NEWSWEEK/ Trashëgimia politike e Edi Ramës, ajo e një njeriu të paaftë...

NEWSWEEK/ Trashëgimia politike e Edi Ramës, ajo e një njeriu të paaftë që nuk mund të jetë lider

203
0
Shares

Një fushatë për marrëdhëniet publike. Kështu e ka quajtur, duke e parë në retrospektivë, revista amerikane “Newsweek” fitoren e qeverisë së re të Edi Ramës më 2014 kundër kultivimit të drogës në Lazarat. Revista shkruan se Rama erdhi në pushtet katër vjet më parë si dora e fortë që do të luftonte korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjithçka nisi shkëlqyeshëm me sulmin e urdhëruar nga vetë Rama kundër fshatit rebel ku nuk hynte policia dhe suksesi çimentoi imazhin e kryeministrit si kërcënim i vërtetë për krimin.
“Katër vjet më pas, tymi i Lazaratit është zhdukur vërtet, por, e parë në retrospektivë, është e vështirë ta shohësh këtë fitore të hershme më tepër se një fushatë marrëdhëniesh publike”, shkruajnë bashkautorët e shkrimit, Will Nicoll e Vincent Triest.
Fitoret e vogla kundër trafikuesve të kanabisit janë lënë në hije nga ardhja e drogave të rënda, si kokaina e heroina. Kultivimi i bimëve narkotike nuk shihet më si shumë fitimprurës për organizatat e mëdha kriminale, teksa drogërat e rënda kanë vlerë tregu në rrugë 1000% më të lartë se marijuana. Ky vend i vogël në periferi të Bashkimit Europian tani po u shkakton diplomatëve shqetësime të konsiderueshme, kryesisht sepse vlera dhe volumi i drogës së trafikuar u ka dhënë mundësi organizatave kriminale shqiptare të kenë një prani brutale brenda vetë Bashkimit Evropian.
Departamenti Amerikan i Shtetit vë në dukje në raportin e këtij vitit për strategjinë e kontrollit ndërkombëtar të narkotikëve se “Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të mëdha marijuane, kryesisht për përdorim evropian, dhe është vend tranzit për heroinën dhe kokainën afgane”.
Edhe Europol ndan të njëjtin mendim.
Statistikat më ilustruese janë ato të Italisë, që flasin për 219 hektarë tokë të përdorur për kanabis më 2016, me rreth 754 mijë rrënjë të identifikuara.
Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë vlerëson se vendi ka 566 hektarë tokë bujqësore në përdorim. Sipas kësaj, i bie që për kultivimin e marijuanës është përdorur 38.16% e tokës bujqësore. Drogat e forta janë të vështira për t’u vlerësuar, sepse të dhënat ende mungojnë, por fakti që Shqipëria është bërë vendi numër një i konsumimit të kokainës për kokë më 2016 – 2017 tregon shumë.
Këto statistika nuk janë treguesi i luftës kundër drogës që premtoi Edi Rama. Progresi me kanabisin është zhgënjyes. Rritja e shpejtë e përdorimit të kokainës është një fatkeqësi kombëtare.
Lulzim Basha, i cili është një jurist e arsimuar në Holandë dhe lider i Partisë Demokratike të Shqipërisë, u kritikua nga media për përqendrimin e madh te kanabisi gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare. Ngjarjet e fundit i kanë dhënë të drejtë. Por, teksa flet nga zyra e tij në Tiranë, zoti Basha nuk shfaq kënaqësi që e vërteta e fushatës së tij u provua. Përkundrazi, shpreh një trishtim të madh për rënien e vendit të tij në kriminalitet.
“Ky është një problem shumë i madh i cili vetëm sa e distancon Shqipërinë nga Evropa, në një kohë kur kemi ndërmarrë kaq shumë iniciativa të tjera për të përmirësuar lidhjet dhe harmonizuar legjislacionin”, thotë Basha.
Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, foli pa doreza në një fjalim të kohëve të fundit.
“Nëse Amerika dhe BE do t’i përkushtojnë burimet dhe kredibilitetin e tyre kësaj lufte kundër krimit, ne presim rezultate”, tha Lu, duke iu referuar arrestimeve midis zyrtarëve të lartë, të cilët praktikisht duken të paprekshëm nga ligji.
Tensionet u ngritën më tej kur ish-ministri i jashtëm dhe deputeti Saimir Tahiri duket se është përmendur në përgjigjet e interceptuara nga policia italiane.
Shumë në komunitetin europian kanë shprehur shqetësime për integritetin e klasës politike shqiptare. Të tjerë, si SHBA, kanë bërë akuza direkt për lidhjet me kriminalitetin. Vetë shqiptarët akuzojnë vazhdimisht politikanët për korrupsion, bashkëfajësi, korrupsion dhe abuzim pushteti. Pavarësisht përkufizimeve që mund të përdoren, zoti Rama nuk mund të cilësohet si një lider, teksa në mandatin e tij si kryeministër problemi i drogës është shndërruar në një pandemi kombëtare, e cila do të ndikojë në pozicionin ndërkombëtar të vendit të tij dhe rrugën drejt hyrjes në BE.
Asnjë lider nuk do të ndikonte kaq keq në jetën e elektoratit. Nëse nuk veprohet me urgjencë, trashëgimia politike e zotit Rama do të jetë ajo e një njeriu të paaftë për të implementuar politikat e vështira dhe zgjidhjet që e përkufizojnë vërtet një lider.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY