
-Po
-Jemi në gjak,- I tha.
-Pse,- I tha Beni.
-Xhaxhai jot ka qenë me Ballin dhe më ka vrarë vëllain.
-Babi im ka qenë partizan, I tha Beni, që po e merrte me humor.
-E di tha, se ju lebrit kështu bënit, dy me Ballin dy me partinë dhe pastaj kush të fitonte. Por Xhaxhai jotë ma ka vrarë vëllain.
-Mirë po lidhem ti them se është gjallë në SHBA, I tha Beni. Sqarohuni vet.
Këtu u “mbyll” konflikti dhe u bën miq.Por ishte viti 1991.
Shtëpia e Arbenit ka qenë gjatë luftës spital partizan. Riza Runa që dikur kishte shoqëruar Princ Vidin deri në Gjermani, ishte kthyer në Nivicë, kishte ngritur një fermë të vogël me mollë dhe kishte ndërtuar një shtëpi për vete. Shtëpinë e vjetër të Runajve e bëri spital partizan Në përshrkimin që i bën kësaj shtëpie, mjeku Italian Franko Benant tek libri “Lufta ime më e gjatë në Shqipëri” përshkruan qartë mizorinë e luftës dhe mbijetesën e njerëzve në dimrin e vitit 1944.
Babai I Arbenit, Ulua, që e mbaj mend gjithnjë thatimë, të nevrikosur dhe pa gjetur rehat, kishte dal partizan, dhe më pas kishte shkuar mësues në Kosovë, me grupin e mësuesve që ndihmuan në përhapjen e arsimit atje. Por në vitin 1949, ata u detyruan të rikthen në Nivicë. Dhe tregonte gjitnje sikletin e pllakes que mbante hstepia e tij, por qe me 5 Maj aty njerezit e pushtetit vinin respektonin pllaken, por jo te zotet e shtepise.
Arbeni e vuajit këtë me vonesën për të drejtën e studimit të cilën paradoksalisht ja ka dhënë Gramoz Ruçi, ndërsa ishte bërë Sekretar për Kulturën në Komitetin e Partisë në vitin 1984. Por nuk e bëri vetëm për Arbenin. Ai zhbllokoi një listë me 74 nxënës me “biografi të keqe”, që po pengoheshin të shkonin në shkollë. Arbeni ishte ndër ta.
Si mjek nuk di të tregoj histori për të. I thoshja që nëse do bëhem për thyerje kockash, nuk do arrij gjallë në spital. Po në fakt nja dy herë arrita dhe isha në duart e tij. Bezdia më e madhe që i krijoja ishte se ai e kasha kthyer në një mjek familjeje për fëmijet e mij dhe fëmijët e çdo shoku tim. Kjo ja ngrinte nervat në qiell, pasi e pyesja për bajamet, për temperaturën, për stomakun, për herniet. Për kockat se pyeta ndonjëherë.***
I vetmi rast kur e kam parë të nxehur si mjek ka qenë vitit 1999, ndërsa ishte kufta në Kosovë. Ushtarët e plagosur vinin në Spital Ushtarak dhe ai ishte mjek roje.
Një ditë më pyeti gjithë kërshëri. Kush është Brigada e Koshares e kush e Pashtrikut.
-Nuk e di mire,- i thashë, por këta të Koshares I financon qeveria e Kosovës, këta të Pashtrikut janë të UÇK.
-Vjen një bandit aty,- më tha dhe thotë: Këta të Koshares mos I prekni me dorë, se janë vra kot për Rugovën, këta të Pashtriktu kanë me mar nga 50 franga.
U qetësua të nesërmen. Kish bë fjalë me dikë aty nga shefat dhe situate ishte normalizuar.

***
Ndërkohë që Beni po përpiqej të integrohej si mjek në sistemet e tranzicionit një ditë e thirra për ndihmë si veprimtarë I Komitetit të Helsinkit në zgjedhjet e vitit 2001 në Shijak. E kam përshkraur diku në një libër timin këtë skenë. Makina jonë kishte letrën e Komitetit Helsinkit, ndërsa në qendrën e Shënvlashit, mbaheshin të rrethuar komisionerët e PD nga disa banditë.
Beni zbriti me qetësi dhe pasi u tregoi kartën e Komitetit të Helsnikit hyri brenda. Mua mu sollën rrotull disa makina që xhironin gomat, por nuk më ngacmuan.
Pasi doli prej shkollës ku “votohej”, Arbeni hyri në makinë dhe ma bëri me shenjë të nisemi.
-Si dukej,- I thashë?
-Po dolën gjallë ja hodhën,- tha. Dhe më tregoi se si komisionerët e opozitës, nuk guxonin as ti raportonin se çpo ndodhte Dukeshin gjysëm të blerë e gjysëm të frikësuar,- tha. Nuk e ndaje dot. E sigurt është që s’kishte zgjedhje.

***
Në vitin 2010 e kishte të domosdoshme të niste punë si kirurg I rregullt në Spitalin Ushtarak. Peripecitë që kish psuar e kishin lodhur. Nuk e ndihmoja dot. Për më tepër që njerëzit e pushtetit e dinin se ishte mik im. I thashë të lidhet me Astrit Patozin. Pak ditë më vonë ai ja mundësoi të lidhte kontratë por ky si I prap, nuk kishte përtuar t’ia numuronte gjithë të zezat e spitalit. Më dërgoi mesazhin e Patozit pak më vonë që I thoshte pak a shumë se “ty nuk të bëjmë dot derman, po ti bëjmë hajër spitalit të paktën”.

***
Dy vjet më parë kur Arbeni më tha se ishte diagnostikuar me tumor në mushkëri, për disa ditë nuk isha në gjendje të merrja një vendim se çfarë duhej bërë me të. Pas një vizite të dështuar në Turqi, onkologu I njohur Shahin Kadare na rekomandoi Institutin Kombëtar të Tumorit në Aviano.
Do të udhëtonim të dy vetëm, ndërsa në mbrëmje Arbeni kishte dhe ditëlindjen. Ishte një ferr I vërtet ajo se çfarë mund të flisnim. Që nga aeroporti e deri në Hotel, thuajse nuk folëm, përveç se u grindëm kush të mbante çantat. Pastaj u sorrollatëm nëpër qytezën e vogël të shikonim si mund ta gjenim spitalin më lehtë nesër dhe përfunduam në dark në një shtëpi birre.
Aty mendoj se e kalova ngërçin.
-Duhet të flasim për vdekjen,- I thashë. Por duhet të qeshim. Gara ishte kush të tregonte më shumë barcaleta për vdekjen. Dhe kështu bëmë. Garën e fitova, fal faktit që kam dëgjuar dhjetra të tilla nga Filip Çakuli, dhe deri në mesnatë kemi qeshur pa fund. Improvizova një barcaletë sikur mjekja do na thoshte të nesërmen: Ju jeni me tumor dhe nuk kini shumë kohë. Zgjidhni cfarë duhet të bëni!
-A kam kohë të shkoj deri në Karaibe , do ti thuash ti.
-Jo, do thotë ajo.
Po deri në Spanjë?
-Jo
Po deri në Itali?
-Më vjen keq do thotë ajo, unë di që ky shoku ka shtëpi në Golem, e ke dhe afër.
Qeshëm me lot.
Të nesërmen kishim vizitën. Doktoresha që na priste ishte po ashtu një leksion I ri për përballjen me vdekjen. Ajo e detyroi Arbenin t’ia përshkruante vet sëmundjen e tij me qetësi. Ishte si t’ia nxirrje të keqen nga brenda me zor. Dhe ai I tregoi çfarë kishte dhe çfarë mendonte për të.
Mjekja dukej në pamje e ftohtë, e sigurt në ato që thoshte, por jo e pashpresë.
Pasi mbaroi gjtihë egzaminimet, ja tha qartë: Do të përdorësh një medikament të ri  që është “nanoteknologji” I cili eleminon qelizat kanceroze. Italia nuk e ka në protokoll shëndetësor,- tha, por mund ta blini në Zvicer, ose mund ta porosisni nga ndonjë farmaci brenda Vatikanit. Çmimi ishte shokues dhe I papërballueshëm për çdo shqiptar.
Por ne vazhduam të bëjmë humor dhe me çmimin. Unë e porosisja vazhdimisht të mos niste të lexonte romane të gjata, se mund të mos I mbaronte dhe të mos shikonte filma me seri se do ti ngelej merak po të mos e merte vesh si mbaronin. Ai bënte humor me mua që bëja si milioner që kisha lek për ilaçe.
Fal Gentës që punonte në ambasadën tonë në Romë I porositëm ilaçet nga Vatikani dhe erdhën brenda javës.
Pas një muaji rezultati ishte fantastik. Ai mund të lëvizte sërisht, të shkonte në punë dhe të sillej si njeri normal.
Kështu e shty për dy vjet, fal dhe një mrekullie që ndonjë herë ndodh dhe brenda sistemeve tona të shkatërruara të shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë, arriti ta fus këtë barn në listën e importeve dhe atij nuk I mungoi asnjë ditë.
Në verë situate ju komplikua dhe për disa muaj ai e shtyu duke marrë oksigjen ndërsa rrinte shtrirë.
Në përpjekje për ta qetësuar se do të shërohej I shpika një fabulë tjetër. I thashë do rindërtojmë shtëpinë tënde në Nivicë dhe do të shkosh aty në pranverë. Aty mushkëritë bëhen nga e para nga ajri. I tregova dhe një legjendë që e kasha dëgjuar për dikë që ishte shëruar nga tumori s ekishte ndenjur tre muaj në LLufë, një stanë malor mbi 2000 m.
Dhe kështu bëra. I dërgoja çdo javë foto nga shtëpia që më në fund pati një cati të re. Pllaka përkujtimore në murin e shtëpisë ishte një rast të bëja sërisht humor të zi me të.
-Shtëpia u bë I thashë, dhe pllakën ta ruajta. Tani disa breza më vonë, njerëzit do kujtojnë se meqë quhet shtëpia e Doktor Benit, do të marrin për mjek partizan.
Por një ditë më shkruajti: “Lajmet nga shtëpia kanë qenë të vetmet lajme të mira që më kanë mbajtur pak lart moralin këto kohë…” Mendova se po ja dilja. Por pak më vonë pasoi nje mesazh tjetër. “Unë nuk besoj se do të shkoj dot aty. E kemi lënë të mos bëjmë gjëra që zgjasin shumë.” Sot në mëngjes nuk dua zgjua dot më. Vëllai I tij më tha se nuk pranoi ta çonim në spital.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY